​Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 81 vota pro emërimin e Ylli Manjanit si ministër i ri i Drejtësisë, ndërsa 27 deputetë të opozitës votuan kundër. Nga ana tjetër shkarkimi i Nasip Naços u miratua me 104 vota pro dhe dy vota abstenim ndërsa nuk pati vota kundër.

Tashmë, pas miratimit të kandidaturës së tij, Manjani do të bëjë betimin në Presidencë për të marrë më pas dhe zyrtarisht postin e ri.

Ky është ndryshimi i dytë në kabinetin qeveritar “Rama”, pasi më parë ka dhënë dorëheqjen Ilirjan Celibashi, ku në vend të tij në krye të ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin u emërua Ermonel Felaj.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi planit afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025, me 78 vota pro, 31 kundër dhe 1 abstenim.

Ndërsa me 111 vota pro u miratua ratifikimi i protokollit nr. 15, të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”.

Kurse me 110 vota pro u miratuar ratifikimi i marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, për mbrojtjen shoqërore”.


Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)