Nis një rrugëtim i thirrjes së kujtesës kolektive mbi regjimin, të cilën qeveria e Edi Ramës po e bën me kurajo. Këtu e quajnë Rilindje dhe parashikon çeljen e hapësirave që dukeshin të destinuara për të qenë të dënuara. Por që tanimë, kanë një të ardhme
nga Antonella GAETA
Gjethet bëjnë zhurmë vetëm kur i shkel, si një qilim që kërcet nën këmbë, të këputura prej erës treten, aq sa nuk arrin t'i numërosh. Gjethet qenë njerëzit, dosjet që mbanin emra; damarë gjethesh, zërat e tyre, që i dëgjoje në çdo frymëmarrje, kudo.
Ta quash muzeun e Sigurimit, shërbimit famëkeq sekret shqiptar, ''Shtëpia e gjetheve'', ka një sërë arsyesh.
E para është që vendi ku ndodhet, në qendër të Tiranës, është i tëri i mbuluar nga gjethet, për ta fshehur më mirë, për të të lënë të kuptoje që drithërima dhe misteri t'i ngjanin sa më shumë një tregimi të Edgar Allan Poe. Dhe është pikërisht kështu nëse e viziton. Në '31 u ndërtua si klinikë gjinekologjike, lindnin fëmijët atje.
Gjatë pushtimit gjerman, që pasoi atë italian, Gestapoja e mori dhe e shndërroi në atë lloj errësire, saqë ajo u përvetësua përfundimisht nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i vdekur në 1985.
Shtëpia e Gjetheve, një ide e ngjashme me Muzeun e Stasit në Berlin, u inaugurua majin e kaluar, e restauruar në mënyrë perfekte nga arkitektja italiane, Elisabetta Terragni, e cila diti t'i ruante hapësirat të paprekura, diti ta kthente ndjenjën e të ftohtit që merr në vendet e marrjes në pyetje dhe të torturës të të dyshuarve, një udhëtim gri kafkian, çimkat e vizatuara në mure, gjigante. Aparaturat janë të gjitha të ndezura, era e tyre dhe zhurma e vazhdueshme janë penetruese dhe të duket sikur dëgjon zërat e jetëve të të tjerëve.
Korridoret, hierarkia e agjentëve të Sigurimit, kapotat e tyre fantazmagorike, dhoma si ajo e trapanëve, që shërbenin për të bërë vrima në mur dhe për të vendosur sisteme përgjimi, të gjetura enkas për çimkat, që nga llullat mbi mobilje, një rrjet dëgjimi për të gjithë kombin. Mjaftonte të hidhje dyshime, në çdo lloj mënyre, dhe përfundoje këtu. Një katedrale dyshimesh dhe tmerresh enveriste.
Hapja e kësaj shtëpie hyn në një udhëtim rindërtues të memories kolektive të periudhës së diktaturës, që qeveria e Edi Ramës po përmbush. Kjo përkoi edhe me hapjen e bunkerit ("të përhapur si kërpudhat", ashtu si tregon kryetari i bashkisë së Tiranës, 38-vjeçari, Erion Veliaj), të kampeve të përqëndrimit, të dosjeve.
Në mandatin e saj të dytë me Ramën, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tregon: "Gjatë kërkimit të hapësirave kemi bërë zbulime të pabesueshme, si ajo e bunkerit të madh i mbyllur për 25 vjet". Ishte gërmuar brenda malit përballë Tiranës, pesë kate, 180 dhoma me një parlament antibërthamor, tunele gjithandej, nuk u përdor asnjëherë dhe flet për maninë e Hoxhës, paranojën e tij për Armikun në prag të derës. "Aty ka një ekspozitë të përkohshme, e bëmë të vizitueshëm dhe e quajtëm Bunkart I.
Në qendër, një tjetër më i vogël, Bunkart II, është shndërruar në një hapësirë muzeale, ashtu si me Shtëpinë e Gjetheve. Kur isha e re, thotë ajo, ajo ndërtesë e mbuluar me gjethe më dukej misterioze, kaloja para saj çdo ditë, të gjithë e dinin se ishte e Sigurimit, i shihnim të hynin dhe të dilnin. Gjatë viteve të fundit të regjimit, ajo shkaktonte akoma më shumë frikë, psikologji e pastër e terrorit që çonte në autocensurë: mendonim se ishim të gjithë të përgjuar. Pastaj u mbyll, por, në një moment, me kryeministrin propozuam të hapnim gjithçka që ishte e mbyllur dhe e magazinuar që prej '46. Bërja e saj ka një vlerë të jashtëzakonshme edukative. Na shërben për të mos harruar të keqen, që ajo të mos përsëritet. Shërben për t'iu treguar të rinjve në mënyrë objektive sesi ishte jeta ime, pasi kështu kuptojmë më mirë: nëse flas subjektivisht marr rolin e viktimës.
Ky nuk ishte një proces i lehtë në 25 vite parademokraci, por tani jemi një qeveri e re, asnjë prej nesh nuk ka qenë i përfshirë në diktaturë, jemi më të lirë dhe është momenti të bëjmë ndryshimin dhe për këtë arsye u hapën edhe dosjet. Si ministre, nuk më takon të flas për historinë, ka vende që njerëzve u flasin më mirë se unë, si për shembull shtëpia e Enver Hoxhës, kampet e përqëndrimit dhe burgu i Spaçit. Detyra ime është të aktivizoj procesin përmbyllës të saj që mbetet.
Piramida është vendi tjetër që do të trasformohet në një qendër për të rinjtë, mauzoleu që diktatori ndërtoi në qendër të qytetit dhe që dikur u mendua edhe që të shembej. "Ia kemi besuar këtë projekt Ëiny Maas, arkitektit të njohur holandez, të Markhthal, ndërtesa simbol e Roterdamit. Do të bëhet qendra e kulturës pop për artistët e rinj, me salla projeksioni, leximi, argëtimi, një fabrikë arti të themi", thotë kryebashkiaku Veliaj, i cili përshpejtoi edhe ristrukturimin e sheshit ''Skënderbej''. "Më parë, vazhdon, ishte menduar që gjithkush të ndihej i vogël përballë autoritarizmit të strukturave përreth, të Muzeut Kombëtar, të Teatrit të Operas në Pallatin e Kulturës.
Në qendrën e sheshit të ri je në lartësinë 2,7 metra. Ristrukturimet nuk duhet të shkatërrojnë, por të ndryshojnë raportin me këtë ideologji".
Një ristrukturim total do t'i bëhet Muzeut Kombëtar, shembull tipik i arkitekturës socialiste, «një muze ideologjik me hapësira gjigante që do të ndryshohet në mënyrën e të treguarit të historisë shqiptare, të njerëzve që kanë jetuar këtu, një kryqëzim i shumë identiteteve, gjuhëve, bashkekzistencës fetare», përfundon ministrja Kumbaro, e cila ka hapur katër muze në katër vjet.
Kjo ishte gjithçka, ndërkohë që Stefano Boeri dizenjon planin e ri urbanistik të Tiranës duke projektuar rrethimin e saj nga një pyll orbital me dy milionë pemë për 13 vjet, duke zëvendësuar plotësisht bimësinë e qytetit.
Rilindja, siç kanë dëshirë ta quajnë këtu, vazhdon.
Redaksia Online
s.k/Shqiptarja.com