“Në Shqipëri mes imamëve që rekrutojnë për ISIS”. Kështu titullohet reportazhi që gazeta italiane "La Stampa" i ka kushtuar imamit të Cërrikut Kreshnik Çili, i dyshuar si pjesëmarrës në një rrjet rekrutuesish të luftëtarëve shqiptarë në Siri. 

Gazetari i "La Stampa", Giordano Stabile thotë se është vënë në gjurmët e luftëtarëve dhe predikuesve radikalë të zonës ndërsa ofron një panoramë të tijën për mënyrën se si funksionon rrjeti i atyre që rekrutojnë luftëtarë të huaj për në Siri. 

Reportazhi i La Stampa
“Ata që nuk besojnë janë të dënuar nga Kurani”. Është imami Kreshnik Çili, mekanik në një ofiçinë në Cërrik, 60 km në jug të Tiranës, porta hyrëse në galaksinë e predikuesve xhihadistë shqiptarë që aplikojnë ligjin e Sharias në Ballkan.
 
Qasja e tij ndaj dhunës është e tillë dhe pa asnjë hezitim: “Nuk është e drejtë të vrasësh gra, fëmijë, apo të krishterë, por ateistët janë të dënuar nga Kurani”. 

I dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet rekrutuesish të luftëtarëve shqiptarë në Siri, Çili ndodhet nën mbikqyrje maksimale. Këtë e tregon furgoni dhe autovetura e policisë që ndodhen vetëm dy blloqe më tutje.
 
Kundër tij nuk janë gjetur prova të mjaftueshme nga ana e policisë shqiptare ndaj dhe nuk pati një akuzë. Ai mbledh portokallet bashkë me nipin nga një pemë në oborrin e pasëm dhe më pas na prêt në një tip zyre, mes pjesëve të këmbimit dhe lubrifikantëve. Xhamia e tij, është mes atyre që kanë refuzuar kontrollin nga Komuniteti Mysliman në Shqipëri, duke përfaqësuar një prej pikave të dobëta të rrjetit të anti-luftëtarëve të huaj të krijuar nga qeveria e Tiranës.

Çili ka mjekër të gjatë dhe është i rrethuar nga 5 ndjekës të tij të moshave të ndryshme, e që nuk duan të fotografohen. Ata e konsiderojnë çdo perëndimor të padëshiruar. "Islami është paqe dhe dashuri" përsërit imami, me një ton që vjen duke u ngritur. Jemi sulmuar nga manipulimet e politikës dhe shtypit që duan të kthejnë njerëzit kundra njëri-tjetrit. Krijojnë urrejtje. Cila është gazeta juaj?

Vendet e kultit
Çili mohon që në zonë të ketë luftëtarë që kanë shkuar në Siri, ose janë kthyer, por në fakt zona mes Kavajës dhe Cërrikut, është në të vërtetë më e rriskuara dhe e vëzhguar nga njësitë anti-terrorizëm.
Është një Shqipëri e varfër, përgjatë rrjedhës së lumit Erzen, shtëpi të pasuvatuara, rrugë përtokë ku gjithandej sheh tabelën "shitet". Pikërisht këtu gjenden 200 vende kulti islamike, nga një total 727, të cilat janë jashtë kontrollit të qeverisë. Duke ndjekur rrugëtimin mes xhamive kryesore mund të hysh në galaksinë e xhihadistëve shqiptarë. 

Me Al Nusra
Njëri prej tyre është Ebu Merjen, i cili ka shkuar në Siri në vitin 2012 dhe është kthyer në fund të 2013. I lindur dhe rritur në Shkodër, në veri të Shqipërisë, pothuajse në kufi me Kosovën, Ebu Merjen u bë pjesë e Al Nusras, degë e Al Qaeda-s dhe u kthye përpara se të miratohej ligji anti-terrorizëm në 2014, që do ta kishte dënuar me burg.

Ai refuzon të flasë me gazetarët italianë, por pranoi të bisedojë me një kolege shqiptare." Nuk kam luftuar, thotë ai, vetëm sepse nuk munda të gjeja një armë". Kjo është teza që e ka lejuar të kthehet, duke i shpëtuar arrestimit. Ebu Merjen ka punuar si shofer dhe në një bar, por humbi vendin e punës pasi nuk pranonte të priste mjekrën dhe mbi të gjitha të mashtronte klientët, sepse “është e ndaluar nga Kurani”.
 
“Ky radikalizim është tipik për salafistët shqiptar” sipas gazetares së “Balkan Insight” Aleksandra Bogdani, e specializuar në çështjet e xhiahdistëve. “Në fillim të viteve 90, menjëherë pas rënies së komunizmit, shpjegon ajo, u rrit ndjeshëm numri I të konvërtuarve që ushqyen më pas fluksin e luftëtarëve të huaj. Ne I quajmë vehabistë Brenda 6 muash”, pra të lindur nga një ideologji e shpejtë dhe e rrëmë”.

Burri i italianes
Një tjetër rast është edhe ai Aldo Kobuzit, luftëtar shqiptar me emër italian, i martuar me xhihadisten italiane Maria Giulia Sergio. I rritur në Lushnje, në Shqipërinë Qëndrore, u radikalizua nga konvertimi i papritur i nënës së tij pas divorcit. Sot ndodhet në Raqqa, kryeqytetin sirian të Kalifatit, dhe është mes atyre që kërkohen nga shërbimet inteligjente italiane me çdo kusht nëse tenton të rikthehet. Sipas një përllogaritje të kujdesshme janë rreth 40 luftëtarët e huaj që rikthyer në Itali, duke kaluar përmes Ballkanit. “Dhjetra kanë humbur jetën në luftime, duke lënë të paktën 17 fëmijë jetimë dhe 13 gra të ve”-thotë Bogdani.

Nëse gjatë 40 viteve të regjimit komunist, të gjitha xhamitë jashtë Tiranës u rrafshuan, sot ka një mizëri të tilla në ndërtim. Ka projekte zyrtare, siç është ai për Xhaminë e Madhe në kryqytet me një vlerë prej 30 milion euro, punimet e së cilës u inaguruan në muajin maj në prani të presidentit turk Erdogan. Por ka dhe të tjera që po ndërtohen me financime jo fort të qarta.
 
Nga ana e tij Komuniteti Mysliman Shqiptar kërkon të bëjë të pamundurën. Në Kavajë, xhamia e vitit 1444 u rindërtua në stilin otoman dhe kontrollohet nga myftiu Besnik Leçini, në shenjë të tolerancës, siç shpjegon ai, sepse gjatë komunizmit ishim të gjithë të persekutuar, të krishterë e myslimanë.
 
 Ndërsa në xhaminë e Mëzezit, ku predikonte rekrutuesi Hysa, është emëruar një imam zyrtar me lidhje me Komunitetin Mysliman, por në xhaminë e Unazës së re, imami Armand Ali nuk pranon kontroll nga KMSH dhe as të intervistohet. Mesazhi I tij telefonik është për “tu gdhendur në gur”: E lexova artikullin e datës 2 janar në La Stampa. Nuk më pëlqeu. Me ju nuk flas”.

la stampa
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)