Lajm i zi për shkencën, ndërron jetë gjuhëtari i shquar David Luka, kontributi me 20 vëllime të botuara

Lajm i zi për shkencën, ndërron jetë gjuhëtari i shquar David Luka, kontributi me 20 vëllime të botuara

David Luka

Një lajm i zi vjen sot për shkencën, albanologjinë dhe gjuhësinë shqipe. Prof. Dr. David Luka u nda nesh. Studiues serioz e i themeltë në lamin e gjuhësisë shqipe, në disa disiplina të ndryshme ku kontributi i tij i vyem njeh 20 vëllime të botueme, disa tekste universitare, e nji përmbledhje prej 10 vëllimesh―në dijeninë time―që ka mbetë në proces.  

Humbja e Tij nuk asht dhimbje vetëm e familjarëve, por e kolegëve, miqve dhe e krejt Shqipnisë. E kësaj të fundit ndoshta edhe ma shumë sepse Ai i kushtoi krejt mundin e jetën e tij intelektuale, në etapa të vështira të Tij historike, sikundërse e ka shprehë sa herash në publikimet e tij.  

Në kaq sa më lejon formimi im gjuhësor mundem me pohue se ndihmesa shkencore e Prof. Lukës mbulon pjesën ma të madhe të problematikave të kësaj fushe (të gjuhësisë shqipe pra), që kanë rrjedhë e janë kanalizue në ujnat komuniste e neokomuniste në Shqipni. I ftohtë, skrupuloz e i ashpër në shumicën e argumenteve a debateve shkencore, që në anën tjetër kanë sjellë edhe paradoksin shqiptar që mund të kishte nji intelektual i kalibrit të Tij: me u skajue e lanë në hije. Modestisht mundem me thanë se kjo ndiesi për Të nuk ka qenë e re, sepse Ai ishte rrâ (si nji pjesë tjetër) me ‘internime’ intelektuale nëpër fshatna të thellë, a gjysë të thellë të Shqipnisë. Ndërkohë që debatet shkencore e artikujt e Tij, botoheshin aty ky botonin Çabej e tjerë. Shkencërisht, gjykoj, se ka ditë në naltësinë e duhun me e ba kalimin e interpretimeve të çêshtjes ma akute sot për sot: gjuhë standarde vs. gegënishte. Do nuk janë as nuk pajtohen me përfundimet e Tij, do të tjerë janë neutralë si shumica e gjuhëtarëve shqiptarë, e do të tjerë mendojnë se afirmimi i gegënishtes në veprat e Tij nuk asht ba ma shumë se te asnji gjuhëtar shqiptar.

Natyrisht afirmimin e Tij e ka ba me modele e pilastra kulture, e jo me shembuj aktualë siç mund të bajnë disa persona, klane, a ‘primate’ gegëshkruesish. Dhiata e Tij ka qenë libri e as ekrani e as portali. Ka pasë nji shprehje shumë interesante, që përditë më duket se merr vlerë ma tepër: ‘libri hîn n’raft.’ E në raftet e lexuesve kanë hy, qindra faqe të grupueme në vëllime mbi: Gjergj Fishtën, Martin Camajn, Donat Kurtin, Vinçenc Malajn, Karl Gurakuqin, Justin Rrotën, Kolë Ashtën, Bernardin Palajn (e sa Fretën të tjerë), Arshi Pipën, Buzukun e shumë e shumë të tjerë tue përfshî edhe figura qendrore (të vona) në fushën e gjuhësisë si Eqrem Çabejn, Shaban Demirajn, Kolec Topallin e me radhë.

Pra kriteri i Tij ka qenë puna, edhe pse prej saj asht penalizue siç ndodhë zakonisht në realitetin shqiptar. Tue qenë i formatit të autorëve të vjetër, ka dëshmue gjithçka që i ka rezultue se ka nevojë për sinore profesionale. Nuk ka zgjedhë nji rrugë komode, në përshkimin e tij si shkencëtar, me botue pak ose hiç e me qenë titullar katedre, por me punue shumë për me dritësue çêshtje bazike të lamit gjuhësor, si në fonetikë historike për shembull, që mbas Tij nuk e di se a ka me pasë ma gjeneratë gjuhëtarësh që kanë me u marrë me këtë degë. Humbja e nji gjuhëtari serioz për kombin, nuk asht humbje numerike por humbje dekadash për shkencën.  

Në këtë kontekst e kohë dhimbjeje, apo edhe në ndonji shkrim tejtër, kam bindjen se kushdo që merr përsipër me përkujtue kontributin e ndritshëm të Prof. David Lukës, ndihet i pafuqishëm me sintetizue krejt madhshtinë e punës së Tij.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Futet nga stoli dhe përmbys ndeshjen, Rocco Vata i jep tri pikë Watfordit në limite

VIDEO/ Futet nga stoli dhe përmbys ndeshjen, Rocco Vata i jep tri pikë Watfordit në limite