Me 73 vota pro Kuvendi ka votuar rezolutën për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ndryshe nga herët e kaluara kur forcat politika të majta dhe të djathta janë bërë bashkë për një kauzë kombëtare, siç është anëtarësimi në BE, PD dhe LSI bojkotuan punimet e Kuvendit sot, ku në axhendë ishte pikërisht rezoluta e propozuar nga maxhoranca.

Dokumenti inkurajon vendet e BE për një vendimmarrje pozitive në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të unionit 27 anëtarësh, në muajin qershor, si dhe i kërkon qeverisë shqiptare të përmbushë reformat e kërkuara nga Brukseli.

"Akt i pashembullt pabesie dhe tradhtie ndaj këtij vendi", e quajti kryeministri Edi Rama bojkotin e Kuvendit nga pakica, ndërsa tha se PD bëri atë që s'e ka bërë asnjë forcë politike në këto 27 vite. Sipas tij, kjo sjellje e opozitës është në vijim të qëndrimit të saj për bllokimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit në muajin qershor. Rama nuk kurseu kritikat në adresë të demokratëve duke i akuzuar për pabesi dhe tradhti kombëtare ndaj vendit.

"PD ka në program testamentin e Esat Pashës"

Akt i pashembullt pabesie dhe tradhtie ndaj këtij vendi. Një forcë e tërë e organizuar dhe e votuar që sillet si të ishte jo PDSH që lindi me thirrjen e duam shqipërinë si gjithë europa, po si të ishte forcë që për proggram ka testamentin e Esat Pashës, kjo është e pabesueshme. Dhe pyetje është shumë e thjeshtë: Të jetë vallë arsyeja e pushtetit? Ambicia e verbër për t'u rikthyer në pushtet? Nuk mjafton. Është shumë e vështirë që të thuash që po kjo është dhe s'ka tjetër.

Por nuk është ky thelbi, nuk mund të jetë ky motivi që pa u mbushur ende një vit nga zgjedhjet, një forcë e tërë poituike alternative të transformohet dhe punon për shkatërrimin e një segmenti rruge që është rruga e shqiptarëve, jo rruga e PS-së, jo e një pjese, është rruga e shqiptarëve: Negociatat! Çelja e negociatave, janë një problem shumë i madh për ta dhe jo thjesht për arsye se duke u çelur negociatat, qeveria dhe shumica jonë me gjasë do të marrë një energji të re besimi dhe mbështetje, negociatat janë një problem shumë i madh për ta, sepse duke i çelur mbaron përfgundimisht historia e pandëshkueshmërisë, duke u çelur negociatat, vendi kalon nga një fazë ku mjaftonte të bënte ndrushimin e kushtetutës, të të gjithë arkitekturës së sistemit të drejtësisë, të ligjeve që grantojnë pastrimin e drejtësisë, në një fazë ku vendi duhet të tregojë se prokuroria e pastruar nga Vettingu, Gjykata e pastruar nga Vettingu funksionojnë si një pushtet që nuk i ndan njerëz në të fortë dhe të dobët, të pasur e të varfër, të pushtetshëm e të pazëshëm, por si një pushtet ku gjithkush që ka shkelur ligjin, ka kryer akte në dëm të interesave publike, gjithkush që ka prekur pasurinë e shqiptarëve, të ndëshkohet.

Ky është themeli i të gjithë kësaj përpjekje në mes të europës në kulmin e këtyre përpjekjeve të cilat janë strategjike edhe për një arsye tjetër sepse kty vit është themelor në këtë Europë që lëkundet nga presioni i forcave dhe grupimeve që janë kundër saj. Vitin e ardhshëm, sot një vit janë zgjedhjet nëe Europë, ndryshon PE dhe askush nuk di ta thotë sesa shumë do ndryshojë për keq në drejtimin që na intereson ne, ndryshon KE, s'e dimë sa do jetë i prirur që të vazhdojë punën e KE të sotëm që është një komision proeuropianizmit.

Historia jonë e negociatave mund të shtyhet pafundësisht dhe midis vrasjes së kësaj ëndërre, varrosjes së saj dhe rritjes së mëtejshme të pasigurisë të më rinjve, lidhur me çfarë vendi do të jetojnë nesër në Europë apo në ndonjë vend jashtë Europës, prej frikës së tyre nga drejtësia, ambicies së verbër për pushtet dhe shurdhërisë së tyre për të dëgjuar zërin e arsyes kombëtare, këta zgjedhin frikën, zgjedhin ambicien e verbër dhe shurdhërinë e zërit të rinisë shqiptare.

Hera e parë që një parti politike braktis kuvendin kur do votohej rezoluta për anëtarësimin e Shqipërisë. Kur ishim në opozitë, PS votoi në unanimiet me PD-në në qeveri, rezolutën.

Edi Rama, kryeministër

PROJEKTREZOLUTË

“PËR REKOMANDIMIN E KOMISIONIT EVROPIAN

PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE TË ANËTARËSIMIT

MIDIS BASHKIMIT EVROPIAN DHE SHQIPËRISË”

Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe duke marrë në konsideratë rolin e Kuvendit të Shqipërisë si organi më i lartë ligjvënës dhe kontrollues;

Në respekt të mbështetjes së gjerë popullore për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian;

Duke riafirmuar se objektivi strategjik i Republikës së Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Europian;

Duke riafirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për të respektuar vlerat mbi të cilat ndërtohet Bashkimi Europian dhe vendosmërinë tonë për zhvillimin e një shoqërie demokratike bazuar në sundimin e ligjit, respektin për të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe parimet e ekonomisë së tregut;

Duke theksuar vendosmërinë tonë për konsolidimin e një kuadri ligjor tërësisht të përputhur me legjislacionin e Bashkimit Europian, dhe të një administrate publike eficente për zbatimin e këtij legjislacioni;

Duke vlerësuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian dhe se bashkëpunimi rajonal është pjesë e pandarë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian;

Duke nënvizuar rëndësinë gjeo-politike të procesit të zgjerimit si për shtetet kandidate apo kandidate potenciale, ashtu edhe për vetë Bashkimin Europian;

Duke vlerësuar mbështetjen që Bashkimi Europian  ka dhënë për Shqipërinë për forcimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik dhe social;

Me bindjen se përparimi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, bazohet në meritë, në përputhje me reformat dhe arritjet konkrete;

Duke besuar plotësisht se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të kontribuojë në zhvillimin e gjithanshëm të Republikës së Shqipërisë, në forcimin e sigurisë kombëtare, në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë;

Duke marrë në konsideratë zbatimin e mirë dhe të qëndrueshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane dhe Shteteve të tyre Anëtare;

Duke marrë në konsideratë përparimin e bërë nga Shqipëria në plotësimin e rekomandimeve kyçe të Komisionit Europian;

Duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave si konfirmim të përparimit të bërë nga Republika e Shqipërisë;

Duke marrë në konsideratë se rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit është një nxitje për të përshpejtuar reformat e gjithanshme, dhe në veçanti reformën në drejtësi;

Duke marrë parasysh rekomandimet e Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim Asocijimit Shqipëri-BE;

Duke marrë në konsideratë reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit europian si reforma në drejtësi dhe reforma të tjera për konsolidimin e funksionimit të shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut;

Duke marrë në konsideratë faktin që dialogu politik, i realizuar nëpërmjet gjithëpërfshirjes dhe transparencës, është element kyç për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian;

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Mirëpret Raportin e Komisionit Europian të vitit 2018 për progresin dhe shkallën e përgatitjes për anëtarësim të arritur nga Shqipëria;

Vlerëson rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, si njohje të qartë të arritjeve të Shqipërisë në ndërtimin e shtetit të së drejtës, e specifikisht në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën në administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut;

 

I bën thirrje njëzëri vendeve anëtare të BE-së që të marrin vendimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, si fillimi i një rruge për shndërrimin e mëtejshëm europianizues të vendit, me vetëdije se kjo do të jetë një rrugë e vështirë dhe e gjatë, por se hapja e negociatave do t’i japë shpresë dhe orientim këtij rrugëtimi.

Shpreh vullnet të plotë për të ecur në rrugën e reformave në frymën e mirëkuptimit ndërpartiak dhe në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile;

Thekson se angazhimi i qëndrueshëm për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare përbën përparësinë kryesore të punës së Kuvendit të Shqipërisë, të qeverisë dhe të institucioneve të tjera;

Angazhohet të shqyrtojë me prioritet projektligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian apo kanë rëndësi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian;

I kërkon Qeverisë të thellojë dhe përshpejtojë ritmin e reformave të ndërmarra, veçanërisht të reformave që lidhen me sundimin e ligjit;

I bën thirrje Qeverisë që rekomandimet e Paketës së Zgjerimit 2018 të shërbejnë si udhëzues në përpjekjet për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian;

Angazhohet që të përdorë çdo instrument të diplomacisë parlamentare në funksion të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian;

Angazhohet që të zhvillojë dhe forcojë më tej aktivitetin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, për rritjen e transparencës në procesin e integrimit europian nëpërmjet gjithpërfshirjes së aktorëve pjesëmarrës;

I kërkon Qeverisë shqiptare që të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të zgjerojë pjesëmarrjen në nismat rajonale;

I kërkon Qeverisë që të zgjerojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit duke përmirësuar hartimin dhe zbatimin e projekteve të ndërlidhshmërisë;

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:18
Apeli i fortë i Ramës: Kush nuk i do negociatat me BE, të shkojë në protestën e opozitës

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar protestuesit e opozitës se tubimi i thirrur nga PD dhe LSI është një skenar kundër çeljes së negociatave me BE.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë tha se kush nuk do që Shqipëria të çelë negociatat e anëtarësimit, le të shkojë në protestën të shtunës.  

Kjo bëhet për të shkatërruar në minutat e fundit rrugën për çeljen e negociatave. Çdo shqiptar që nuk i do negociatat duhet të shkojë në protestë, të shkojë dhe të mos lëvizë që aty derisa t'ia arrijë qëllimit që negociatat të mos hapen. Kush i do negociatat, duhet ta dijë se nesër padashje shkon aty për të  kundërtën.

Edi Rama, kryeministër

Ora 12:14
'Xhafaj', Rama: Ekspertizë ndërkombëtare për Audio-përgjimin e PD, unë e di rezultatin

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Agron Xhafaj nuk është pjesë e audio-përgjimit të publikuar nga PD, ku demokratët pretendojnë se aty është zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm, si i implikuar në trafikun e drogës.

Rama deklaroi në foltoren e Kuvendit se audio-përgjimi i PD do t’i nënshtrohet një ekspertize nga laboratorë shkencorë ndërkombëtarë, duke shtuar se përgjigjja do të jetë një tallje e madhe për PD.

Nuk bëhet fjalë për opinion, por për një fakt, për një provë konkrete. Këtë nuk ka nevojë ta thotë askush këtu në Shqipëri, është qesharake se ajo që thashë, e përsëris prapë, unë e di rezultatin se e kam kërkuar që atë ditë. Ai që thotë se ‘prokuroria e kapur prej tij’, Prokuroria thjesht duhet ta çojë atë material.

Nuk është çështje opinioni, është me barrë, s’është me barrë, apo ka jastëk brenda, këtu është çështje faktesh. Kjo është një histori banale dhe ai përgjimi është pa lidhje fare me personin e akuzuar. Historia mbas përgjimit është akoma më e hatashme, e shikoni janë vetëm aktorë, luajnë rolin. Kam shumë shpresë që të dalin nga hetimi skenaristë, regjisorë dhe producentë.

Historia është shumë herë më seriozie nga se duket, megjithatë t’ia lëmë prokurorisë. Të vijë përgjigja e analizës shkencore, nga laboratorë shkencorë ndërkombëtarë, kaq.

I bëj një pyetje shumë të thjeshtë të gjithë atyre, që hedhin akuza se ju doli që vëllai i ministri qenka trafikant droge: Çfarë do mendoni për veten tuaj, kur këtë që unë them, kur të mësoni se bëhet fjalë për një tallje të madhe me të gjithë ju. një tallje e madhe që synon destabilizimn e vendit.

Si do ju duket vetja pasi të dilni në protestë, kur të mësoni se keni dalë në protestë njëlloj siç shkohet në kinema, për të marrë dhe duartrokitur një film për të mbushur sallën e kinemasë. Zgjedhja është e lirë, secili bën atë që do. Video-përgjimi është i fabrikuar si një video-përgjim i dikujt që nuk është fare aty, e gjitha kjo bëhet për të shkatërruar rrugën drejt BE.

Kryeministri Edi Rama