Më 123 vota pro, Shqipëria miraton rezolutën për dënimin e agresionit rus në Ukrainë! Duartroket ambasadori ukrainas! Rrëzohet amendamenti i LSI për dalje nga 'Open Balkan'

Kuvendi është mbledhur sot në 17:00 në seancë plenare dhe me 123 vota pro ka miratuar rezolutën në mbështetje të Ukrainës. Në rezolutën e poropozuar nga mazhoranca dënohet agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe shkelja e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar. Kjo rezolutë është dakordësuar nga 4 grupet parlamentare.

Në këtë seancë ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, z. Volodymyr Shkurov. Gjatë diskutimeve parlamentare, deputetët e mazhorancës dhe opozitës, shprehën qëndrimet e tyre dhe mbështetjen solidare për Ukrainën, duke e vlerësuar  si një shtet rezistent ndaj agresorit ushtarak të Rusisë.

Kjo projektrezolutë vjen në mbështetje të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe zhvillimit demokratik të Ukrainës, në mbështetje të plotë të qëndrimit të vendeve të tjera në botë, që aspirojnë e mbrojnë vlerat demokratike, në përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian përfshirë vendimet e Bashkimit Evropian për masa shtrënguese, si edhe nën përgjegjësinë të rolit të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023. Përmes saj nxitet dhe mbështetet veprimtaria diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve. Përmes kësaj rezolute mbështeten sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.

Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi dhe miratoi sot këtë projektrezolutë “Për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjes e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane”. Në prezantim të kësaj projektrezolute të dakordësuar midis 4 grupeve parlamentare, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se, duke u bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe dokumentet e OSBE-së që e kanë pasuar atë, Memorandumin e Budapestit të vitit 1994 mbi Garancitë e Sigurisë lidhur me aderimin e Ukrainës në Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, Marrëveshjet e Minskut dhe dokumente të tjera, Kuvendi i Shqipërisë dënon me forcë agresionin ushtarak të Rusisë ndaj shtetit të Ukrainës.

Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha u shpreh se Shqipëria i jep mbështetje të plotë dhe pa kushte popullit të Ukrainës.  Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishte edhe Sali Berisha, i cili vlerësoi faktin që Parlamenti vendosi të diskutojë aktin më të rëndë të pas Luftës së Dytë Botërore nga një tiran, si një agresion që nuk i bëhet vetëm Ukrainës, por çdo vendi të lirë në botë.

Gjatë diskutimeve për këtë projekt-rezolutë, deputeti Petrit Vasili paraqiti një amendament  për daljen e menjëhershme nga nisma “Ballkani i Hapur”, sepse Shqipëria nuk mund të qëndrojë në krah të Serbisë, që refuzoi sanksionet ndaj Rusisë, agresores së Ukrainës. Amendamenti u rrëzua me 45 vota pro dhe 75 vota kundër.

Rezoluta e propozuar

PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS  DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE

Duke u bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe dokumentat e OSBE-së që e kanë pasuar atë, Memorandumin e Budapestit të vitit 1994 mbi Garancitë e Sigurisë lidhur me aderimin e Ukrainës në Traktatin e Mos-përhapjes së Armëve Bërthamore, Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 dhe paketën e masave në zbatim të tyre të nënshkruar në vitin 2015;

Duke shprehur shqetësim te thellë për faktin se vlerat e bashkëjetesës paqësore mes popujve, demokracia dhe të drejtat e njeriut, të promovuara në Evropë dhe në botë, pas Luftës së dytë Botërore, janë cenuar rendë nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës;

Në mbështetje të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe zhvillimit demokratik të Ukrainës;

Në mbështetje të plotë qendrimit të vendeve të tjera në të gjithë botën, që aspirojnë e mbrojnë vlerat demokratike, në përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë vendimet e Bashkimit Evropian për masa shtrënguese;

Në respekt dhe nën përgjegjësinë të rolit të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023;

Duke marrë në konsideratë rrezikun e ndikimit në rajonin tonë të agresionit rus në Ukrainë  me pasojë demotivimin e perspektivës euroatlantike të rajonit për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë;

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.

Nxit dhe mbështet veprimtarinë diplomatike  dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve.

Mbështet sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmara nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.

Bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Dënon me forcë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se aktet kundër civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i kërkon Qeverisë që:

Të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane; Të forcojë me prioritet përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:09
Kuvendi votoi rezolutën kundër agresionit rus, Meta: Përshëndes miratimin, solidarizohemi me Ukrainën

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur miratimin e rezolutës kundër agresionit rus në Kuvend.

“Përshëndes miratimin unanim të Rezolutës kundër agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, nga Kuvendi i Shqipërisë! Si vend anëtar i NATO, vend kandidat i BE, anëtar jo i përhershëm i KS të OKB, dhe me qëllimin e mbizotërimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Europë, rajon e më gjerë, shprehim solidaritetin e plotë me popullin dhe institucionet demokratike dhe legjitime të Ukrainës në përpjekjet e tyre heroike për liri, dinjitet kombëtar dhe vlera europiane”, shkruan Meta.

Ora 20:50
Më 123 vota pro, Shqipëria miraton rezolutën në Kuvend për dënimin e agresionit rus në Ukrainë

 

Kuvendi ka miratuar pak minuta më parë rezolutën për të dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe në mbështetje të popullit ukrainas.

Ora 20:00
Peleshi thirrje deputetëve: Ukraina po lufton për lirinë e të gjithëve! Të bashkohemi, të tregojmë se dimë të bëjmë pakte kombëtare për çështje të mëdha

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nga foltorja e Kuvendit i ka kërkuar deputetëve që të bashkohen në qëndrimin për dënimin e agresionit rus mbi Ukrainën dhe mbështetjen për këtë të fundit. Ai i kërkoi ligjvënësve shqiptarë që të lënë mënjanë çështjet e mëdha të vendit, pasi sot është dita për të treguar përgjegjshmëri dhe për të bërë strategji kombëtare.

"Do të donim të flisnin të gjithë në të njëjtën gjuhë për Ukrainën. Ne kemi sfidat tona të sigurisë kombëtare e të mbrojtjes, jemi në nevojë për shkak të situatës së krijuar për të rishikuar dokumentet tona strategjike, por sot është dita e Ukrainës. Çdo përpjekje për të marrë nga kjo çështje kredo politike, nuk është e drejtë. Të tregojmë si jemi një faktor në gjithë Rajonin drejt perëndimit. Nuk është dita të flasim për çështje tonat shumë të mëdha, por për Ukrainën. Sot duhet të bashkohemi, të lëmë mënjanë të gjitha axhendat tona, mos të merremi me ngritjen e çmimeve, me rritjen e çmimit të naftës. Të tregojmë përgjegjshmëri politike, të bëjmë strategji kombëtare. Të tregojmë se dimë të bëjmë pakte kombëtare për çështje të mëdha. Na duhet të vëmë më shumë forca për modernizimin. Po ndodh ajo çka Presidenti Putin paralajmëroi në 2007. Duhet t'i themi Perëndimit që jemi të gjithë bashkë. Nuk e meritojmë ne e shqiptarët të ndahemi në këtë ditë. Ne jemi të gjithë bashkë jemi me Ukrainën. Ukraina sot nuk po lufton për Ukrainën, por për lirinë e të gjithëve", tha Peleshi.

Ora 18:55
Berisha: Ballkani i Hapur, nismë për rritjen e influencës ruse në Rajon! Skllevër të Ramës që s'guxoni ta denonconi! Balla: Turp! Mos i sill hallet e tua në Kuvend

1646675644_6400603ffc3006013.jpg

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u përfshinë në replika në seancën e sotme plenare. Në fjalën e tij nga foltorja, Berisha e vuri theksin te Ballkani i Hapur, duke akuzuar se është nismë që synon rritjen e influencës ruse në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai i quajti deputetët 'skllevër të Ramës' që nuk guxojnë të denoncojnë këtë nismë.

"Unë vlerësoj faktin që më së fundmi parlamenti vendosi të diskutojë për një qëndrim ndaj aktit më të rëndë pas Luftës së dytë Botërore, fillimit de fakto të Luftës së Tretë, nga një tiran i cili i parë në retrospektivë, për shkak të arsenalit bërthamorë, është tirani më i rrezikshëm i të gjitha kohëve, Vladimir Putin. Sulmi që ai ndërmori ndaj Ukrainës filloi që me pushtimin e Krimes në 2014. Ky nuk është agresion ndaj një vendi të pavarur, por agresion ndaj çdo vendi të lirë e të pavarur, agresion ndaj lirisë së botës. Diktatori i Kremlinit duhet trajtuar vetëm si i tillë. Rezoluta është shkruar si ndonjë vend i oqeanisë i qeverisur nga autokratë, jo një vend në zemër të Europës. Elementi në tablonë e këtyre zhvillimeve, ka qenë qëndresa heroike e ukrainasve. Rezoluta duhet të shprehë në terma më të qarta këtë dimension të ri të zhvillimit, këtë kontribut global të qëndresës së Ukrainës. Rezoluta është deficitar edhe në aspektin tjetër. Cilido që njeh historinë e konitetit, ambiciet e Rusisë kanë qenë Adriatiku dhe Dardanelet. A mund të rrimë ne kaq të pazë në një kohë kur ai agresion në Ukrainë, synon detin Adriatik. Rusia Adriatikun dhe Dardanelet, i ka jetike për të shkaktuar rrugët dhe për të dominuar në Mesdhe. Çështje këtu del edhe Ballkani i Hapur. Një nismë që është në funksion të hegjemonizmit serb dhe influencës ruse në Rajon. Vladimir Putin është një kriminelvë vjen nga KGB, por po kaq kriminel është ALeksandër Vuçiç që ishte indoktrinar i gjenocidit në Kosovë dhe Bosnje dhe pritet që ai të jetë faktorë paqeje. Është gabim i madh shumë. Por Rama e ka si vëlla Vuçiç dhe nuk ju lejon të thoni një fjalë të vetme për Ballkanin e Hapur", tha Berisha.

Balla e konsideroi një 'turp' fjalën e Berishës, teksa i kërkoi që të mos sjellë në Kuvend 'hallet e tij personale'

"Fatkeqësi shumë e madhe që në kushtet e një plage të madhe në mes të Europës, të çohet dikush që ka qenë President e kryeministër e të fyej viktimat e familjet që janë detyruar të lënë Atdheun dhe të hedhë të njëjtat kunja për çështje të orekseve të politikës së brendshme. Turpi ka një emër dhe i mbetet atij që sapo foli. Situata që kemi përpara është më e keqja dhe që do kërkonte që sot të ishim të bashkuar jo të ndarë, sepse lufta po vret në Ukrainë, por po i fut kthetrat edhe në jetën e përditshme të çdo vendi, edhe Shqipërisë. Rezoluta erdhi si nevojë që Kuvendi të mbante qëndrimin e  tij. I përket 4 grupeve parlamentare në këtë sallë dhe unë nuk njoh më shumë se kaq. Ka qenë diçka për t'u përshëndetur duke vlerësuar seriozitetin e kolegëve që mbi oreksin politik të ditës vendosën nevojën e një dakordësie. Rezoluta është në të njëjtën linjë me standard me atë të Kongresit ët SHBA, Parlamentit Europian, Bundestagut. Ky është dokument që do i shkojë ambasadave tona, delegacioneve tona. Mund të kesh 1 mijë arsye për të bërë opozitë, por ky diskutim i këtij njeriu që s'kishte lidhje me Ukrainën... Halli yt nuk mund të jetë halli i këtij Kuvendi. Rezoluta dënon agresion ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga Rusia të sovranitetit të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar. Është e nevojshme që sot të mbështesim të gjithë qeverinë, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë, në mbështetje të plotë të integritetit territorial të Ukrainës dhe sanskionet ekonomike e masat diplomatike të marra nga partnerët ndaj Rusisë. Diskutimi i parafolësit binte ndesh nevojë për të forcuar sanskionet ndaj Rusisë dhe ndihëm ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj. Këtë kërkon Kuvendi she çdo deputet sot duhet ta ndajë mirë se në cilën anë të historisë është. Të bëjmë thirrje të ndalohet përdorimi i forcës nga Rusia në Ukrainë dhe për tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina. I ftoj kolegët deputetët t'i lëmë mënjanë kunjat, ky është dokument që shpreh vullnetin 100% pa asnjë dallim me ata miqtë atje, popullin e Ukrainës. Ne kemi një minoritet shqiptar në Odesa, por lidhjet kulturore me popullin e Ukrainës duhej të ishin sot diskutimet dhe jo ato për turp (ngrije kokë), si mund të ketë patur Shqipëria President e kryeministër si ai?! Turp!", u shpreh Balla.

Ora 18:49
FOTOT/ Parlamenti solidarizohet me Ukrainën, deputetët vishen me bluza ngjyrat e flamurit ukrainas

Deputetët në Parlamentin Shqiptar janë solidarizuar me situatën e vështirë në Ukrainë. Pa nisur seanca Parlamentare deputeti i Parisë Demokratike Dashnor Sula shpërndau në 140 bluza në karrigen e secilit ligjvënës. Ndërkohë në bluzë shkruhet “We Stand with Ukraine”- Solidarizohemi me Ukrainën. Ndërsa në bluzë qëndronin dy flamujtë, ai i Shqipërisë dhe ai i Ukrainës.

Ora 18:01
Spiropali: Lufta në Ukrainë tregon se integrimi i Ballkanit në BE i shërben paqes

 

Nga Kuvendi ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin bëri thirrje për votimin e rezolutës që dënon agresion rus në Ukrainë. Spiropali tha se lufta në Ukrainë është një mësim që tregon se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në BE.

“Ukraina është bërë kryefjala e shqetësimit mbarë botëror. 1 mln e gjysmë qytetarë janë larguar si refugjatë, numri i tyre rritet ndërkohë që sulmi ushtarak vijon. Për në shqiptarët këto pamje zgjojnë kujtime të dhimbshme. Në Kosovë, NATO dhe UÇK luftuan që Kosova të ishte teatri i luftës së fundit që do ndodhte në Europë. Lufta po bëhet në Ukrainë, por ka prekur drejtpërdrejtë të gjithë pjesën tjetër të botës. Ky sulm mbi Ukrainë është një sulm mbi gjithë botën e lirë. Ukrainasit nuk e filluan luftë por po luftojnë heroikisht. Zelensky është kthyer në një simbol ndërkombëtar kundër brutalitet rus. Po ndihen në ekonominë botërore dhe atë shqiptare pasoje e kësaj lufte duhen përballuar. Tek historia që në këtë ditë feste siç është 7 marsi, është mësuese për të gjithë ata që duan të nxënë nga e shkuara. Lufta në Ukrainë është këmbanë për të parë ndryshe të nesërmen. Sot është momenti që kontinenti ta bëjë Europë Ballkanin. Ballkani në BE se integrimi në NATO edhe i Kosovës, janë mjete e vetmja që i shërbejnë paqes”, tha Spiropali.  

Ora 17:56
Basha: Ukrainasit rezistencë heroike ndaj agresorit rus! Mbështetje të plotë rezolutës

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë ka shprehur mbështetjen e PD-së për rezolutën e dënimit të agresionit rus në Ukrainë. Ai tha se populli ukrainas gjendet në një agresion të pashembullt.

"Populli i Ukrainës uroj të përballet me guximin heroik ndaj agresorit rus dhe ta shikojë këtë rezolutë të Kuvendit shqiptar si shprehje të vullnetit të gjithë kombit shqiptar.  Ne shqiptarët jemi kombi i fundit para kombit ukrainas që e kemi ndjerë luftën, dhunën", tha Basha.

"Jemi mbledhur në një ngjarje unike për t’i dhënë mbështetjen pakush popullit të Ukrainës që ndodhen përballë agresionit të pashembullt nga Rusia. Është urimi im i PD dhe opozitës, jam i bindur it ë gjitha bashkatdhetarëve tanë që populli ukrainas do të vazhdojë të luftojë dhe ta shohë këtë akt mbështetje nga ne si një mbështetje të të gjithë kombit shqiptar. Ne shqiptarët jemi kombi i fundit që e kemi ndjerë në palcë, dhimbjen, masakrën nga makineria e luftës së Millosheviçit ndaj qytetarëve në Kosovë. Me ndihmën e Zotit dhe mbështetjen e kombeve të lira gjithmonë shpërblen. Këto janë ditë të errëta për Ukrainën, Europën që lufton të jetojë në paqe. Ajo që po ndodh sot është një luftë që na përfshin të gjithëve. Viktimat janë familjarë, prindër, të moshur për të cilët të gjithë ndihemi përgjegjës. Me këtë rezolutë i japim përfaqësisë tonë në KS shtysën për të bërë çdo gjë me aleatët për t’i dhënë fund kësaj çmendurie. Askush nuk duhet të ketë dyshim se çmenduria e Putin është një akt i beftë e i paplanifikuar", vijoi ai.

 

Ora 17:41
Kodheli thirrje deputetëve të votojnë pro rezolutës në mbështetje të Ukrainës: Në unanimitet me qëndrimet e BE dhe SHBA

 

Kryetarja e Komisionit ët Jashtëm Parlamentar, Mimi Kodheli i ka bërë thirrje sot deputetëve të miratojnë rezolutën në mbështetje të Ukrainës dhe që dënon agresionin rus. Nga foltorja e Kuvendit, Kodheli u shpreh se kjo rezolutë është në përputhje me rezolutën e Asamblesë së OKB më 1 mars e po ashtu në unanimitet me qëndrimet e BE e SHBA.

"Komisioni i Politikës së Jashtme sapo kaloi këtë rezolutë që uroj ta votojmë në unanimitet. Dënojmë agresionin rus ndaj Ukrainës. Ju falënderoj për gjithçka kemi bërë dhe do bëjmë siç e meriton dinjiteti i këtij parlamenti dhe çdo shqiptar. Kjo rezolutë është në mbështetje të rezolutës së Asambles së OKB të dalë më 1 mars të këtij viti, mbi agresionin mbi Ukrainës. Referuar akteve ndërkombëtare, kjo është një rezolutë që mban parasysh kartën e Kombeve të Bashkuara dhe është në unanimitet të plotë me Parlamentin Europian që doli me rezolutë tjetër më 1 mars dhe është në unanimitet me qëndrimet e BE dhe SHBA. Ne sot jemi në anën e drejtë të historisë", tha Kodheli.

Ora 16:21
Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, LSI depoziton në Kuvend amendament të projektrezolutës që Shqipëria të dalë nga 'Ballkani i Hapur'

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në Kuvend një amendament në projektrezolutën për Ukrainën ku kërkon daljen e Shqipërisë nga Ballkani i Hapur. Projektrezoluta është depozituar në Komisionin për Politikë të Jashtme nga deputeti Petrit Vasili.

Deputeti kërkon dalje të menjëhershme nga 'Open Ballkan', pasi sipas tij ky projekt i jep mbështetje Serbisë që mbështet Rusinë. Vasili thotë se 'Ballkani i Hapur' është tradhti ndaj Kosovës. dhe shkakton shkatërrim ekonomik ndaj shqiptarëve

Në një postim të 2 ditëve më parë në Facebook, Vasili shkruan se vendi ynë nuk mund të jetë më pjesë e kësaj nisme pasi Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë. Sipas tij, qëndrimi i vendit tonë në ‘Ballkanin e Hapur’ do ishte një përkrahje e Edi Ramës për Rusinë pushtuese.

Kujtojmë që presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk iu bashkua vendeve të perëndimit që vendosën sanksione kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por, në Asamblenë e Përgjithshme Serbia dënoi agresion rus ndaj Ukrainës, duke votuar pro rezolutës të propozuar nga SHBA dhe Shqipëria.

Amendamentit i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

AMENDAMENT I DEPUTETIT

TITULLI : "Për daljen e Shqipërisë nga Ballkani i Hapur".

KËRKUESI: Petrit Vasili Deputet i Kuvendit të Shqipërisë

OBJEKTI:  Projekt-Rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS

DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE”,

BAZA LIGJORE : Neni 99 pika 3 e Rregullores së Kuvendit.

ARGUMENTIMI I PROPOZIMIT.

Në Kuvendin e Shqipërisë është paraqitur për shqyrtim në seancën plenare të datës 7 mars 2022

një Projekt-Rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS

DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE”.

Kjo Projekt Rezolutë paraqitet në një moment shumë kritik të shpërthimit të agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Të gjithë partneret tanë strategjike NATO, BE dhe SHBA kanë mbajtur një qendrim shumë të fortë dhe kane vendosur sanksionet më të forta të para ndonjëherë kundër Rusisë.

Serbia është i vetmi vend europian që nuk ju bashkua këtyre sanksioneve duke demostruar qartë mbështetjen e saj ndaj Rusisë në kundërvënie të plote me të gjithe komunitetin ndërkombëtar euroatlantik edhe pse formalisht Serbia ka hapur negociatat për anetarësim në BE.

Vendosja de facto, por edhe de jure e Serbisë pro agresionit rus në Ukrainë e vë në një pozicion shumë të rëndë Shqipërinë e cila është bërë pjesë aktive e nismës së Ballkanit të Hapur.

Kjo nismë është kritikuar rreptë nga opozita por edhe nga shoqëria civile në Shqipëri sepse ishte një nismë antieuropiane dhe proruse. Koha provoi vërtetësinë e këtyre shqetësimeve madhore. Kjo nismë dëmton rëndë interesat ekonomike të Shqipërisë dhe veçanërisht bujqësinë shqiptare dhe jetesën e mijra fermereve gjë që është provuar realisht dhe ka nxitur reagimin e fortë dhe legjitim të tyre.

Nisma ka qënë një shërbim i madh që qeveria shqiptare i bën projekteve të njohura famëkeqe serbe të Jugosllavisë së re, ndryshimit te kufijve të Kosovës dhe mosnjohjes së pavarësisë së saj.

Ndaj është tërësisht e papranueshme në planin kushtetues, politik dhe moral, vazhdimi i mëtejshëm nga ana e qeverisë të pjesmarrjes në nismën e Ballkanit te Hapur.

PËR KËTO ARSYE:

Në mbështetje  te Nenit 99 pika 3 e Rregullores që percakton se:

"3.  Amendamentet  me  shkrim  për  projektrezolutën  ose  projektdeklaratën  duhet  të  jenë  të regjistruara  në  Sekretariatin  për  Procedurat  dhe  Votimet  të  paktën  24  orë  para  kohës  së  caktuar  për zhvillimin  e  debatit  dhe  t’u  jenë  shpërndarë  deputetëve.  Pas  përfundimit  të  debatit  të  përgjithshëm, autori  i  amendamentit  ka  të  drejtë  të  paraqesë  propozimin  e  tij  për  jo  më  shumë  se  5  minuta  dhe  çdo deputet  ka  të  drejtë  të  diskutojë  deri  në  5  minuta  për  amendamentin  e  paraqitur", ju paraqes Amendamentin e mëposhtëm për t’u shtuar në tekstin e Projekt-Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS

DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE”.

AMENDAMENT:

Duke vlerësuar më shumë shqetësim se:

-Serbia është vendosur qartë dhe publikisht kundër sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Europian dhe SHBA ndaj Rusisë si agresore ndaj Ukraines.

-Në Serbi janë mbajtur demostrime të gjera publike në mbështetje të agresionit të Rusisë në Ukrainë, po kështu edhe mjaft media janë vendosur në mbështetje të hapur të këtij agresioni.

-Ballkani i Hapur është provuar gjërësisht si një veprim politik dhe shtëtëror me pasoja tepër negative për interesat ekonomike të Shqipërisë dhe të individëve e veçanërisht të fermerëve shqiptarë.

-Ballkani i hapur ka pasur një qëndrim të hapur agresiv, te njëanshem dhe diskriminues ndaj Kosovës duke minuar proçesin e njohjes së saj dhe duke i shërbyer objektivit të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë dhe integritetit terrotorial të Kosovës.

-Ballkani i Hapur është demostruar qartë si një veprim politik dhe shtëtëror, që ka krijuar premisa për destabilizim dhe jo unifikim ndaj edhe nuk është mbeshtetur nga Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi.

-Ballkani i Hapur ka krijuar veprime politike të qëllimshme paralele , që kanë minuar në mënyrë tepër të rrezikshme proçesin e Integrimit në Bashkimin Europian, i cili përfaqëson njëherazi edhe garantuesin dhe mbështetësin më të madh politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Duke u shfokusuar dhe devijuar në këtë mënyrë veprimin nga prioriteti madhor dhe i patjetërsueshëm i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, i është hapur rruga realizimit të interesave të përbashkëta, të njohura botërisht, serbo-ruse në Ballkan.

- Ballkani i hapur e vendos Shqipërinë në krahë të Serbisë, e cila është vendosur në mbështetje  të agresionit rus në Ukrainë dhe kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për cdo shqiptar.

Kuvendi i kërkon Qeverisë shqiptare:

Daljen e menjëhershme të Shqipërisë nga Nisma e Ballkanit të Hapur.

Shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve, vendimeve të qeverisë dhe nismave ligjore të marra në kuadrin e Ballkanit te Hapur.

Ndalimin e çdo veprimtarie dhe instrumenti të ngritur në funksion dhe në zbatim të vendimeve dhe akteve, që lidhen me Ballkanin e Hapur.

Ti kërkohet Bashkimit Europian aplikimi i procedurave të përshpejtuara për hapjen e Negociatave për Anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

SI.E./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • NACIONALISTI: 07/03/2022 19:00

    A KA MUNDESI O PUTIN QE TE ENJTEN TJETER ORA 12,, TE HEDHESH NJA DY RAKETA MBI PARLAMENTIN SHQIPTAR,,,TE SHPETOJE POPULLI YNE NGA KETA PALACO-HAJDUTE DEPUTETE E QEVERITARE....

    Përgjigju
    • Hasan Pordha: 08/03/2022 00:06

      Meqe ne aprovuam rezoluten ku denuam agresionin rus kunder Ukraines pergjigjen Rusia e dergoi si fillim shkaterroi ndertesen e ambasades shqiptare por me vone nuk i dihet se cdo te beje

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura