Lajçak takohet me Kurtin në Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar të shtunën në Prishtinë, të dërguarin e posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ndonëse nuk dihet saktë se çfarë do të bisedohet në këtë takim, vizita e Lajçakut vjen disa ditë pas vizitës së të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Escobar kishte thënë se ndër qëllimet e vizitës ishte edhe inkurajimi për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Vizita e Lajçakut vjen po ashtu në kohën kur në opinion po qarkullon një i ashtuquajtur propozim gjermano-francez në lidhje me lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Propozimi, sipas raportimeve në media, nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Ndërkohë, të premten, në një takim me Ramush Haradinaj, liderin e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryeministri Kurti u tha se është diskutuar për përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale me Serbinë.

Analistë dhe ekspertë të politikave ndërkombëtare ditëve të fundit kanë vlerësuar se ka një ndryshim në qasjen ndaj dialogut dhe mund të ketë hapa drejt një marrëveshjeje finale. Vizita e fundit e Mirosllav Lajçakut në Kosovë ishte më 13 tetor.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë në dialog nën ndërmjetësimin e BE-së. Këto dy shtete, megjithatë kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Beorgadi kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa elaboruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:09
Lajçak: U takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin për marrëveshjen përfundimtare

1666442977_Screenshot1.jpg

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të shtunën se u takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin se si do të duket marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa nënvizoi se është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione, derisa afrohet 31 tetori që është afati i përcaktuar nga qeveria qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, më të cilin tha se ka diskutuar edhe për nismën franko-gjermane për marrëveshjen Kosovë- Serbi, por pa dhënë hollësi.

“Takimi me zotin Kurti ka qenë shumë konstruktivë dhe i dobishëm dhe ne po përparojmë në diskutimet tona”, tha ai.

Zoti Lajçak tha se nuk ka parë asnjë dokument për statutin e Asociacionit për komunat serbe të publikuar ditë më parë në mediat lokale në Kosovë, duke pretenduar se është hartuar nga ekspertë gjermanë dhe i referohet marrëveshjes së vitit 2013 të arritur në bisedimet Kosovë – Serbi në Bruksel.

Në vizitën e sotme që është e dyta brenda nëntë ditësh në Prishtinë, zoti Lajçak tha se po provon të jap zgjidhje për çështjen targave të makinave që do të shmangte çdo mundësi të tensionimit të situatës.

“Ne jemi në proces të diskutimeve për këtë dhe kjo është në dorën e kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës të marrin vendim. Ne jemi duke u përpjekur që të ndihmojmë dhe siç kemi thënë shqetësimet tona janë që të mos ketë tensione dhe dhunë në terren kjo është me rëndësi sepse mendoj se nuk është në interes të Kosovës posaçërisht në këtë kohë të rëndësishme ku procese shumë të rëndësishme po zhvillohen, diskutimet për liberalizimin e vizave, diskutimet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kështu që gjëja e fundit që Kosova ka nevojë do të ishte dhuna këtu në terren”, tha ai.

Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Me 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, ndërsa më 31 tetor përfundon afati për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se së bashku me diplomatët evropianë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zgjasin afatin e konvertimit të targave të makinave për dhjetë muaj dhe tashmë janë në pritje të përgjigjes.

Qeveria e Kosovës ka thënë se i kupton shqetësimet por ajo ka detyrim siç thuhet ndaj sundimit të ligjit, kushtetutshmërisë dhe vendimeve të saj.

Diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë ndaj Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje për marrëveshje normalizimi dhe parandalimin e tensioneve si ato të tre muajve më parë në veriun e Kosovës.

K.T./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase