Laboratorë të teknologjisë së lartë! Manastirliu: 500 mijë euro investime për infrastrukturën e kërkimit shkencor në Universitetin e Mjekësisë

Laboratorë të teknologjisë së lartë! Manastirliu: 500 mijë euro investime për infrastrukturën e kërkimit shkencor në Universitetin e Mjekësisë

Ogerta Manastirliu

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në Universitetin e Mjekësisë Tiranë për përurimin e dy investimeve të rëndësishme të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor.

Projektet "Digjitalizimi i Diseksionit Virtual dhe ristrukturimi i Njësisë Laboratorike të Anatomisë" dhe "Digjitalizimi i Njësisë Laboratorike të Histologjisë" janë realizuar me një fond prej rreth 35,5 milionë lekë dhe synojnë modernizimin e laboratorëve të Anatomisë Normale dhe Histologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Këto projekte synojnë të përmirësojnë infrastrukturën didaktike, të rrisin nivelin e mësimdhënies dhe të plotësojnë nevojat e kërkimit shkencor në fushat e Anatomisë së Aplikuar dhe Klinike, si dhe në Histologji-Embrionologji.

“Për ne është shumë i rëndësishëm zhvillimi i aspekteve që lidhen me infrastrukturën e kërkimit shkencor dhe infrastrukturën didaktike, si dhe cilësinë e mësimdhënies. Besojmë që këto tre komponentë janë jetësuar më së miri në politikat e qeverisë shqiptare pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ne kemi rritur fondet e investimeve për kërkimin shkencor me mbi 40% dhe tashmë shohim të materializuara këto projekte pikërisht në Universitetin e Mjekësisë.

Sfida jonë është të zgjerojmë kapacitetet, duke mbajtur premtimin për 500 kuota të reja për studentët që do të studiojnë në Universitetin e Mjekësisë me standardet më të larta. Do të kemi laboratorë të rinj të financuar nga fondet e Kërkimit Shkencor. Për vitin 2024-2025, janë tre projekte të reja për Universitetin e Mjekësisë, të cilat padyshim do të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe asaj didaktike në formatin praktik,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha gjithashtu se investimet për zhvillimin e infrastrukturës së kërkimit shkencor janë në fokus të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

"Vetëm për Universitetin e Mjekësisë, për infrastrukturën dhe për projektet, janë mbi 500 mijë euro të cilat do të disbursohen këtë vit në funksion të zhvillimit të mjekësisë dhe shkencës në vend. Të gjitha këto janë të lidhura me njëra-tjetrën, por mbi të gjitha, janë mundësi për studentët për të qenë më afër ëndrrës së tyre për t'u bërë mjekët e ardhshëm dhe për të pasur aftësi të lidhura me aspektet globale dhe digjitale,” tha Manastirliu.

Ky investim do t’i shërbejë rreth 1300 studentëve të vitit të parë dhe të dytë të programit të studimit Mjekësi e Përgjithshme, si dhe studentëve të Farmacisë, Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Dentare. Përveç kësaj, do të përfitojnë edhe rreth 1,000 specializantë në 34 programe studimi specializimesh afatgjata. Ky investim do të lehtësojë gjithashtu procesin mësimor, praktikat mësimore dhe realizimin e punimeve në nivelin "master" dhe "doktoraturë", duke avancuar më tej kërkimin shkencor.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    EURO 2024/ Fillojnë ndeshjet e fundit, a mendoni se Shqipëria kalon grupin?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024, sot përballja historike me Spanjën, Rama i jep kurajo Kombëtares: Forca shqipe, sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit

Euro 2024, sot përballja historike me Spanjën, Rama i jep kurajo Kombëtares: Forca shqipe, sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit