Prej orës 10:00 Kuvendi është mbledhur në seancë plenare, por debatet më të forta u shënuan në nisje në përballjen e opozitës me ministren e Brendshme për protestën e PD-së të shtunës.
Gjatë ditës, Kuvendi shqyrtoi aktit normativ për ndryshime në buxhetin e 2025-ës, ndërsa në vijim priten diskutime edhe për disa ndryshime në Kodin Penal.
Kjo pikë pritet të sjellë debate mes opozitës dhe mazhorancës. Me ndryshimet që PS ka dërguar në Kuvend dekriminalizohet pjesërisht shpifja, vetëm për gazetarët. Socialistët janë kundër propozimit të PD-së që të heqin shpifjen si vepër penale për të gjithë qytetarët shqiptar. Ligji shoqërohet me masa mbrojtëse për sigurinë e gazetarëve, duke dënuar ata që i kërcënojnë apo dhunojnë për shkak të profesionit.
Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë edhe burg deri në 1 vit për ata që parkojnë dysh. Po ashtu do ashpërsohen dënimet për ndërtim të paligjshëm e zjarrvënëse.
Lajmi në përditësim....
Kliko këtu për të lexuar rendin e ditës

Gjatë diskutimeve në Kuvend, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, i kushtoi një pjesë të veçantë fjalës së tij rolit dhe rëndësisë së diasporës shqiptare, duke theksuar nevojën për një ndryshim thelbësor në mënyrën se si institucionet e shtetit shqiptar e trajtojnë atë. Balla u shpreh se diaspora nuk duhet të jetë objekt vëmendjeje vetëm në momente zgjedhore, por një partner i vazhdueshëm në jetën politike, institucionale dhe shoqërore të vendit.
Fjala e plotë:
Për mua, per shumë nga kolegët këtu sot mendoj që kjo është 1 prej çështjeve më të rëndësishme të agjendës së punës së Kuvendit.
Po votojmë 1 marrëveshje, cila është historike sa i përket fushave, është historike sa i përket nivelit më të lartë të marrëdhënieve bilaterale mes 2 vendeve tona. Per për të cilat nuk ngurojmë as ne majtas e as ju djathtas të jemi mirënjohës qeverive ndër vite
të Republikës Italiane, që nga viti 1991, kur populli italian, qeveria italiane, policia italiane,të gjitha strukturat e shtetit italian në mars e pas marsit, në fakt, duke filluar që nga korriku i vitit 1990, me shqiptarët e parë që ikën përmes ambasadave, treguan gatishmërinë, por edhe dashurinë e popullit italian për të mikpritur vëllezërit e motrat tanë në ato vite të vështira për vendin tonë. Dëgjova një koleg, i cili me të drejtë
e nënvizoi faktin se ka qenë student atje, dhe janë të shumtë edhe në këtë sallë të cilët kanë pasur fatin, kanë pasur mundësinë të jenë studentë në Itali.
Dhe tani, të dashur kolegë, jemi në momentin që besoj që edhe ju, grupi parlamentar i Partisë Demokratike,
edhe pse kjo marrëveshje është diskutuar nga qeveria e Kryeministrit Rama, edhe pse sektorë të ndryshëm të kësaj marrëveshjeje janë diskutuar nga ministrat e qeverisë socialiste,
unë besoj që ju votën do ta jepni për shkak se ky është një raport special mes 2 vendeve tona.
Unë dua të ndalem te pjesa e diasporës.
Zonja dhe zotërinj deputetë, ne diasporën nuk duhet kurrsesi ta kujtojmë vetëm kur vijnë votat.
Nuk duhet kurrsesi, pas gjithë atyre turravrapeve, mitingjeve, takimeve që patëm gjatë kohës që parapriu 11 majin,
dhe tani të kujtohemi pas 4 vjetësh, në 2029, për shkak se në zgjedhjet vendore diaspora nuk voton.
Na duhet domosdoshmërisht, edhe si Kuvendi i Shqipërisë, një qasje
e ndryshme në marrëdhënie me diasporën.
Jo vetëm me diasporën shqiptare në Itali, e cila është më e madhja,
edhe për shkak të numrave.
Edhe zgjedhjet e fundit treguan që numri më i madh i votuesve që u regjistruan është në Itali, por edhe në Greqi, edhe në Gjermani, edhe në Britaninë e Madhe, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, në vendet e tjera të Europës.
Por kudo që shqiptarët jetojnë.
Dhe unë mendoj dhe ju propozoj
edhe grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se të tjerët kanë firuar, vijnë këtu vetëm për të bërë zhurmë.
Por ju që jeni 1 parti e vjetër, të ulemi dhe të bëjmë një plan se si duhet t’i përqasemi diasporës, edhe duke përfituar nga komisioni i ri kuvendor
i yni, që ka brenda vetes dhe detyrave të veta, marrëdhënie me diasporën.
Do ishte e pafalshme nga ana jonë që të mos fillojmë të ndërtojmë një qasje të re. samiti i diasporës në 14–15 prill nuk është vetëm samiti i diasporës i qeverisë, është edhe samiti i diasporës i Kuvendit, dhe unë jam shumë i sigurt që qoftë komisioni, qoftë deputetët e opozitës apo mazhorancës, kanë një rol për të luajtur edhe gjatë samitit të diasporës. Dhe besoj që zonja Spiropali, në cilësinë e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila ka detyrën e organizimit, i gjen dhe t’i organizojë një rol të veçantë deputetëve të mazhorancës dhe opozitës gjatë samitit, të cilin besoj që do ta marrin pjesë të gjithë.
Deputeti socialist, Erion Braçe thotë se marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë janë në nivelet më të larta.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe u shpreh se marrëveshja me Italinë për disa fusha të caktuara, do i shërbejë vendit për të rritur produktivitetin ekonomik, por edhe shoqëror.
Braçe deklaroi se me Greqinë, nuk mund të kemi marrëdhënie të tilla, ku çdo vit, sa herë që ka festa, shqiptarët rrinë në radhë në kufi. Sipas tij, marrëveshja për pensionet me Greqinë duhet të realizohet dhe të mos ketë burokraci.
“Patjetër që mund ta kritikoni qeverinë, ta shani sa të doni, por të paktën, për dokumentin që është përpara, nuk ka arsye për çfarë ta shash. Marrëdhëniet me Italinë nuk kanë qenë kurrë në këtë nivel. Shqipërisë i ofrohet bujarisht dija njohuria, teknologjia, për atë që ne kemi më shumë nevojë, për të rritur produktivitetin ekonomik, por edhe shoqëror. Fushat që janë përshkruar në këtë marrëveshje, janë jetike për Shqipërinë, duke filluar nga shëndetësia. Duam të marrim ekselencën italiane, me qëllim që atë që ka arritur për kaq e kaq vite, sistemin shëndetësor publik, ta kemi edhe ne këtu. E dyta vjen industria, kemi qenë përgjithësisht fasoni i Italisë. Industria e sigurisë, është avantazh për ne. Për arsimin, Italia ka përvojë qindra vjeçare. Ne në po kaq vite kemi defiçitarë. Është shumë thjesht të flasim për universitetet e Shqipërisë, ne jemi bërë vend në universitet pas luftës, ata qindra vite, Italia po flas. Kjo gjë na duhet. Mos harroni që kjo marrëveshje është shkruar në një periudhë të ndërmjetme, ku edhe negociojmë edhe ku realizojmë për t’u bërë anëtarë të BE. Ne me Italinë kemi tejkaluar çdo gjë. Kemi pasur histori të mirë, por edhe luftëra. Kemi tejkaluar çdo gjë, duke ecur përpara, duke i çuar marrëdhëniet në nivele më të larta.. Niveli i integrimit të shqiptarëve në Itali është në kuota maksimale. Sa më lart shkon niveli i marrëdhënieve me Italinë, aq më keq duket Greqia në raport me ne.
Ky është problem shumë i madh. Grekët janë fqinjët tanë, ne kurrë nuk mund të kemi ato marrëdhënie që kemi, dhe nuk është nga ne. Ajo sjellje e përvitshme në kufi, është turpëruese, për një vend anëtar të BE, mënyra sesi e një pjesë e Greqisë politike i shikon shqiptarët, është e papranueshme. Jemi atje jo vetëm si qytetarë europianë, por edhe si aset ekonomik. Shqiptarët janë ndër punëtorët më të mirë në Greqi. Nuk mund të na shohin vetëm si krah pune. Atje në kufi vendosin barrierat e dy policëve, që e kanë hobi krijimin e radhëve, nga 4, 5 apo 6 kilometra sa herë ka Pashkë, vit të ri, sa herë ka pushime verore në Shqipëri. E kemi këtë problem me Italinë ne? Jo. Mbas 36 vjetësh të kemi sërish këtë problem? Kemi prapë sipërmarrjet shqiptare në Itali, janë kthyer në kontribut të rëndësishëm. Niveli i integrimit të tyre atje, është në kushte optimale. Shikoni atje si trajtohen emigrantët shqiptarë në Greqi, një copë leje, që të detyron të paguash sigurime shoqërore për të marrë atë copë leje. Edhe pse ka pasur nevojë për krah pune Greqia, shqiptarët kanë qenë atje. Kjo marrëveshje që kemi përpara, është kornizë e vlefshme, e dobishme, duhet të vihet në lëvizje. Nga marrëveshja te projektet kronkrete, është rrugë e gjatë përpara, burokracia nuk duhet ta dështojë këtë marrëveshje. Po i referohem marrëveshjes me pensionet, e kemi me vendet kryesore të Europës, por nuk e kemi me Greqinë. 3800 shqiptarë kanë aplikuar, 500 dosjet e para ka shkuar, por ende asnjë shqiptar nuk ka përfituar nga marrëveshja. Burokracitë duhen kaluar që marrëveshja duhet të efektivitet të plotë. Me Greqinë nuk e kemi. Italia po zgjidhet, Greqia duhet të jetë në plan.", theksoi ai.

Deputeti socialist Erion Braçe ka propozuar një amendament që ashpërson dënimin në Kodin Penal për ata që u shesin duhan ose cigare elektronike të miturve.
Sipas amendamentit të Braçes, shitja e duhanit dhe cigareve elektronike personave nën moshën 18 vjeç kur më parë ndaj personit janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 500.000 lekë ose me burgim nga 6 muaj deri në 1 vit.
“Kur nga kjo vjen dëmtimi i rëndë i shëndetit të të miturit, dënimi të jetë nga 4 deri në 8 vjet burgim, ndërsa kur kjo sjell si pasojë vdekjen e të miturit, dënimi duhet të jetë nga 8 deri në 16 vjet burgim.”, propozon Braçe.
Këto propozime do të votohen në fund të seancës plenare kur të miratohen ndryshimet në Kodin Penal.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, shfrytëzoi marrëdhëniet e tensionuara mes Adriatik Lapajt dhe deputetit Agron Shehaj, për t’i sulmuar të dy njëherësh.
Në një replikë me Shehajn, Balla tha se ndaj këtij të fundit rëndon një dënim për vjedhjen e databazës së anëtarësisë së Partisë Demokratike para se të “divorcohej” nga kjo forcë politike, por se për këtë do të flasë “tezja e Lapajt, Llapajt” në Kuvend, duke iu referuar deputetes Ana Dajko, e cila fitoi mandatin e ligjvënëses aksidenatalisht, për shkak të mosmarrëveshjes mes kreut të Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" dhe Endri Shabanit, asokohe drejtues i Nismës Thurje dhe bashkëkryetar i koalicionit, sot Avokat i Popullit.
“Kam para një vendim të një autoriteti të pavarur që je dënuar për vjedhjen e listave të anëtarësisë së PD, nuk po futem te Lapaj, Llapaj., Lapaj, se kur të merret vendimi i formës së prerë, të dalë e të flasë tezja e Lapajt këtu. Po ti i ke vjedhur listën e anëtarëve të PD, këta të futën qyl, ti u vjedh të dhënat”,- tha Lapaj.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe asaj italiane “Për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”.
Në fjalën e saj ministrja Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje që është ndër të parat e këtij niveli që Shqipëria nënshkruan me një vend të Bashkimit Europian, që sic e cilësoi Ministrja, vjen në një moment kur Ne jemi më pranë se kurrë anëtarësimit. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo ka rëndësi, jo vetëm politike, por edhe praktike: na ndihmon të përgatitemi konkretisht për tregun e përbashkët europian.
Marrëveshja e çon partneritetin Shqipëri-Itali në një nivel më të lartë, strategjik, duke përfshirë fusha kyçe si shëndetësia, arsimi, energjia, mjedisi, siguria, inovacioni, migracioni dhe transformimi ekonomik.
Kjo marrëveshje, sipas Ministres, është plotësisht në përputhje me prioritetet e Bashkimit Europian, dhe do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në punësim dhe kapitalin njerëzor.
“Projektet që priten të zhvillohen do të krijojnë vende të reja pune, do të rrisin cilësinë e punësimit dhe do të investojnë në aftësi profesionale në sektorë me vlerë të shtuar si energjia, industria, infrastruktura, mbrojtja, shëndetësia dhe inovacioni”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj thotë se qeveria po mbron zëvendëskryeministren Belinda Balluku përmes Gjykatës Kushtetuese.
Në fjalën e tij në Kuvend, Shehaj u shpreh se plani i kryeministrit Edi Rama, është t'i drejtohet Komisionit të Venecias, për të fituar kohë.
Shehaj iu drejtua edhe kreut të grupit të PS, Taulant Balla, duke i thënë se edhe atij do i vijë fundi.
“Tani, lajmi i ditës duhet të ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me kërkesën e Edi Ramës, për ndalimin e pezullimit të Belinda Ballukut, zëvendës së tij, të cilën SPAK e ka kapur duke vjedhur dhe duke abuzuar me paratë e qytetarëve. Por lajmi nuk ishte ky, lajmi ishte shkarkimi i drejtorit të 16 të Kadastrës së Vlorës në pak vite. 16 drejtorë të Kadastrës, ose janë shkarkuar, ose kanë dhënë dorëheqje, sepse padrejtësia më e madhe që i është bërë këtij populli, ka të bëjë me pronat, keni vjedhur pronat, ju keni mohuar të drejtën e pronës, i keni rrjepur, i keni telendisur. Jeni pasuruar duke vjedhur pronat. Ky parlament në 35 vjet, padrejtësia më e madhe, ka qenë e drejta e pronës. Kjo është padrejtësia më e madhe, në këto 35 vjet nuk keni pasur drejtësi. Tani, Gjykata Kushtetuese ndërkohë, ka mbetur shpresa e fundit për ju, për të korruptuarit që t’i shpëtojnë drejtësisë, shpresa e vetme e ministres Balluku, që ka kërkesë për arrest, ju e mbroni këtu. Ka 3 muaj që ka një hetim. Ka kërkesë pezullimi, arrestimi, e keni marrë në mbrojtje, keni një plan diabolik në lidhje me Gjykatën Kushtetuese.
Unë e kuptoj shqetësimin tënd Taulant, jam Taulanti dua 100 mijë euro. Do kthehemi te thelbi. Gjykata Kushtetuese ka gjasa të marrë vendim, ose të mos marrë vendim, t’i drejtohet Komisionit të Venecias, të fitojmë kohë, ja që shpëtuan nga sikleti i Belinda Ballukut. Vendimi për fatin tuaj, për fatin e të korruptuarve nuk është marrë këtu, por në Perëndim, u ka gjetur belaja. Po i shpikni të gjitha. Është koha juaj, koha e të korruptuarve, që kanë vjedhur qytetarët shqiptarë, Taulant, shumë shpejt do të vijë fundi edhe ty”, theksoi ai.
Komente











