Gjykata e Kurbinit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për  vëllezërit Gjergj dhe Nikollë Cali, të përfshirë në konflikt me deputetin, Armando Prenga.

Në seancë vëllezërit Cali u përfaqësuan nga avokatët, të cilët kërkuan hetim në liri ose të paktën masë me “arrest shtëpie”.

Gjykata nuk pranoi kërkesën e avokatëve dukë dhënë arrest me burg.

Gjergj dhe Gjok Cali akuzohet për plagosje dhe armëmbajtje pa leje. Vëllezërit u përfshinë në konfliktin e 4 shtatorit për Lagunën e Patokut, ku u përplasën me Pregën.

Ndërkohë Gjykata e Lartë më 23 tetor dha vendimin me arrest shtëpie për deputetin Armando Prenga, i cili akuzohet për plagosje të lehtë.

Procesi gjyqësor për konflikt mbi Lagunën e Patokut, ku pati një përplasje mes familjes Cali dhe Prenga, do të zhvillohet i ndarë në dy gjyqe.

Ky vendim është marrë disa javë më parë nga Prokuroria e Përgjithshme e cila për Gjokë, Nikollë dhe Gjergj Calin ia ka kaluar për kompetencë Prokurorisë dhe Gjykatës së Kurbinit me akuzën e “armëmbajtjes dhe plagosjes”.

Në të njëjtën gjykatë do të zhvillohet procesi dhe për Gazmir Jushin i cili u përfshi në këtë konflikt pasi ishte në shoqërinë e shokut të tij, deputetin Armando Prenga.

Në Gjykatën e Lartë do të vazhdojë vetëm procesi ndaj deputetit Prenga për shkak të kompetencës së kësaj gjykate për personat që kanë statusin e deputetit, të cilin Prenga ende e gëzon.

Redaksi Online
(f.s/shqiptarja.com)