Temperaturat e larta të ujit në liqenin e Butrintit të cilat kanë arritur deri në 33 gradë Celcius po rrezikojnë midhjen.
 
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, temperaturat e lartë në ujërat detarë që rrethojnë Lagunën e Butrintit kanë shkaktuar efekte negative në kultivimin e midhjes.
 
Përmes një njoftimi zyrtar, ministria thotë se duke marrë parasysh rritjen e mëtejshme të temperaturave gjatë ditëve në vijim, ministri Edmond Panariti urdhëroi marrjen e masave për kontrollin e midhjes dhe zhvendosjen e saj në zona më të freskëta ujore.
 
Për këtë një grup specialistësh nga ministria dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore është nisur drejt Butrintit për të koordinuar me kultivuesit e midhjeve ndërhyrjet e emergjencës. Ndërkohë strukturat e ministrisë së Bujqësisë dhe bordet e kullimit po garantojnë furnizimin normal të lagunës së Butrintit me ujin e Bistricës për të freskuar sadopak temperaturat e ujit dhe garantuar edhe oksigjenimin e saj të qëndrueshëm.
 
Gjatë ditëve në vijim, temperaturat pritet të rriten si pasojë e një anticikloni të gjerë në Mesdhe. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)