PRISHTINË- Arrestohet në Kosovë, Albert Veliu, i njohur ndryshe si Babalja. Veliu është arrestuar në qendrën e azilit në Prishtinë, dhe është dërguar menjëherë në paraburgim. Veliu është arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare.

Prokuroria shqiptare ka kërkuar arrestimin e Albert Veliut 5 ditë më parë, me akuzën e kallëzimit të rremë, kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i Paligjshëm i Kufirit”. Ai akuzohet se bashkë me kunatin e tij, Fredi Alizoti inskenuan përgjimin Babalja 1, ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bënte pazare droge me Albert Veliun.

Ishte akt-ekspertimi i ardhur nga Anglia, që vulosi fatin e Babales, aty qartësohej se zëri në audiopërgjim nuk ishte i Agron Xhafës. Albert Veliu, i cili u prezantua në media me emrin ‘Dëshmitari X’, u largua në Kosovë në muajin maj, ku kërkoi edhe azil. Veliu ndodhej në Kosovë bashkë me djalin e tij, ndërkohë që ka deklaruar para autoriteteve kosovare se është larguar në Kosovë pasi i rrezikohej jeta. Pas procedurave ligjore pritet që Albert Veliu të ekstradohet në Shqipëri.

Ekzekutimi i urdhërdalimit

 

Autorizimi

Report Tv publikoi pjesë edhe nga përgjimet e prokurorisë ku del në pah se gjithçka në adresë të Agron Xhafajt ka qenë e inskenuar nga protagonistët Albert Veliu dhe kunati i tij, Fredi Alizoti i cili ka imituar zërin e vëllait të ministrit. Sipas përgjimeve rezulton se Babales dhe Alizotit i ishin premtuar nga 100 mijë euro secili, nga deputeti me mbiemër 'Salianji'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:50
Arrestimi i Babales në Kosovë, avokati: Në Shqipëri i rrezikohet jeta, t'i jepet azil

Pas arrestimit të Albert Veliut në Kosovë, avokati i tij, Tomë Gashi, ka reaguar duke thënë se një ekstradim drejt Shqipërisë do t’i rrezikonte jetën klinetit të tij. Ai shprehet se duke qëndruar në këto pohime, shpreson që Gjykata e Kosovës nuk do të lejojë një ekstradimin, duke kujtuar edhe njëherë të drejtat dhe parashikimet e konventave ndërkombëtare.

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë sot në Prishtinë është arrestuar klienti im z. Albert Veliu i njohur si "Babalja", shtetas i Shqipërisë. Sipas familjareve te Albert Veliut, atij dhe djalit të tij i është lejuar kërkesa për azil në Kosovë deri me 29.11.2018. Klienti im pretendon se jeta e tij është e rrezikuar nëse ekstradohet në Shqipëri për shkak të implikimit të tij në aferën që ndërlidhet me z. Agron Xhafa vëllanë e Ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë. 

Sido që të jetë besoj që, Gjykatat në Kosovë do t'i respektojnë të drejtat e personave që kërkojnë azil politik të garantuar me ligje të Kosovës dhe me konventa ndërkombëtare dhe nuk do ta ekstradoj Z. Albert Veliun të cilit i është pranuar azili në Kosovë.

Tom Gashi, avokat i Albert Veliut (Babalja)