Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se PD do të mbledhë Grupin Parlamentar në ditët në vijim, për të vendosur nëse do të bëhet pjesë e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.

Në një deklaratë për mediat pas daljes nga Kryesia e Kuvendit, Tabaku tha se Reforma Territoriale e miratuar nga PS, nuk kishte si qëllim mirëqenien e qytetarëve, por sipas saj u bë për llogari elektorale.

Ajo tha gjithashtu se e enjtja e kaluar, kur u miratua me 85 vota në Kuvend Reforma Territoriale, ishte një ditë zie për bashkitë që u shkrinë.

“E njëjta kërkesë, me të njëjtën përmbajtje të Komisionit të Territoriales që përfundoi në mënyrë të njëanshme duke hequr 15 bashki të enjten e shkuar, ishte sjellë sërish në seancën e sotme. Për mua veçse është tallje me Kuvendin e qytetarët, është edhe minimumi i seriozitetit që Grupi i PS kishte sot. E enjtja e kaluar ishte një ditë zie, për bashkitë që u fshinë me një të rënë të lapsit. Këta sjellin po të njëjtin përmbajtje të Komisionit të Reformës. Duhet të fillonte puna me kompetencat dhe përgjegjësitë dhe harta duhet të ishte produkt i këtyre ligjeve. Opozita do të ketë mbledhjen e Grupit Parlamentar para seancës, por unë sot mbajta qëndrimin edhe në emër të grupit. Nëse ne ishim në një Komision që nuk i bëri detyrat, nuk e di pse duhet të ulememi në një tjetër komision.

Procesi kishte si qëllim vetëm llogaritë elektorale. Të njëjtin fat kishte edhe reforma e 2014-ës. Unë kam pasur një komunikim të gjatë edhe me Komisionin Europian. Ju patë dje edhe raportin që doli nga Kongresi i Autoriteteve Lokale, që këtë proces nuk e konsiderojnë një proces ligjor dhe sipas praktikës më të mirë të BE-së. Sot në Shqipëri opozita e ka të pamundur të ushtrojë funksionin e saj. Ka një propozim nga shumë kolegë që kërkojnë që ta ndjekim procesin ligjor për ‘Territorialen’ edhe në Gjykatën Kushtetuese. Nesër Grupi do marrë edhe një vendim edhe për këtë. Por ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, i cili u shkel me të dy këmbët nga mazhoranca. Ne duhet patjetër që të jemi nëpër institucione, sepse nuk jemi për PS, por për qytetarët”, tha mes të tjerash Tabaku.


Lajmi kryesor:

‘Territorialja’/ PS kërkon komision të Posaçëm për kompetencat e bashkive, Balla: Edhe në 2014-ën votuam fillimisht për hartën! Opozita ikën nga Konferenca e kryetarëve: Fshitë 15 bashki