Kuvendi flet për hallet e popullit! Hajdari-Gjoni: Rama-Basha flirt, por ne do fundosim pazarin e 2008 (VIDEO)

TIRANE-Me ndryshimet e reja në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë është përcaktuar të mbahet një seancë plenare një herë në muaj për të diskutuar për problemet e evidentuara nga qytetarët. Dhe pikërisht seanca e pasdites së sotme ishte përcaktuar si e tillë, por që nuk arriti që të mbante dot larg temat e nxehta të aktualitetit politik. Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni ritheksuan edhe njëherë se do të vijojnë që të luftojnë deri në fund për ndryshimin e sistemit të ri zgjedhor.

Ndërkohë që shumica u ndal te dëmet që shkaktoi tërmeti dhe masat e ndërmarra nga qeveria. Ministrja Olta Xhaçka tha se lajmi i mirë është që për rikuperimin dhe rindërtimin e çdo banese të prekur është çelur tashmë një fond i posaçëm.

"Vendi u godit nga një tërmet që tronditi jo pak qytetarët në Tiranë dhe në Durrës. 154 persona të lënduar me dëmtime të lehta, por qindra banesa. Tre pallate u bënë të pabanueshme. Jam shumë krenare që reagimi i shtetit ishte i një reagimi tjetër, ndryshe nga e shkuara. Shteti ka qenë në këmbë. Dua të garantoj gjithë familjet e prekura që fondet dhe asistencat do ua dërgojmë për rehabilitimin e situatës. 

Lajmi i mirë është që për rikuperimin dhe rindërtimin e çdo banese të prekur është çelur tashmë një fond i posaçëm, ku po kontribuojnë përveç qeverisë dhe institucioneve, edhe shumë biznese e individë apo edhe donatorë të huaj, të cilët janë angazhuar për dhënien e fondeve të cilat sot nuk mund të specifikohen ende, për shkak se procesi është në fillimet e tij.

Por duke parë ecurinë e mbledhjes së fondeve jam shumë optimiste që ashtu siç vepruam në Korçë, edhe në Tiranë e Durrës do të arrijmë të rikuperojmë çdo dëm,  t’ju rikthejmë qytetarëve banesat" u shpreh Olta Xhaçka.

Fjala e ministres Olta Xhaçka në Kuvend

VIDEO/Seanca plenare

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:20
Manastirliu në Kuvend: Shëndetësia përballoi me sukses situatën pas tërmetit

1563472948_manastirliu.jpg
Mbi 1500 thirrje për ndihmë në 24 orët e para pas tërmetit janë pritur nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastarliu duke vlerësuar punën e Urgjencës Mjekësore tha se u kryen rreth 220 misione në Tiranë dhe Durrës, pas tërmetit që goditi vendin.

“Doja të veçoja punën e bërë nga Urgjenca Kombëtare Mjekësore, në situatën pas tërmetit. Mbi 1500 thirrje për ndihmë u përballuan në 24 orët e para pas tërmetit nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Janë kryer rreth 220 misione shpëtimi me autoambulancë vetëm në zonën Tiranë - Durrës. Shërbimi i Urgjencës Kombëtare ka qenë në gatishmëri me 25 autoambulanca me te gjitha mjetet e nevojshme në zonat e prekura nga tërmeti. Efikasiteti i tyre ka qenë shembullor si në kohë ashtu edhe në dhënien e ndihmës”, u shpreh Manastirliu.

Duke theksuar se 105 qytetarë kanë marrë shërbim mjekësor pas tërmetit, Manastirliu vlerësoi edhe punën e strukturave të Shërbimit Social Shtetëror në mbështetjen me veshmbathje, ushqime, këshillim psiko-social, duke bërë në të njëjtën kohë dhe identifikimin e familjeve më të prekura.

“Strukturat tona të shërbimit social kanë qenë në terren, për të ndihmuar dhe mbështetur familjet e prekura nga tërmeti. Në bashkëpunim me strukturat vendore është bërë e mundur evakuimi i familjeve në rrezik dhe ndërkohë vijon shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë. Do të kryhet identifikimi i çdo familje në nevojë, në mënyrë që cdokush të marrë shërbimin e duhur jo vetëm shëndetësor, por edhe atë social”, tha ministrja Manastirliu në Kuvend.

Ora 20:08
Deputeti flet për fshatra shqiptarë të aneksuar nga Greqia, acarohet Karamelo: Distancohuni!

Deputeti Kostaq Papa, i opozitës se re, i cili ka hyrë në Parlament nga lista e partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, kritikoi qeverinë për reformën territoriale, që sipas tij nuk ndihmon fshatrat shqiptarë brenda kufirit grek.

"Meqë para meje ishte ministrja e Infrastrukturës e këshilloj që të rishikojë edhe njëherë tunelin e rrugës së Sarandës, sikur edhe me vjedhje të jetë ai të bëhet, se ju keni për t'i vjedhur paratë, por të bëhet, se nga ai përfiton edhe Çamëria.

Ju shkatërruat Leskovikun. Si do të ndihmoni fshatrat shqiptare matanë kufirit, Konicës, Gramozit, Delvinaqit, çfarë do u thoni atyre, që do i ktheni në etni shqiptare sikur kanë qenë dhe janë prej shekujsh. Edhe marrëveshja që ofruat për detin ishte po aq tradhtare sa e para" tha ai.

Por Ligoraq Karamelo, që mbron të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri reagoi ashpër duke kërkuar që gjuha e përdorur nga Papa të dënohet. "Të distancohemi nga parafolësi nga përdorimi i disa shprehjeve që tingëllojnë anakronike. Si mund të flitet sot për fshatrat të aneksuara që i përkasin një shteti tjetër europian. Janë cështje të ndjeshme dhe sensitive, deputeti ka të drejtë të thojë ctë dojë, por jo të acarojnë situatën" tha ai.

Ora 19:54
Myslim Murrizi: Mendova se do flisni për tërmetin e Çim Pekës apo të Damianit, ju u morët me tërmetin e Zotit

Deputeti Myslim Murrizi u shpreh se dëgjoi deputetët, teksa folën për tërmetin që ra në Shqipëri, ndërsa mendonte se do të flisnin për tërmetin e Çim Pekës (referuar lajmit Fake News që shpërndau portali që ai drejton) apo të Damian Gjiknurit, e jo për një tërmet që e ka në dorë Zoti. "Unë mendova se do flisni për tërmetin e Çim Pekës apo të Damianit, por ju u morët me  tërmetin e Zotit" tha ai.  

Ora 18:32
Ralf Gjoni: Rama-Basha flirt! Flini të qetë, ne nuk do të lejojmë pazar të fshehtë

Deputeti opozitar Ralf Gjoni u shpreh nga foltorja e Kuvendit se kryeministri Rama dhe Lulzim Basha po flirtojnë për të bërë një pakt të fshehtë, por garantoi qytetarët se opozita nuk do ta lejojë një pazar në kurriz të qytetarëve. Ai tha se opozita do të përgatisë në ditët në vijim draftin për reformën zgjedhore.

"E kam fjalën për tërmetin që lidhet me reformën në drejtësi që do të finalizohet me reformën zgjedhore. Shumë qytetarë më thonin se nuk ishin kaq të shqetësuar për tërmetin që ra, por për ndonjë marrëveshje të mundshme që mund të bëjnë këta të dy. Të gjithë më pyesin; hë more Ralfi do të bëjnë marrëveshje? E kanë hallin nëse këta të dy do të bëjnë marrëveshje. Këta të dy po flirtojnë për momentin. I shqetëson fati i ndonjë pazari të pistë. Unë u thashë mos keni merak se përsa kohë do të jemi ne nuk do të ketë marrëveshje.

Cdo zgjidhje përsa i përket reformës zgjedhore do të kalojë nga komisioni i reformës me votat tona ose jo. Nuk do të ketë asnjë marrëveshje, pazar, pa filluar ndëshkimi i krimit elektoral. Nuk do të ketë asnjë marrëveshje flijeni mendjen, rrini të qetë. Ata duan, por nuk kanë për t'i lënë. Shqipëria është në rrugë të sigurt. Reforma zgjedhore nuk përfshin vetëm rekomandimet e OSBE-së, por edhe probleme të tjera. Blloku opozitar do të vijojë në vijim përgatitjen e drafteve në funksion të ndryshimit të sistemit zgjedhor" tha ai.

Ora 18:31
Spiropali: Duhet të kthejmë sytë nga varfëria ekstreme

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali u shpreh nga foltorja e Kuvendit se duhet të kthejmë sytë nga varfëria për ta luftuar.

Emergjencat civile ishin me sytë nga qytetarët pas 21 shtatorit. Kjo situatë më detyron ta përdorë këtë foltore si një tribunë për të përçuar zërin e qytetarëve sidomos atyre të Tiranës pas tërmetit.

Në këtë situatë dalluan mjekët, policët, ishte një tërmet i fuqishëm thuhet më i fuqishëm në 40 vitet e fundit, por fatmirësisht s’kishim humbje jetësh njerëzore.  U ngritën kampe emergjencash e çadra, në zonat e prekura.

Është detyra jonë të bëjmë diferencën e madhe për të çrrënjosur varfërinë, që në raste të tilla si tërmeti. Përveç solidaritet në tërmet, ne duhet të kthejmë sytë nga varfëria ekstreme për ta luftuar atë deri në qelizë”, u shpreh ajo.

Ora 18:19
I përjashtuar nga LSI-ja, Lefter Koka kritikon opozitën: Paragjykon gjithçka! Po i bën presion konstant qeverisë

Deputeti Lefter Koka, i përjashtuar nga LSI-ja pasi nuk prangoi që të digjte mandatin në shkurt të këtij viti, kur opozita doli në rrugë, ka kritikuar në seancën e sotme plenare sjelljen e PD-së dhe LSI-së.

"Në fakt doja të ndaja thjeshtë dhe vetëm një shqetësim, ky sot është një fenomen global, migracioni, emigracioni drejt vendeve më të zhvilluara, përqendrimi i kapitalit në pak njerëz dhe kalimi i aseteve shtetërore te privatI.

Në shumë vende të Europës bashkëpunimi pozitë-opozitës është i vijueshëm për të vendosur disa ekuilibra të vështirë, tek ne ndodh ndryshe. Kemi parë opozitën jashtë parlamentit, ku shpesh kërkon të paragjykojë gjithcka, të mbajë në presion konstant qeverinë, nuk besoj se i shërben pikave që diskutuam. Largon vëmendjen te ky realitet i pranishëm edhe në Shqipëri.

Kemi parë Babalen apo denoncimet për zgjedhjet e 2017, po ju garantoj një gjë, që e ka shumë të pamundur ai punonjësi i policisë, që t'i heqë PD-së 200 mijë vota. Sjellja e liderave të PD-së në qershor përcolli një perceptim te elektorati i djathtë......" tha ai.

Fjala e tij nuk u dëgjua e plotë deri në fund, pasi kryetari i Kuvendit, ashtu sikur veproi thuajse më të gjithë deputetët i ndërpreu fjalën, pasi kaloi kohën e përcaktuar.

Ora 17:54
Xhafaj: Qeveria të bëjë transparencë dhe strategji! Të ndëshkohen ata që bënë pazar klikimesh me tërmetin

Ish-ministri i Brendshëm dhe deputet i PS-së, Fatmir Xhafaj kërkoi që qeveria të bëjë transparencë lidhur me dëmet që janë shkaktuar, ndërsa kërkoi edhe hartimin e një strategjie për zonat që janë më problematike. Ai foli edhe për panikun që krijoi fake news-i i portalit Syri.net duke kërkuar ndëshkim. 

"Po ndjek me interes masat e marra nga qeveria pas tërmetit. E vlerësoj të domosdoshme një transparencë më të mirë pasojat e tërmetit, si një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe pasqyra serioze përballë mundësisë së abuzimit. Jemi në kohë ta bëjmë nëse duam të jemi seriozë me njerëzit.

Gjatë kësaj jave pamë të shfaqej edhe marrëzia e zakonshme politike për të bërë politikë me tërmetin dhe ca më keq akoma çmenduria e një pjese të vogël të medias për ti shërbyer padronit politik apo edhe për të bërë pazar klikimesh në tregun mediatik. Ka ardhur koha që përmes fuqisë së ligjit akte të tilla të ndëshkohen. Kjo është përgjegjësi ndaj njerëzve, por edhe një mësim i mirë për përgjegjësinë ndaj të vërtetës, si detyrim me interes publik.

Tërmetin nuk mund ta parashikojmë por dëmet mund ti parandalojmë, qeveria duhet të përgatisë një strategji të qartë reflektimi me një plan serioz reflektimi. Duhet dokumentim shkencor i vendit, harta sizmike, zonat problematike. E kemi të domosdoshme ngritjen e institucioneve shkencore, kontrollin e ndërtimeve, lejet e paligjshme. Tërmeti na paralajmëroi ne duhet të veprojmë se nesër mund të jetë shumë vonë" tha Xhafaj.

Në datën 22 shtator, fill një ditë pas tërmetit të fuqishëm 5.8 ballë që tronditi vendin, portali Syri.Net publikoi lajmin e së orën 23:30 do të binte një tjetër tërmet i fuqishëm duke i paralajmëruar qytetarët të dilnin nga shtëpia.

Kjo gjë solli panik në Tiranë dhe Durrës, ku të gjithë qytetarët dolën në rrugë të frikësuar. Publikimi i këtij lajmi, që shfrytëzoi gjendjen e qytetarëve, u dënua nga qeveria, ku u shoqëruan në polici disa gazetarë të Syri.Net dhe gazetarja Daniela Grica e "Shekullit".

Ora 17:42
Problemet e studentëve/ Deputeti Musai: Taksa për librat të bëhet zero!

1569858194_Nimetmusai.jpg
Nimet Musai, pjesë e grupit të pavarur parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë i kërkoi qeverisë që të hiqte taksën 20% për blerjet online për librat. "Do të bëj një kërkesë, ndryshimin e pragut të taksimit për blerjet online kur produkti janë librat. Të përjashtohen librat nga 20%, taksa të jetë zero. Unë dua ti ndihmoj studentët, ky ndryshim nuk i kushton shtetit më shumë se 100 mijë dollarë" tha ai.  

Ora 17:30
Reforma Zgjedhore/ Rudina Hajdari: Do luftojmë për ndryshimin e sistemit

Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari edhe në seancën e sotme e vendosi theksin te tryeza e OSBE-së për reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit elektoral. Ajo tha se kjo është beteja e opozitës parlamentare, për të zhbërë marrëveshjen e 2008 në mënyrë që mos vendosin më dy njerëz për deputetët në Kuvend, por qytetarët.

"Rregullorja e re ka sjellë këtë risi, që në një seancë të flasim për zgjedhësit tanë. Jo shumë larg, javën që kaloi udhëhoqëm një tryezë gjithëpërfshirëse me shumicën, partitë jashtë parlamentit dhe shoqërinë civile për ndryshimin e sistemit. Kjo është beteja e drejtë, është momenti i duhur për të ndryshuar sistemin për të parë një kuvend që përfaqëson më mirë Kuvendin. Edhe socialistët ti bashkohen. Marrëveshja e 2008 është ajo që opozita parlamentare do të zhbëjë dhe të fundosë në fund të historisë, pasi ka mbajtur vendin peng, pasi 2-3 individë nuk lëshojnë pe. Kjo kauzë e drejtë do të marrë udhë, do të luftojmë deri në fund.

Ne duam të ndalojmë të inkriminuarit nga pushteti, të ndëshkojmë ata kryetarë partish që kanë futur njerëz të lidhur me krimin dhe e kanë çuar cilësinë e deputetit në një nivel që nuk e ka parë në 30 vitet e fundit. Reforma zgjedhore nuk ka të bëjë vetëm me rekomandimet e OSBE-së, por nuk do të jetë e vetmja pikë, presim një paketë më të madhe, që ndryshimi i sistemit zgjedhor të ndodhë sot. Presim që socialistët ti bashkohen kësaj nisme. Ne duam që shqiptarët të vendosin për Kuvendin, pasi do të jenë më llogaridhënës më pas dhe më të pavarur ndaj mendimeve të tyre.

Është një nismë e madhe, do të bëjë shumë...nga deputetët tanë, por kjo është beteja jonë. Ndjesë nëse e shfrytëzova këtë moment për të folur për sistemin zgjedhor, por u detyrohemi qytetarëve. Ky kabinet qeveritar pavarësisht se përbëhet nga gratë, por nuk kanë shumë pushtet, pasi vendosen për të krijuar disa hapësira boshe që pushteti të koncentrohet vetëm te një njeri. Ne jetojmë në një shoqëri tepër maskiliste. Përsa i përket cështjes së klimës që përmendi Rama në OKB, këtu pobëhet ndotja më e madhe" tha ajo.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • PenCionisti fukara: 01/10/2019 01:59

    SORRA SPIROPALI PO MBAN LEKSION KUNDER VARFERISE ME XHAKETEN E VESHUR SA 4 pensione PENCIONISTESH

    Përgjigju
  • Vlora: 30/09/2019 23:33

    BRAVOOO.... kostaq Papa

    Përgjigju
  • Sam: 30/09/2019 18:07

    Zero perqind e popullit Shqiptar mendon se po diskutoni per hallet e popullit dhe ne fakt tere deputetet mendojne e veprojne per deshirat e partive te tyre dhe per vehte??Dhe mos u tallni me me popullin se do t’a vuani shume dhe se shpejti!E vetmja shprese shume e madhe e popullit jane kembengulja e gjitheaneshme e ShBA dhe Europes!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidentja Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi prioritet strategjik për Kosovën

Presidentja Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi prioritet strategjik për Kosovën