Nga godina kryesore e ekzekutivit u ishte drejtuar një ftesë për dialog por magjistratët vendosën që betejën për pagat e tyre ta vijojnë aty ku kishin paralajmëruar, në Gjykatë Kushtetuese. Për prokurorët dhe gjyqtarët, formula e miratuar të enjten nga ligjvënësit ruan në thelb të njëjtin mekanizëm referimi që ishte konsideruar problematik nga Gjykata Kushtetuese.
Përfaqësuesit e magjistratëve, në kërkesën e depozituar këtë të henë në Kushtetuese, ku kërkojnë fillimisht pezullim të formulës së re dhe pastaj shfuqizim, thonë se ligji i miratuar ndër të tjera cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit pasi ruan si referencë pagën e Presidentit të Republikës, të cilën Gjykata Kushtetuese, e ka vlerësuar strukturalisht të papërshtatshme, për shkak se ndryshon rrallë, është e pastrukturuar në elemente përbërëse dhe nuk pasqyron në mënyrë dinamike zhvillimin e kostos së jetesës.
Magjistratët duan si referencë një pagë të administratës publike e cila rritet herë pas here, pasi referuar vendimit të GJK është e vërtetë se Paga e Presidentit nuk rritet shpesh por vetë presidenti ka përfitime të tjera nga funksioni që i kryen, përfitime që nuk mund t’i kenë as gjyqtarët e as prokurorët.
“Gjykata arsyetoi se referenca duhet të mbështetet në pagën e një funksionari që rritet dhe indeksohet periodikisht në përputhje me përmirësimin e kostove të jetesës dhe jo në një pagë që ndryshon rrallë, është e përcaktuar në një vlerë të plotë dhe nuk është e strukturuar në elemente përbërëse, siç rezulton të jetë paga e Presidentit. Ajo vlerësoi edhe se funksioni i Presidentit shoqërohet me përfitime të tjera për përballimin e kostove të jetesës, ndërsa statusi i magjistratit shoqërohet me kufizime të posaçme për sigurimin e të ardhurave të tjera, duke e bërë pagën, si rregull, burimin e vetëm të të ardhurave të tij. Referimi në paragrafin 109 te “ndryshimi që pësoi paga e Presidentit” nuk mund të lexohet i shkëputur nga paragrafi 108 dhe as si autorizim për rikthimin e së njëjtës referencë të papërshtatshme; ai lidhet me masën e rritjes që mund të përdorej si tregues krahasues për riparimin e uljes së fshehtë. Përndryshe, paragrafi 109 do të mohonte arsyetimin kategorik të paragrafit 108 dhe vendimi do të interpretohej në mënyrë të brendshme kontradiktore”, thuhet në kërkesë.
Në kërkesën depozituar në Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve thonë se një tjetër shkak për cenimin e pavarësisë së gjyqësorit është se paga ndryshon vetëm koeficientin nga 0,36 në 0,38, pa provuar, përmes një analize objektive, krahasuese dhe financiare, se ky ndryshim riparon plotësisht uljen e fshehtë të konstatuar në vendim të GJK, rikthen përfitimet që do të buronin nga formula fillestare dhe e vendos pagën në raport të drejtë me rëndësinë, përgjegjësinë dhe dinjitetin e funksionit.
"Për rrjedhojë, qëllimi i kushtetutëbërësit, duke parashikuar në nenin 138 të Kushtetutës një ndalim të tillë të posaçëm vetëm për gjyqtarët, ka qenë që të garantojë një shpërblim të përshtatshëm me rëndësinë dhe dinjitetin e funksionit dhe të mjaftueshëm për të siguruar atë mbështetje financiare të nevojshme që lejon ushtrimin e lirë të funksionit dhe ofron mirëqenien ekonomike dhe sociale që i përshtatet funksionit publik, gjithnjë me qëllim të garantimit të një gjyqësori të pavarur që jep drejtësi sipas parashikimeve kushtetuese e ligjore. Pavarësia e pushtetit gjyqësor është thelbësore për shtetin e së drejtës. Një pushtet gjyqësor i pavarur garanton që askush, përfshirë organet publike, të mos jetë mbi ligjin. Kjo siguron kontrollin e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, duke mbrojtur të drejtat themelore të individit", thuhet në kërkesë.
Me këto argumentet magjistratët thonë se ligji dobëson njëkohësisht pavarësinë financiare të pushtetit gjyqësor, pavarësinë personale të magjistratëve dhe, për pasojë, kushtet materiale për ushtrimin e pavarur e të paanshëm të funksioneve gjyqësore dhe të prokurorisë.
"Cenon parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të garantuar nga nenet 7, 138 dhe 145 të Kushtetutës, pasi: i) ruan si referencë pagën e Presidentit të Republikës, të cilën Gjykata Kushtetuese, në paragrafin 108 të vendimit nr. 15/2026, e ka vlerësuar strukturalisht të papërshtatshme, për shkak se ndryshon rrallë, është e pastrukturuar në elemente përbërëse dhe nuk pasqyron në mënyrë dinamike zhvillimin e kostos së jetesës; ii) ndryshon vetëm koeficientin nga 0,36 në 0,38, pa provuar, përmes një analize objektive, krahasuese dhe financiare, se ky ndryshim riparon plotësisht uljen e fshehtë... iii) nuk garanton ruajtjen në kohë të vlerës reale të pagës, ... iv) lejon vazhdimin e ngrirjes së shënjestruar dhe të uljes së fshehtë të pagës, pa qenë i pranishëm asnjë nga rastet përjashtimore të nenit 138 të Kushtetutës."
Në arsyetim tre shoqatat thonë se Kuvendi me ligjin e miratuar seancën e së enjtes ka cenuar fuqinë detyruese të vendimeve kushtetuese, sigurinë juridike dhe të drejtat e fituara dhe garancitë financiare dhe pavarësia e magjistratëve.
"Standardi kushtetues që rezulton është se fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk kufizohet te dispozitivi, por shtrihet edhe mbi arsyetimin dhe, në veçanti, mbi argumentet thelbësore që përbëjnë ratio decidendi. Asnjë autoritet publik nuk ka kompetencë të rivlerësojë nëse do ta zbatojë ose jo një standard të tillë", thuhet në kërkesë.
Edhe procesi i konsultimeve ishte sipas gjyqtarëve dhe prokurorëve krejt formal pasi ata ishin njoftuar nga komisioni i ligjeve vetëm rreth 40 minuta më herët sesa të mbahej mbledhja.
"Me datë 15.09.2026, gjatë orës 12:30 njoftohemi me email nga Kuvendi se duhet të paraqitemi në komisionet respektive të tij për t’u dëgjuar si subjekt i interesuar mbi amendimet e Ligjit nr. 96/2016. Mbledhjet ishin caktuar nga ora 13:00 e në vijim në dy komisionet respektive", thuhet në kërkesë.
Kërkesa në Kushtetuese u depozitua nga magjistratët, pasi kanë marrë një kërkesë zyrtare nga Kryeministria për dialog. Vetëm pak orë pasi Kuvendi miratonte formulën e re të pagave të magjistratëve, nga godina e qeverisë është nisur drejt institucioneve të drejtësisë një ftesë për një tryezë diskutimi më 28 shtator. Qëllimi sipas ekzekutivit është një skemë e re të piramidës së pagave në drejtësi.
Me formulën e re, tashmë në Gjykatë Kushtetuese, mazhoranca rriti me rreth 8500 lekë pagën referencë të magjistratëve, të cilët thënë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur një rritje minimalisht 80.000 lekë më të lartë, që është 9 herë më e lartë.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë







Komente
Komento