LAÇ- Një punonjës policie nga Laçi ka rënë në prangat e policisë pasi shiste sende të vjedhura nga i vëllai në Gjermani. Në pranga ka rënë Ernest Imeri 32 vjeç, me detyrë punonjës policie në Seksionin e Policisë Rrugore, pranë DVP Lezhë.

Ndaj tij kishte nisur një hetim që nga viti 2018, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, ndërsa hetimet ishin shtrirë deri në Gjermani për vjedhje banesash në kuadër të grupit kriminal.

Në qytetin e Hamburgut janë arrestuar dhe ndiqen në gjendje të lirë disa persona, në mes tyre edhe vëllai i efektivit të Policisë Rrugore në Lezhën ndërsa tre autorë janë arrestuar e janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe po vuajnë dënimin në shtetin gjerman.

Polici i arrestuar

Hetimet kanë zbardhur se punonjësi i policisë kishte pranuar se sendet ishin vjedhur nga i vëllai, duke i përdorur fillimisht e më pas duke i nxjerrë për shitje në treg.

Nga kontrolli në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura, me vlerë të lartë në treg, si orë, bizhuteri, pajisje guzhine, pajisje elektronike etj., por edhe një armë gjahu pa leje, të gjitha sendet dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman.

Ndaj 32-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.

Orët dhe bizhuteritë e sekuestruara nga policia