Ashtu siç ishte paralajmëruar nga opozita, seanca e sotme është shoqëruar me tensione të forta dhe bllokim të foltores së Kuvendit. Deputetët e opozitë kanë bllokuar për më shumë se një orë zhvillimin e seancës, duke mbajtur peng foltoren dhe duke transmetuar fjalimet e tyre live në 'Facebook'.

Opozita tregoi hapur sot se është kundër integrimit të Shqipërisë në BE, teksa braktisi sallën e Kuvendit, në një moment shumë të rëndësishëm, kur do diskutohej pr/rezoluta e KE për integrimin e vendit tonë. PD dhe LSI u larguan nga seanca kur do të diskutohej Raporti i Këshillit të Ministrave “Mbi gjetjet dhe rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2018” (pdf) (neni 18, pika 2, ligji nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”

Ftoj sot të gjithë shqiptarët të bashkohen në protestën më të madhe kombëtare të shtunën, më 26 maj, në orën 11:00. Ne nuk mund të humbasim më kohën tonë çdo ditë, duke u marrë me kriminelin e radhës që servir Rama. Ta mbyllim njëherë e mirë këtë kapitull dhe të hapi kapitujt e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë.

Lulzim Basha, kryetar i PD

 Shqiptarët më 26 maj të jenë në bulevardi për t'i thënë Ramës se janë kundër qeverisë së drogës. Protesta është atje, ne udhëhiqemi nga qytetarët. Ne jemi peng i qytetarëve, do bëjmë ç’të na kërkojnë ata.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI

Tensionet nisën që në fillim të seancës, kur Basha mori fjalën për procedurë dhe pasi i mbaroi koha, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e ndërpreu. Kjo ka irrituar deputetët e opozitës, të cilët kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe kanë shpalosur në sallë një banderolë të madhe, ku shkruhej: 'Shqipëria si gjithë Evropa, jo qeveri të krimit dhe drogës'.

Nuk i caktova unë deputetët e kryetarët e bashkive, trafikantë, kriminelë, përdhunues, por i bëri Edi Rama. Të vërtetës nuk i ikën dot as ti, as Xhafaj dhe as qeveria juaj e lidhur kokë e këmbë me krimin. Ke humbur totalisht arsyen për të shpëtuar Fatmir Xhafajn. Vëllai i tij u largua me ndihmën e policisë. Ky është një veprim skandaloz. Ai u largua 10 orë pas përgjimit, kjo është prova. Fatmir Xhafaj dhe Rama ofruan gjithë infrastrukturën për ta pritur natën në Prokurori dhe për ta larguar. Fatmir dhe Agron Xhafaj funksionojnë si kokat e një familjeje kriminale.

Sot shteti ka rënë, pasi shkelet Kushtetuta për të mbrojtur Agron Xhafajn, shkelet ligji Antimafia, që u miratua për t’i dhënë garanci BE se Shqipëria do të kishte vullnetin për të goditur krimin dhe pasuritë e krimit. 

Nëse dikush dyshohet, ka indicie, se është pjesëtar i krimit të organizuar apo se merret me trafik droge, pasuritë e tij dhe të familjarëve të tij verifikohen, sekuestrohen, dhe nëse nuk justifikohen, konfiskohen, thotë ligji Antimafia, që ka për qëllim të shkatërroj krimin e organizuar. Fatmir Xhafaj duhet t’i nënshtrohet kontrollit të pasurisë. Ministri është në parim subjekt i ligjit Antimafia, sepse vëllai i tij nuk është thjesht i dyshuar si trafikant droge, por është i dënuar si anëtar i një organizate ndërkombëtare, si një nga krerët e një organizate droge. 

Edi Rama, ti je pengesa e vetme për hapjen e bisedimeve për integrimin në BE. Dy vjet më parë miratuam Reformën në Drejtësi, që kriminelët të dalin para drejtësisë, por sot po bëhen përpjekje gjigante që Tahiri të shpëtojë pa u lagur, ose duke u njomur fare pak, duke ju bërë presion gjyqtarëve e prokurorëve. Fatmir Xhafaj po përdor shtetin për të shpëtuar vëllain dhe lëkurën e vet. Rama merret vetëm me mbrojtjen e kriminelëve. Vendi është pa qeveri, Rama ka sjellë në Parlament e në çdo zyrë kriminelë. Nëse Fatmir Xhafaj do kishte nj fije nder duhet ta kishte çuar në burg vëllain e tij dhe t’i nënshtrohej ligjit Antimafia. Nëse do ishim sadopak si Maqedonia, Prokuroria do kishte marrë menjëherë në pyetje Xhafajt, Ramën. Por Arta Marku u zgjodh në shkelje të Kushtetutës.

Lulzim Basha, kreu i PD

Në fjalën e tij në nisje të seancën, Lulzim Basha ju dha një këshillë deputetëve të LSI, të cilët kërkuan zbatimin e rregullores së Kuvendit. Basha tha se nuk mund të zbatohet rregullorja nga një Parlament që ka shkelur Kushtetutën. 

Këshillë për LSI dhe deputetët e saj, që duan të zbatohet rregullorja, me një Parlament që ka shkelur hapurKushtetutën, është njëlloj si t’i kërkosh krimit të marrë përsipër rendin dhe sigurinë. Kodi Penal ka rënë, ligji Antimafia ka rënë, ligji për Vettingun e Policisë ka rënë, sa kohë në ato karrige janë ulur Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama, të cilët janë zbuluar para gjithë shqiptarëve e botës si hartuesit dhe zbatuesit e një skenari kriminal, që ka për qëllim të mbulojë veprimtarinë kriminale të Xhafajt në ndihmë të vëllait të tij, që është koka e drogës në Vlorë. 

Lulzim Basha, kreu i PD

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:29
Deputeti 'rebel' s'i bindet sërish Kryemadhit, nuk bojkoton Kuvendin

Deputeti i LSI, Robert Bitri nuk i është bindur as këtë të enjte vendimit të grupit parlamentar për të bojkotuar punime te Kuvendit.

Ai ka qëndruar në sallë kur deputetët e PD dhe LSI kanë lënë ulëset, madje edhe ka votuar projektligjet e rendit të ditës si dhe rezolutën për anëtarësimin në BE.

Vota e Bitrit pro rezolutës është e vetmja nga opozita e cila krijoi një precedent duke mosbashkuar votat me maxhorancën për një kauzë kombëtare siç është integrimi në BE. 

Ora 11:14
Kryemadhi thirrje qytetarëve jashtë Kuvendit: Bashkohuni të rrëzojmë monstrën!

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen më 26 maj në shesh, në protestën e opozitës kundër qeverisë.

Jashtë dyerve të Kuvendit, pas largimit të opozitës nga seanca plenare, Kryemadhi deklaroi se shqiptarët nuk kanë më shpresë dhe të ardhme me këtë monstër të prodhuar nga bandat dhe trafiku i drogës, ndërsa shtoi se Rama ka mbetur totalisht i vetëm.

Të gjithë e shikojmë se nuk ka asnjë lloj shprese për të pasur se kjo mazhorancë e kapur mund të ndryshojë. Kjo mazhorancë ka frikë nga çdo gjë që jo vetëm e dëshirojnë deputetët e opozitës, por edhe për ato që dëshirojnë qytetarët. Sot tregoi sërish se nuk ka më shpresë për qytetarët shqiptarë.

Nuk ka më shpresë dhe të ardhme me këtë monstër të prodhuar nga bandat dhe trafiku i drogës, që kanë denigruar dhe depersonalizuar qytetarët. Sot ngjarja në Kuvend tregon se nuk ka më asnjë zgjidhje, por e vetmja është jo etëm dalja në rrugë, por përmbushja e çdo segmenti kriminal që ka uzurpuar institucionet tona.

Rama ka mbetur vetëm, një tellall i dalë boje. Është i vetëm jo vetëm në kauzën e tij narkomane, por edhe në përballjen me drejtësinë, që do ta bëjnë shqiptarët. Mos ndaloni dhe ju gazetarët në asnjë moment që të vazhdoni thirrjen për shqiptarët, që më 26 maj të jenë në bulevardi për t'i thënë Ramës se janë kundër qeverisë së drogës. Protesta është atje, ne udhëhiqemi nga qytetarët. Ne jemi peng i qytetarëve, do bëjmë ç’të na kërkojnë ata.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI