'Ky rrip dore me numrin 134707, një nga reliket më të çmuara në familjen tonë'

'Ky rrip dore me numrin 134707,  një nga reliket më të çmuara në familjen tonë'

Një nga reliket më të çmuara në familjen tonë është ky rrip dore. I përket babait, i cili ka vuajtur në kampin e përqendrimit Moosburg në Gjermani. Numrin 134707, dhe në mes të natës ta ngrije, e mbante mend përmendsh në gjermanisht. Në ditët e fundit të kllapisë e përmendi disa herë. 

U ndie shumë i vlerësuar disa vite para se të ikte në udhëtimin e tij të fundit, kur u ftua nga Ambasada e Zvicrës bashkë me ish të internuar të tjerë në Ceremoninë e Rivlerësimit dhe të dhënies së një dëmshpërblimi në dollarë. 

Sa herë vjen 8-9 Maji, dita e fitores mbi nazizmin, e marr dhe e vë në dorën time këtë rrip dhe lexoj historitë e shkruara nga im atë në “Librin e familjes”.

Sofikli Petro me bashkëshorten Filloreta

Fragment nga "Libri i familjes"

Ne na futën në burgun e Gjirokastrës. Aty na mbajtën 17 ditë. Ky burg quhej burgu i “shtatë penxhereve”. Çdo ditë na hidhnin ujë me çimento që të rrinim në këmbë, kjo ishte një mënyrë torture. Pas disa ditësh na dërguan në burgun e Janinës, në kalanë e Ali Pashë Tepelenës. Na futën në fund të kalasë, qelitë e të cilave ishin pa dritare dhe kishin vetëm një tub, nga i cili merrje ajër dhe qielli dukej si një pikë e largët blu. Jashtë na nxirrnin të lidhur me zinxhirë. Më pas na dërguan në kampin e Selanikut, “Pavllo Mella”. Në këtë kamp të internuar ishin grekë, shqiptarë si dhe politikanë. Ky kamp kishte një rregull të veçantë që nëqoftëse vritej një gjerman gjatë luftës, merrnin 101 vetë nga kampi dhe i vrisnin. 

2.
Nuk ndenjëm asnjë muaj në këtë kamp, kur u mor vesh se një pjesë e tij do të dërgohej në Gjermani. Gjermanët zgjodhën moshat më të reja, bashkë me ta dhe mua, sepse në atë kohë isha 17 vjeç. Ky lajm ishte përhapur në të gjithë Selanikun. Në anët e rrugës ku dolëm ne të internuarit ishte i gjithë populli, i cili na hidhte veshje dhe ushqime. Kalonin përmes rrugës të lidhur me zinxhirë dhe mundoheshin të kapnin ndonjë gjë për të ngrënë apo për të veshur. Të gjithë hipëm në vagonat e trenit, ku nuk kishte më vend. Qëndronim në këmbë. Vagonat ishin të mbyllur; në to na vunë bidona me ujë dhe bukë. Në fillim vendosëm bashkërisht që të mos bënim asnjë jashtëqitje, por kjo ishte e pamundur dhe kështu era brenda vagonit ishte e padurueshme. Kjo gjendje vazhdoi tetë ditë. Udhëtimin e bënim natën, sepse gjatë ditës rrezikohej që treni të shihej nga amerikanët dhe ata mund ta bombardonin. Kaluam në Jugosllavi, në Austri dhe më në fund në Gjermani. Atje na çuan në kampin e Mosburgut, i cili përbëhej nga një kamp qëndror dhe nga një provizor.

Kampi i Mosburgut ishte ndërtuar mbi moçale. Në ndenjëm për disa ditë në kampin provizor dhe më pas kaluam në atë qëndror. Na zhveshën dhe na futën në banja për të na larë. Na bënë një larje me kimikate për heqjen e morrave; uji binte me ilaçe nga dushi. Dëgjoheshin ulërima, sepse uji të përvëlonte mbi trup. Pas larjes na futën në sallën e mjekut ku na kontrolluan një për një se mos ishim të sëmurë. Të sëmurët i lanë veç. U veshëm me rroba si dhe na dhanë nga një palë këpucë prej druri. Kur u veshëm nuk e njihnim më njëri-tjetrin. Pastaj na vunë secilit nga një rrip në dorë dhe ne nuk ekzistonim më si njerëz me emra por me numra. Dhe sot e kësaj dite e di dhe në gjumë numrin në gjermanisht. Ai më kumbon në vesh (134707).

3
Më pas na kaluan në një kamp në Alpe të Italisë, në kampin Garbish Paterqiqerr. Aty punova në tynelet e spitaleve, në tynelet e Sonepikelit. Punova dhe për heqjen e borës në mes të dimrit në temperaturën -37 gradë celcius. 

Një ditë në tynel shpërtheu uji dhe ndërsa punoja aty më mori me vete. U kapa në një vend duke u mbajtur fort. Më pas erdhën skuadrat e shpëtimit dhe shpëtova. Aty mu ça gishti dhe më bënë një operacion të vogël, që edhe sot më duket pak shenja. Kjo ishte nata e 31 dhjetorit të 1944 dhe gdhihej 1 janari i 1945. Atë natë ishin arratisur dy vetë, një nga ata ishte Eteni Çako. Në gjithë kampin u bë alarm për arratisjen e tyre dhe gjithë natën na mbajtën jashtë në mes të të ftohtit, në dëborë për dënim. Unë rezistova deri nga ora njëmbëdhjetë dhe më pas më ra të fikët. Më morën zvarë nëpër borë dhe më çuan në infermieri ku kalova natën. Në këtë kamp qëndruam deri më 9 maj 1945 derisa erdhën amerikanët dhe na liruan. Ndenjëm dhe nja dy muaj në kamp pas çlirimit nga amerikanët. Gjatë kësaj kohe ndodhi diçka shumë e çuditshme. Në kamp një shoku im më prezantoi me një nga oficerët amerikanë, i cili ishte larguar nga Gjirokastra shumë vite më përpara, pra ishte shqiptar dhe jo vetëm kaq: ai ishte nga fshati im dhe ishte kushëriri im. Unë dilja shpesh shëtitje me makinën e tij nëpër Gjermani. 

4.
Koha kaloi dhe kishte ardhur momenti që të ktheheshim në atdhe. Ne u regjistruan si Jugosllavë sepse Shqipëria nuk njihej si Republikë. Erdhëm deri në Beograd dhe aty na dorëzuan në Ambasadën Shqiptare. Treni ecte shumë ngadalë dhe ne mund ta shihnim shumë mirë rrugën kur kalonim në Strugë, Ohër; zbrisnim nga një mal në tjetrin, bënim një pjesë të rrugës me këmbë dhe prisnim në një vend trenin derisa të vinte. Më në fund mbërritën në Pogradec e që andej në Gjirokastër. Mamaja nuk e dinte që do të vinim, nuk mendonte se isha gjallë. Gati sa nuk vdiq nga gëzimi kur më pa

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Sot Champions League është për ata me zemër të fortë! Liverpool pret Real Madridin, Juve e Dortmund në udhëtim

Sot Champions League është për ata me zemër të fortë! Liverpool pret Real Madridin, Juve e Dortmund në udhëtim