Gjer më sot, nuk kam dëgjuar ndonjë Bulevard me emrin më të bukur në botë: Dëshmorët e Kombit ! Cili shqiptar nuk përjeton dridhshëm emocione të reja, sa herë ecën, mediton apo shëtit lirshëm përmes këngës së zogjve krahëshkruar. Por edhe përmes cicërimave gëzimplote të vogëlushëve në kopshte e shkolla. Mëngjesi, mesdita dhe mbrëmja mund të përcillen edhe me ca tufëza pëllumbash që gugasin nën rrezet e diellit të stinës. Dhe nuk janë thjesht “etyde poetike” a “fluturime djaloshare”.

Ndjesi të tilla njerëzore nëpër Kryeqytetin tonë të dashur, po provojnë çdo vit e më tepër qindra turistë të huaj. Pse jo edhe liderë të Evropës e Perëndimit, artistë, gazetarë e sportistë, shkrimtarë e biznesmenë të vjetër e të rinj. Shumicën i ftojnë për te “Bunkart”, Muzeu Historik, Kalaja apo ish Piramida…Ciceronët shoqërues dhe tabelat farfuritëse jo në gjuhën shqipe, fare pak (për të mos thënë hiç) i flasin njerëzisë për biografinë e këtyre rrugëve me emra të ndritur. Vetë emri i Bulevardit kryesor është dhe do të mbetet një thesar i pashtershëm ligjërimi nga brezi në brez. “Dëshmorët e Shqipërisë/ Të mirë ishin të gjithë !”. Vetë populli i ka gdhendur bukur. Përjetësisht kështu ! Më thoni një qytet tjetër si Tirana jonë, ku për çlirimin e saj nga pushtuesit  dhe sahanlëpirësit e tyre, derdhën gjakun e dhanë jetën mbi 220 djem e vajza në lule të jetës. Vetëm në Nëntor 1944 ! Gati nga e tërë Shqipëria. Nga Jugu në Veri. Jo më kot populli i Kryeqytetit e ngriti menjëherë Monumentin e Partizanit të Panjohur, kushtuar çlirimtarëve të paharruar. Një mirënjohje legjitime, shpirtërore e atdhetare. Mjeshtri përmetar Fite Nasi me shokë gdhendën çdo milimetër guri, plot mirësi e dashuri. Dhe kishin të drejtë që krenoheshin…

Mbi 60 vite më parë, kur po hyja për herë të parë në Kryeqytet, shtëpia e vetme ku trokitëm ishte ajo e poetit të pushkatuar, Trifon Xhagjika. Shtëpi përdhese me një portë të vjetërsuar, por me dhomat e thjeshta plot e përplot me libra. Njëra i kishte stivë, nga dyshemeja në tavan. Diku kam shkruar më gjatë…Më vonë, kur do kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Komisari ynë Dalan Memushi(Kallarati), më ka treguar episode gjurmëndezura sot e kësaj dite. Qe i vetmi ish partizan i Brigadës së Parë Sulmuese që punoi e drejtoi Brigadën me emrin e saj të lavdishëm në kohë paqeje. Vërtet pata fat përballë atij dëshmitari jo dosido. Kam parë nga afër lotët e tij mbi dëborë, te lapidari i shokëve të rënë pabesisht në Qarrishtë të Librazhdit. Ndoshta kaloi për herë të fundit atje, në fillim vitet ’70, gjatë një marshimi stërvitor… Kur po ktheheshim, në kryqëzimin e rrugës së Sanatoriumit me atë nacionale, ngadalësoi hapat dhe qëndroi vetullngrysur e syrrëmbushur. Kujtonte datën 16 Nëntor 1944. Në kulmin e moshës së rinisë. Partizan që nga fillimi. Më deshi dhe e doja shumë. Atje më tregoi për trimin Medi Taka që hodhi xhaketën mbi telat me gjemba të armikut dhe u sul si vetëtimë me granata dore. Duhej carë rrethimi djallëzor nazist. Por…dha shpirt atje, që të merrte frymë Tirana ! Ndërsa kur zbritëm te Rruga e Kavajës, pak më poshtë Lidhjes së Shkrimtarëve, përsëri qëndroi dhe më rrëfente me gojë e me duar. Tani vonë gjeta edhe Ditarin e tij të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ditar që të duket sikur në çdo faqe bie ende erë barot. Duhej marrë me çdo kusht Radio Tirana ! Ndërtesë që nazistët po e ruanin me mitraloza e tanke. ”Në mëngjes herët, pa zbardhur dita, iu afruam ndërtesës. Kur pashë trupin e një partizani të vrarë, më hipi të qarët. Një predhë nga tanku nazist i kish copëtuar kokën. Ç’të shihja ?! Vura duart në kokë. Ishte Avniu, shoku im i Spitalit Partizan. Edhe sot më ther zemra…” (Dje po lexoja 220 emrat e Dëshmorëve dhe nuk e di saktë cili Avni ishte, me mbiemrin Kondi apo Muca ?).

-Ju flet Tiraanaaa !...

Gjëmoi zëri në tërë Shqipërinë. Rrugë më rrugë. Shtëpi më shtëpi. Zëri i aktorit të shquar Birce Hasko te fillimi i mirënjohur, nuk është thjesht trill artistik. Realitet që të rrënqeth. 19 ditë e natë të mbarsura me krisma e gjak. Çdo rrugë e rrugicë flet shumë. Por më tepër duhet të flasin emrat e atyre që mbetën yje të pashuar në qiellin e Kryeqytetit e të Shqipërisë. Nuk e di saktë se sa prej tyre janë emërtuar gjatë Pluralizmit rrumpallë. Po 12 Dëshmorët e Betejës vendimtare të Mushqetasë ? Sepse, siç tha me të drejtë historiani i nderuar, Paskal Milo, pas viteve ’90 “ka emërtesa abuzive e qoka private”. Po kush e dëgjoi vallë ? Veçse ka ende ca kalemxhinj namusqarë e buzëlarë që edhe Dëshmorët duan t’i karfosin te “nostalgjia komuniste”. Ç’të jepnin më tepër ata kapedanë të Lirisë ! Dhanë jetën për këtë kryeqytet që gëzojmë. Dhe larg imoralitetit të sotëm politik e partiak, ku ca liderë kalanderë kanë 3 dekada që nuk shkojnë te Partizani Fitimtar (?). Te ai simbol i rrallë atdhedashurie . Madje arritën të ndërrojnë edhe emra rrugësh e shkollash. Por populli vazhdon t’i thërrasë me emrat që meritojnë. Nderojnë ata që mposhtën deri trup me trup e bajonetë më bajonetë gati 3 mijë forca naziste, 25 topa, 4 tanke, 100 mitraloza, 200 automjete etj. Pa llogaritur gati 500 kuislingët dhe tradhtaret me damkë ! Dhe pastaj u nisën drejt Veriut të Shqipërisë… Mbi 200 beteja zhvilloi vetëm Brigada e Parë Sulmuese, me në krye trimin Mehmet Shehu. Të paktën, shikoni foton origjinale me 4 partizanë mbi një bunker hitlerian që sharronte jetë njerëzish me mitraloza. Ja, para Monumentit të Skënderbeut. Dikur këtu nuk bëhej xhiro e as mbaheshin fjalime, por villej zjarr nga frëngjitë prej betoni e çeliku. Por bijtë e gjalmëzezave triumfuan. Ato ditë e natë heroizmi, ra edhe një vajzë përmetare, 18-vjeçarja Agllai Tako. Mirëpo ku ta gjej emrin e saj në ndonjë rrugë a rrugicë ku derdhi gjakun ? Po dhjetëra të tjerë ?...

Pyes kështu sepse në Pluralizën na kanë parë sytë e na kanë dëgjuar veshët edhe përçapje të “nostalgjisë neofashiste”! Pinjollët e çakërdisur kujtuan se u bë deti kos dhe sulmuan me barut të lagur emra Komandantësh, Komisarësh e Partizanë trima që mbajtën në zemra deri në fund Shqipërinë, Lirinë e saj të shenjtë e të shtrenjtë. Madje, mbaj mend që vitet e fundit botuan edhe një faksimile të “Këshillit Ministruer” të 21 prillit 1939 (?!). Gjithnjë “në shenjë respekti e mirënjohjeje”, vendosi emra të rinj nëpër rrugë e sheshe : Viktor Emanueli; Gabazzo e Costanzo Ciano; Princi Umberto Savoia etj.Historia nuk harron dhe nuk përsëritet si tragjikomedi aventureske. Aq më shumë në të ashtuquajturën Demokraci. Theksojmë: vetëm për Çlirimin e Tiranës dhanë jetën 220 bij e bija nga e gjithë Shqipëria ! Nderim i përjetshëm. E meritojnë një Përmendore të lartë apeli mu në zemër të Kryeqytetit. Ata janë e do të jenë përjetësisht “kullat” më të larta të kësaj bote të trazuar. Atje të gdhenden emrat e secilit. Atje të përkulet pasaniku e kripaniku, qytetari i thjeshtë dhe politikani dinjitoz, fshatari e zyrtari shtetëror a privat, çdo banor e turist. Siç përkulet tërë bota e përparuar përballë Antifashizmit, kësaj vlere të pashuar historike. Deri sa të ketë frymë Njeriu mbi dhe ! “Moj Luftë e Dytë Botërore/ Të bukur trima që more/ Një nga një me dorë i zgjodhe”!...

-Ju flet Tiraanaaa ! 17 Nëntor 1944.

U çlirua me forcat e veta. Një kolegu ynë i vjetër kishte parakaluar me rrobat e partizanit në trup. Ashtu hyri në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, atje ku do të derdhte djersë shumë, po edhe lot shumë. Kostumin e parë të dhëndërisë do e vishte pas gati një viti në Lukovë të Sarandës. Ia kish ruajtur nëna në sepete…Një shkarrashkrues qullavec i akshamit, vjet propozonte të hiqeshin emrat Myslym Shyri e Sabaudin Gabrani. Guxim budallai ?! Shërbëtorët e fëlliqur nuk u qasen as te maja e këmbës Dëshmorëve të Atdheut. Mbase ëndërrojnë e kërkojnë të fshihen prapë nën kapotat e robërisë nazifashiste. Se tradhtia nuk ka brirë. Dhe njerëzia nuk ha bar. E tha Sami Frashëri i pavdekshëm: Dëshira për liri dyfishon shpirtin e një kombi !