Lajmet e rreme, mbërrin në
Senatin italian projektligji
Gjoba deri në 5.000 euro dhe burg

Lajmet e rreme, mbërrin në<br />Senatin italian projektligji<br />Gjoba deri në 5.000 euro dhe burg
Dënime penale dhe civile për ata që përhapin lajme “të ekzagjeruara apo tendencioze, që kanë të bëjnë me të dhëna apo fakte të cilat duket hapur se janë pa baza ose false”.

Është ky një ndër pasazhet e një projektligji, që parashikon dispozita për të parandaluar manipulimin e informacionit online, për të garantuar transparencën në botën e mediave online dhe për të nxitur “alfabetizimin mediatik”. Ky projekt është paraqitur tashmë në Senatin italian dhe drejtohet kundër blogjeve dhe forumeve që përhapin lajme të rreme.

Për ata që i përhapin mund të arrihet në një gjobë deri në 5 mijë euro. Ndërkohë, në rast se konstatohet që lajme të tilla ngjallin alarmin e publikut apo shkaktojnë dëmtimin e interesave publike, përveç gjobës, do të vinte edhe dënimi me jo më pak se një vit burgim. Neni 3 i projektligjit parashikon masa për të shmangur anonimatin, ndërkohë që neni 4 vendos rregulla për korigjimin.

Kjo nismë ligjore mbërrin pas deklaratave të kryetarit të autoritetit italian të Konkurrencës Giovanni Pitruzzella, i cili në fund të vitit të kaluar propozoi krijimin e një rrjeti organizmash ndërkombëtare të pavarura, por të koordinuar nga Brukseli, për të identifikuar dhe sanksionuar ata që përhapin lajme të rreme. Kundër këtij propozimi u shpreh kreu i ‘Lëvizjes 5 Yje’ Beppe Grillo, duke e cilësuar atë një “inkuizicion të ri”. 

Kundër shpërndarjes së lajmeve false ndërhyri atëhere edhe kryetarja e Dhomës së Deputetëve Laura Boldrini, e cila u shpreh në një videomesazh: “Lajmet e rreme nuk janë budallallëqe, janë gënjeshtra të menduara për të bërë dëm”.

Projektligji mban firma të senatorëve nga të gjitha grupet parlamentare italiane. Sipas tyre, duhet të bëhet dallim midis lajmeve të rreme të menduara si satirë dhe atyre që sjellin dëme serioze. “Dëshirojmë të garantojmë transparencën në web dhe të nxitim alfabetizimin mediatik përmes formimit të të rinjve. Kemi të bëjmë me një betejë për qytetërimin: projektligji ynë është vetëm fillimi i një diskutimi, që shpresojmë të jetë shumë i gjerë”. Synimi nuk është “t’u mbyllet goja portaleve dhe të mos vendosim sherifë për t’i kontrolluar, por të vendosim rregull aty ku tani mungon”.
 
Debati në SHBA dhe Rusi       
Por tema e lajmeve të rreme nuk intereson vetëm Italinë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës debati shpërtheu duke filluar nga fushata elektorale e Donald Trupmit për në Shtëpinë e Bardhë, për të arritur kulmin ditën e inaugurimit me “faktet alternative” siç i cilësoi këshilltarja e tij Kellyanne Conway.

Një mënyrë kjo për të sulmuar mediat, që kishin konstatuar një pjesëmarrje më të vogël të publikut se sa në inaugurimin e Obamës. Edhe vetë presidenti akuzoi mediat, duke përfshirë CNN, se prodhojnë informacione false.

Debati arriti edhe në Moskë, ku Putini shpjegoi se ata që prodhojnë lajme të rreme mbi Trumpin “janë më keq se prostitutat”. Ky ishte një aluzion me dossierët “hard”, që shërbimet sekrete ruse kanë në dorë, me materiale komprometuese të periudhës kur presidenti aktual amerikan ndodhej në Moskë si organizator i konkursit Miss Univers 2013.

Kremlini ka njoftuar se së shpejti do të krijojë në sajtin e ministrisë së Jashtme një hapësirë, ku do të publikojë lajmet e rreme të mediave kryesore të huaja.

Kjo hapësirë do të nxjerrë edhe deklarata nga përfaqësues zyrtarë të vendeve të ndryshme, tha zëdhënësja e ministrisë Maria Zaharova dhe “do të japë nga burime reale të dhëna dhe do të bëjë publik çdo reagim rus për çdo çështje të veçantë”.

Si mund të luftoni kundër lajmeve të rreme, kur bëni gjithshka të mundur për t’i krijuar ato”, tha Zaharova, duke komentuar publikimet e fundit të disa mediave amerikane, si psh ato mbi mundësinë që Snowden të ekstradohej në Amerikë si një dhuratë për Donald Trumpin. Duke nënvizuar se akuzat e lëshuara nga një koleg i kandidatit presidencial francez Macron kundër mediave ruse RT dhe Sputnik, sipas të cilave ato ushtrojnë ndikim në demokracinë franceze, nuk kanë të bëjnë me mediat e cituara prej tij.      
 
(Marrë nga gazeta “Il fatto quotidiano”)  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier, qytetarët me flamuj kuq e zi bëjnë paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier, qytetarët me flamuj kuq e zi bëjnë paradë në qendër të qytetit