Kuvendi ka miratuar me 73 vota pro dhe 14 kundër Projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”.

Ky projektligj është kritikuar ashpër nga opozita, e cila ka kërkuar nga qeveria të bëjë publike listën e përfituesve. Sipas këtij ligji që mori dritën jeshile pas mesnate në seancën maratonë në Kuvend, të gjitha detyrimet e krijuara deri në 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Janë afro 2 miliardë euro që preken nga kjo nismë e miratuar, nga të cila 1 miliardë euro borxhe që falen automatikisht pasi janë me vjetërsi mbi 10 vite, pa përfshirë detyrimet për sigurimet shoqërore.

Ndërsa borxhet e krijuara si doganore ashtu edhe tatimore nga 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet.

Për detyrimet nga 2015-2020 borxhet do të falen 50% nëse pjesa e mbetur paguhet me një këst brenda qershorit të 2026-ës. Kur ky kusht nuk realizohet do të falet 25% e borxhit nëse pjesa e mbetur prej 75% paguhet me këste mujore deri në fund të dhjetorit të vitit 2026. Në të dyja këto raste gjobat dhe kamatëvonesat thuhet në projektligj do të fshihen.

Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.

Deputeti i PD pati dy amendime, por nuk morën mbështetje me vota.

“Nga fshirja e/shuarja e detyrimeve të parashikuara sipas këtij ligji, nuk përfitojnë tatimpaguesit/subjektet në pronësi/zotërim të të njëjtit individ apo grup individësh, që operojnë subjekte të tjera tatimpaguese, të cilat: Kanë përfituar ose përfitojnë financime publike nga viti 2015 e në vazhdim. Kanë deklaruar bilance pozitive duke paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi që nga viti 2020. Brenda datës 31.01.2027, organet përkatëse publikojnë në faqen zyrtare online të internetit (faqja ëeb) të institucionit, listën e plotë të tre mijë (3000) tatimpaguesve/subjekteve që kanë rezultuar me fshirjen/shuarjen më të madhe të detyrimeve sipas përcaktimeve të këtij ligji. Në cdo rast, në listë të përfshihen të gjithë tatimpaguesit/subjektet të cilëve u është fshirë/shuajtur detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë”, propozoi Bozdo.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Kuvendi i hap rrugën ‘Paqes Fiskale’ e fshirjes së 1 mld € borxhe! Rrëzohen amendimet e Braçes që bizneset përfituese të deklarojnë burimin e të ardhurave! Karton i kuq dhe për opozitën