TIRANË- Tre vite pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit, SPAk i ka dhënë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dy të pandehurve. Burime për Report Tv bëjnë me dije se bëhet fjalë për një person të huaj që është arrestuar në 2022-shin kur u zbulua laboratori i kokainës dhe një tjetër shtetas shqiptar.
Të njëjtat burime sqarojnë se 2 bashkëpunëtorët e drejtësisë kanë dhënë emra dhe episode të reja si të përfshirë në aktivitetin kriminal, ndërsa deri tani janë identifikuar në kuadër të 3 procedimeve mbi 15 persona.
Për këtë dosje, Apeli i GJKKO-së ka shpallur fajtor 10 persona dhe i ka dënuar me 89 vite burg. Në bazë të hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme rezultoi se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, planifikuan, organizuan dhe importuan nga Kolumbia për në Shqipëri ngarkesën e drogës.
Kokaina ishte fshehur mes “plehut organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që u transportua nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi.
Më pas, në rrugë tokësore ngarkesa u fut në Shqipëri në datën 19.09.2022 dhe pasi u zhdoganua në Tiranë, u transportua në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku u bë dhe sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia gjyqësore.
Banesa ku u zbulua laboratori i kokainës më 24 nëntor 2022, ishte në pronësi të ish-kryetarit të komunës së Farkullit, Viktor Çervanakut, i cili është dënuar me 10 vite burg.
Komente











