'Ky është zëri im', rrëfimi i trajnerit të ri të Kombëtares kuqezi! Silvinho: Do firmosja me Interin, ja gjëja më e rëndësishme për mua

'Ky është zëri im', rrëfimi i trajnerit të ri të Kombëtares kuqezi! Silvinho: Do firmosja me Interin, ja gjëja më e rëndësishme për mua

Sylvio Mendes Campos Júnior (Sylvinho)

Sylvio Mendes Campos Júnior i njohur si Sylvinho është trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit. 42-vjeçari është rrëfyer për fillimin e karrierës në sport dhe konkretisht kalimin nga Brazili në Europë te Arsenal. Për "The coaches voice" (Zëri i trajnerit), braziliani tregon se ishte pranë Inter por mësoi shumë nga Arsene Venger dhe u bind për të kaluar te Arsenal. Në këtë rrëfim njohim më shumë trajnerin e ri kuqezi.

Nga Sylvio Mendes Campos Júnior

“Më kujtohet sikur të ishte sot.

Një paralajmërim më përsëritet me muzikalitet, gati si koret e tifozëve anglezë në ndeshje.

“Silvio. Ritmi në Premier League është shumë i lartë”.

Në ditët e mia të para te Arsenali, kjo ishte e vetmja gjë që kuptoja në anglisht. Por unë nuk shqetësohesha për gjuhën – shkova në Londër pa ditur asnjë fjalë, ushqimin apo mënyrën e jetesës angleze. E dija që gjithçka do të vinte natyrshëm. Ishte thjesht çështje kohe.

Shqetësimi im i vetëm ishte përshtatja me ritmin e lojës angleze. Nëse do të doja të luaja për Arsenalin, duhej ta bëja sa më shpejt që të ishte e mundur.

Te Corinthians, unë isha mbrojtësi i krahut klasik brazilian. Do të thotë, një lojtar që sulmon shumë në krahun tim – që ishte i majti. Në fakt, pothuajse të gjitha veprimet e mia në një lojë do të përfshinin vrapimin përpara. Nuk kisha shumë kërkesa për punën time në fazën mbrojtëse. E gjithë kjo kushtëzohej edhe nga stili i vetë lojës së futbollit brazilian – pak më i ngadalshëm se futbolli anglez.

Kisha qenë te Corinthians për katër vjet e gjysmë dhe kisha fituar disa ndeshje me Brazilin. Në atë kohë, nëse do të largohesha nga vendi im, qëllimi im ishte të shkoja në Itali. Shumica e lojtarëve të rinj brazilianë ndiqnin shumë ndeshje të Serisë A, sepse kishte shumë lojtarë nga ana jonë që bënin mirë për skuadrat më të rëndësishme në futbollin italian. Në rastin tim, ekzistonte mundësia për të nënshkruar me Interin.

Por ja ku hyri në skenë Arsen Venger. Para një ndeshjeje në mesjavë me Corinthians, dikush nga klubi më tha se trajneri i Arsenalit ishte në Sao Paulo – ai po planifikonte të shikonte disa ndeshje – dhe se donte të darkonte me mua.

Pas asaj ndeshje, shkova për darkë me Arsenin. Ia kemi kaluar shumë mirë që në momentin e parë. Me ndihmën e një përkthyesi biseduam gjatë dhe ishte shumë komode. Në atë bisedën e parë me të, e kuptova se ai ishte një person i ndryshëm, me nivel të lartë edukimi dhe në menaxhim njerëzor.

“Më pëlqen mënyra se si luan futboll” tha ai. Ai shpjegoi pse donte të më merrte te Arsenali. Deri në atë pikë, mbrojtja e Arsenalit ishte e përbërë tërësisht nga futbollistë anglezë. Devid Siman në portë, Li Dickson si mbrojtës i djathtë, Martin Kion dhe Toni Adams në qendër dhe Najxhell Uinterbërn në të majtë.

Ata ishin lojtarë me cilësi të jashtëzakonshme, por Arsen ndjente se shumë ekipe në Premier League, në formacionin klasik 4-4-2, kishin mësuar të ndalonin lojën sulmuese të Arsenalit. Ai po kërkonte të shtonte opsione të reja, me më shumë mbrojtës të krahut sulmues që do t’i jepnin më shumë gjerësi skuadrës – siç ishte rasti me mua.

Arsen gjithashtu më foli në darkë për aftësitë e mia fizike dhe më bëri të ditur se ai dinte disa fakte për mua – për shembull, rekordet e mia të shpejtësisë dhe përshpejtimit. Ishte e pabesueshme.

Në fund, unë firmosa për Arsenalin pak kohë pas asaj darke, në parasezonin e 1999. Unë isha lojtari i parë brazilian në historinë e Arsenalit.

Arsen më ndihmoi të integrohesha në ekip dhe të përshtatesha me atë ritëm të veçantë të lojës në Premier Ligë. Ai nuk donte që unë të humbisja shpirtin tim sulmues, por duhej të mësoja të mbroja.

Në stërvitje, Pet Rajs, numri dy i Arsenit, nuk më linte kurrë të pushoja rreth kësaj çështje. Ai më bëri të vrapoja mbrapa për t’u mbrojtur dhe vinte këmbën me forcë për të bërë ndërhyrje. Isha një lojtar më i lehtë, jo mbrojtësi tipik i fortë, por mësova shumë nga Pati në aspektin mbrojtës të lojës.

Pas disa muajsh u bëra titullar i rregullt në skuadër. E kisha përballuar sfidën me sukses. Ndjeva se isha bërë një lojtar shumë më i kompletuar për shkak të punës që trajnerët kishin bërë me mua.

Që atëherë, sapo ndjehesha rehat me ritmin e lojës, munda të shijoja shumë më tepër të luajturin futboll në Angli. Dhe më pëlqente dyfish kur luanim në shtëpi.

Ndeshjet në “Highbury” ishin veçanërisht të pabesueshme. Kishte një ndikim të madh tek unë që turma ishte aty, aq afër vijës anësore, pikërisht pranë teje. Kur topi dilte jashtë loje në vijën anësore, vetë tifozët të jepnin topin për ta hedhur përsëri brenda shpejt. Ishte e mrekullueshme.

Pastaj ishin të gjithë lojtarët që përbënin Arsenalin. Lojtarë të një standardi të lartë në Europë, të cilët kishin fituar shumë dhe nga të cilët pata fatin të mësoja. Unë gjithmonë them se të jesh pranë lojtarëve të mëdhenj – si të gjithë ata lojtarë të Arsenalit në atë kohë – të bën të përmirësohesh.

Edhe nëse nuk jeni duke luajtur, siç ishte rasti im gjatë muajve të parë, përmirësohesh sepse çdo seancë stërvitore e shikon si provë. Duhet të rritësh nivelin e lojës tënde për të arritur në të njëjtin nivel me ata lojtarë.

Unë gjithashtu ndjeva se shokët e mi të skuadrës më dhanë shumë mbështetje. Megjithëse isha braziliani i parë që mbërrita në klub, nuk u ndjeva kurrë vetëm. Kjo gjithashtu më ndihmoi të përshtatesha shumë më shpejt.

Mbi të gjitha, çfarëdo që të ndodhte në ekip, Arsen ishte aty. Ai nuk ka lënë pas dore asnjë detaj. Ai kishte gjithçka nën kontroll. Ishte hera e parë që pashë një trajner që merrte vendim për diçka si një terren i ri stërvitor, që Arsenali po ndërtonte në atë kohë.

Ai ishte i përfshirë në gjithçka. Si mbërrinin lojtarët për stërvitje, ku vendosnim këpucët, ushqimin që do të hanim – gjithçka ishte planifikuar shumë mirë nga ai. Ai ishte një person me shumë përvojë që kishte punuar në të gjithë botën, duke përfshirë vende si Japonia.

Arsen dinte gjithashtu të kontrollonte gjithçka rreth lojtarit, por pa e mbingarkuar. Sot kjo është më e lehtë për t’u parë, por në vitet që isha në Arsenal – nga 1999 deri në 2001 – shumë pak trajnerë e bënin këtë.

Megjithatë, gjëja më befasuese për mua ishte rutina që kishim para ndeshjeve. Nuk kisha bërë kurrë diçka të tillë në Brazil.

Në ato ditë, në Premier League, ndeshjet ishin zakonisht herët, nga ora 15:00 deri në 17:00. Në mbrëmje nuk luheshin shumë ndeshje.

Do të mbërrinim në hotelin ku po qëndronim dhe e gjithë skuadra dilte për shëtitje. Pas kësaj, shkonim në një dhomë të madhe në hotel dhe shtriheshim në dysheme për streching dhe për të bërë pak meditim, me ushtrime të frymëmarrjes. E gjithë kjo udhëhiqej nga Arsen.

Pas kësaj rutine, mentaliteti për ndeshjen kishte ndryshuar. Ishe shumë më i fokusuar në atë që do të ndodhte disa orë më vonë.

Arsen kishte shumë virtyte, por për mua më e rëndësishmja nga të gjitha është se ai ishte përpara shumë trajnerëve në punën me grupin. Ai dinte të zgjidhte lojtarët që do të ishin pjesë e tij. Dhe ata ishin gjithmonë lojtarë teknikisht shumë të mirë.

Gjithçka që më ndodhi në Arsenali, në një farë mënyre Arsen më bëri ta shihja në darkën e parë që pata me të në Brazil. Siç ju thashë, ne folëm atëherë për aspektet e mia fizike – por kjo nuk ishte gjëja më e rëndësishme për të.

Gjëja më e rëndësishme ishte futbolli im. Mënyra se si luaja. Kjo është arsyeja pse ai nënshkroi me mua.

Tani, si trajner vetë, kjo është filozofia që unë ndjek. Gjëja më e rëndësishme për një futbollist është loja e tyre. Nëse ata punojnë shumë dhe kanë vazhdimësi, ata mund të përshtaten me çdo gjë.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale