TIRANE- Gjithë axhendën parlamentare të javës së fundit të nëntorit dhe thuajse të të gjithë muajit dhjetor, do ta zërë diskutimi i paketës fiskale të vitit 2016. Të gjitha komisionet parlamentare do të diskutojnë projektbuxhetin, duke shmangur kështu një sërë ligjesh të rëndësishme, veç atij të pronave që është futur me procedurë të përshpejtuar. Kur diskutimet sapo kanë filluar në Komisionin e Ekonomisë, deputetët kanë shprehur rezervat e para, qoftë dhe në radhët e mazhorancës. Deputeti socialist Ervin Bushati dhe ata të opozitës kërkuan që të rishikohet ndarja që u bëhet makinave si luksoze. Ata kërkuan që ndarja të bëhet në bazë të çmimit dhe markave.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani Ministri i Financave shpjegoi se janë kryer konsultime të gjata edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por edhe nga FMN nuk është përcaktuar një ndarje si më e mira. Kreu i Financave shpjegoi se në vend regjistrimi i makinave është sipas cilindratit, në bazë të të cilit është bërë ndarja e taksimit. Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, kërkoi që Financat të shikojnë edhe një herë ndarjen që u bëhet makinave të luksit, duke sugjeruar që kjo të bëhet në bazë të çmimit. “Sugjeroj që ndarja e makinave të luksit të rishikohet. Në asnjë vend të botës nuk maten makinat luksoze në bazë të cilindratit.

Ndarja duhet të rishikohet në bazë të çmimit, por edhe teknologjisë. Makinë luksoze mund të quhet edhe ajo që ka një cilindrat prej 2000 kubikësh. Prandaj ka ikur si koncept, teknologjia ka avancuar”-tha Bushati. Ndryshimi i ndarjes së makinave luksoze u kërkua edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho. Ai kërkoi që ndarja të bëhet në bazë të markës dhe të çmimit. Ministri i Financave shpjegoi se ndarja nuk mund të bëhet në bazë të markave të makinës, pasi çmimet e blerjes nëndeklarohen.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)