Lamtumirë Dritëro! Përcillet për
në banesën e fundit shkrimtari

Lamtumirë Dritëro! Përcillet për<br />në banesën e fundit shkrimtari
Karafila të bardhe e të kuq fluturuan në ajër e mbuluan trupin e pajetë të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, duke e përcjellë për në banesën e fundit, drejt Varrezave të Tufinës pas ndarjes nga jeta dy ditë më parë.
 
E gjithë Shqipëria i ka dhënë lamtumirën këtë dielë patriarkut të letrave shqipe.

Politikanë, shkrimtarë artistë kanë bërë homazhe me nderim e përulje të madhe.

Gruaja, Sadija, djali dhe vajza Elona, nipërit dhe mbesa me lot ne sy qëndrojnë plot dinjitet ne homazhe. 
  
Ky është lajmi më i rëndë i këtij dimri, tha shkrimtari Ismail Kadare dy ditë më parë, kur Dritëro Agolli ndërroi jetë në sanatoriumin e Tiranës.
 
Ikja e Dritëro Agollit preku e lëndoi çdo shqiptar që e ka njohur, shkrimtarë, artistë, piktorë, skulptorët aktorët e regjisorët.
 
Dritëro Agolli është pjesë e gjithsecilit, dhe në familje përveç njeriut të zemrës është megjithatë poeti dhe shkrimtari i vendit të tij, siç pohoi edhe i vëllai Tajar Agolli.
  
Shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo u shpreh se vepra e tij është e pavdekshme.
  
Dritero Agolli ishte krijuesi qe elektrizonte artistët e të gjitha fushave. Skulptori i madh Muntaz Dhrami kujton kontaktin më të afërt me Dritëroin, që e pati vetëm dy muaj më parë. I ka dhuruar një bocet të skulpturës që ka bërë për të. Tani ai ka gati një vepër.
  
Nga Korça, Tirana, Durrësi, Tepelena, Shkodra, Kosova e më gjerë kanë ardhur shoqata kulturore, individë e përfaqësues
 
Kineasti Pirro Milkani ka bërë një dokumentar për 80-vjetorin e lindjes, ndërsa kujton kontributin e tij si skenarist. 
 
Ceremonia e homazheve në nder të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli është mbajtur për rreth tre orë rresht në Pallatin e Kongreseve në Tiranë duke vijuar më pas në varrezat e Tufinës, ku qindra vetë kane shoqëruar shkrimtarin deri ne lamtumirën e fundit. 

[gallery]20920[/gallery] 
Homazhet për shkrimtarin Dritëro Agolli:

Ora 15:00 Dritëro Agolli do të prehet në varrezat e Tufinës
Ka përfunduar ceremonia mortore për shkrimtarin e madh Dritëro Agolli. Pas homazheve në Pallatin e Kongreseve, arkëmorti me trupin e pajetë të Agollit mbërriti në banesën e fundit, në varrezat e Tufinës, aty ku ai do të prehet përgjithmonë. Lamtumirë Dritëro!

Ora 14:40 Sadije Agolli: Amaneti i Dritëroit, do botoj të gjitha dorëshkrimet
Sadije Agolli, bashkëshortja e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli premton se do të mbajë premtimin e tij, për botimin e të gjitha dorëshkrimeve. 

Premtimin e saj, Sadija e bëri përpara përcjelljes së Dritëroit në banesën e fundit, ndërsa u shpreh se nuk priste që shkrimtari të ndahej nga jeta.    

"Mendoja se ai do të jetonte. E donte jetën në çdo grimcë të saj. Më ka lënë shumë shumë gjëra. Duke i pastruar kostumin, kam gjetur blloqe me aforizma, me mendime në Parlament, dhe kudo ku ulesh, në kafe. Edhe kohët e fundit shkarraviste. I ndau stilografët e çmuar. Jo Dritëro, do t’i ruaj, të gjitha do t’i ruaj. Meraku i tij ishin dorëshkrimet që nuk arriti t'i botonte. Do i botoj të gjitha dorëshkrimet", tha Sadije Agolli. 



Ora 13:30 Dritëro Agolli përcillet për në banesën e fundit
Kortezhi mortor me trupin e pajetë të Dritëro Agollit, pas homazheve në Pallatin e Kongreseve, u drejtua për në varrezat e Tufinës ku do të prehet shkrimtari i madh. 

dritero agolli

dritero agolli



Ora 13:20 Tajar Agolli (i vëllai): Ishte vëllai i të gjithë shqiptarëve
Tajar Agolli, vëllai i Dritëro Agollit, mbajti fjalimin e fundit në ceremoninë e lamtumirës për shkrimtarin e madh.  
 
Ai tha se Dritëroi ishte vëllai i të gjithë shqiptarëve.
 
"Unë jam vëllai, ishte vëlla im. Ishte vëllai i të gjithë ju, të gjithë Shqipërisë. Të gjitha fjalët u thanë në mënyrë të shkëlqyer.
 
Ju falenderoj të gjithëve. I paharruar qoftë kujtimi i tij
". 

tajar agolli

Ora 13:05 Moikom Zeqo: Agolli do të përjetojë jetën e dytë
Shkrimtari Moikom Zeqo u shpreh gjatë fjalimit të lamtumirës se Dritëro Agolli do të kujtohet përmes veprës së tij. 

"Kemi dëgjuar këto ditë shprehjen "u largua Dritëro Agolli"! Është e pakuptimtë, shkrimtari nuk largohet dot, është e pamundur. Në vdekje nuk ka rubikon. Agolli me vdekjen e tij është njeriu që do të përjetojë atë që quhet nga të mençurit, jetën e dytë që është më misterioze, tekanjoze, që ka të bëjë me atë që mbetet nga shkrimtari, nga librat e tij", tha shkrimtari Moikom Zeqo. 

moikom zeqo

Ora 12: 40 Ruçi kujton vitet 90: Agolli, partizan i pluralizimit politik
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka vlerësuar kontributin politik të Dritëro Agollit, në ndryshimin e sistemeve në fillim të viteve '90.
 
Ruçi tha se shkrimtari ishte partizan i pluralizmit politik, ndërsa kujtoi edhe fjalimin e famshëm të Agollit në Kongresin e Partisë së Punës, ku ai u vërshëllye se kërkoi reformimin e PPSH-së.
 
"Dritëro Agolli ishte partizan i pluralizmit politik. Ishte kundër dhunës ndaj studentëve, insistonte për dialogun. Shumë kush thotë se demokracinë e solla unë, ka qenë një paradoks i njerëzve të mençur që në vitet '90 të mbanin qëndrime, paçka se pluralizmi në Shqipëri u fut pa atë dhimbjen e madhe që u fut në vendet e Lindjes.
 
Pas një viti në këtë sallë ku jemi sot, ishte mbledhur Kongresi i PPSH. Shumë nga ne që ishim aty, themelues të partisë, i themi vetes, besoj se këto ditë secili nga ne kanë freskuar memorien përmes atij inserti të dhënë në televizione, Dritëroi po fliste dhe e gjithë salla po vërshëllente, ndërsa ai po qëndronte stoik deri në fund duke mbrojtur qëndrimet e tij"
, tha Ruçi. 



Ora 12: 18 Rama: Dritëroi iku përgjithmonë pasi i tha të gjitha
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e lamtumirës në Pallatin e Kongreseve, në nderim të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.
 
Kreu i qeverisë tha se Dritëroi "iku përgjithmonë pasi i tha të gjitha".
 
Rama citoi disa nga vargjet e Dritëroit në fjalën e lamtumirës gjatë homazheve, ndërsa shtoi se "ikja e Agollit ishte si një kthim prej andej nga erdhi".
 
Po të mos më shtrëngonte detyra, do t’i bëja bisht kësaj ceremonie dhe sëkëlldisë së madhe të të qenit këtu. Siç ndodh gjithnjë kur vdes gjithkush, të dukurit të rreshtohen për t’i dhënë vdekjes së ky dikushi na përket neve dhe jo ju. Sëkëlldia ma sjell mua afër atë dikushin e madh të kyçur në atë arkë në atë kreshtën e parë fytyrën si të rrahur nga të gjitha erërat, një gotë në dorë, dhe sytë më thonë: “Ore ç’po thua, ç’është kjo mbledhje. Jeni mbledhur për të folur për mua”. Ne këtu flasim e flasim, pasi ai i tha të gjitha. La gruan dhe iku me vdekjen. Iku me të dytën, për mos të humbur të parën. Kjo hije e Dritëroit, është si një kthim përfundimtar prej andej nga erdhi teksa jepte dhe merrte një jetë të tërë”, tha Rama.

Fjala e Ramës në homazhet për Dritëro Agollin



Ora 12:10 Ish-Presidenti Moisiu: Vendi ka sërish nevojë për ty Dritëro
Ish-presidenti Alfred Moisiu u shpreh gjatë homazheve për Dritëro Agollin se shqiptarët kanë ende nevojë për fjalën e shkrimtarit. 

Moisiu tregoi për miqësinë e tij me Dritëroin dhe bisedën e fundit telefonike të zhvilluar me të në 85-vjetorin e lindjes. 

"Vërtetë shqiptarët kanë ende nevojë për fjalën tënde, për mendimin tënd të mençur, të pjekur, maturuar, të urtë sepse të tilla janë kohërat që po kalojmë dhe aq më tepër të shprehur me një gjuhë që e takojnë të gjithë, gjuhë të shtruar popullore të papërzier me fjalë të huaja, por shumë kuptimplotë. Me Dritëroin jam njohur në vitin 1958 në klubin e shkrimtarëve dhe unë i sapo kthyer nga Akademia dhe ai kishte rreth 2 vjet që ishte kthyer gjithashtu. Biseduam se çfarë duhet bërë që ky vend të ecë akoma më shumë përpara. Ishim ende të pazhgënjyer për ato që ndodhën më vonë. Edhe për këtë, sërish vendi kishte nevojë, për ty Dritëro. Ke pasur një zemër të madhe shqiptare. Bisedëm e fundit e patëm në tetor kur e mora në telefon për ta uruar për ditëlindjen dhe ai ashtu i sëmurë vetë, më foli me plot shqetësim për sëmundjen e kolegut dhe mikut të tij, Uruçi që pak ditë më vonë ndërroi jetë", tha Moisiu. 

Ora 12:02 Meta: Shqipëria më e varfër pa Dritëroin
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mbajti një mesazh të shkurtër lamtumire për Dritëro Agollin. 

Meta u shpreh se pa Dritëroin Shqipëria do të jetë më e varfër, pasi ka humbur një shkrimtar të shquar dhe një politikan të klasit të parë. 

"Dritëroi ishte dhe do të jetë reflektimi që erdhi nga e shkuara dhe orientimi ynë për të nesërmen e të ardhmes europiane. Pa Dritëroin, Shqipëria është më e varfër. 

Dritëroi është në piedestalin e mirënjohjes së një populli që e deshi shumë. Dritëroi ka bërë dhe do t'i bëjë brezat të gëzohen me
të", u shpreh Meta. 

Ora 11:47 Kryeministri Edi Rama homazhe për Dritëro Agollin
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, ka zhvilluar homazhe në Pallatin e Kongresve, pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli.  

Pas vendosjes së një kurore me lule, kreu i qeverisë la shënim edhe në librin e kujtimeve. Rama takoi edhe familjarët e Agollit. 

rama

Ora 11: 43 Në homazhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, për të zhvilluar homazhe në nderim të shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli. Meta ka ngushëlluar familjarët për humbjen e njeriut të tyre të dashur, ndërsa ka lënë një shënim në librin e kujtimeve. 

meta

Ora 11: 30 Kryebashkiaku Veliaj mbërrin në homazhe
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ka zhvilluar homazhe në Pallatin e Kongreseve për Dritëro Agollin. 

veliaj

Ora 11:20 Kryetari i PD, Basha në homazhe
Kryetari i PD, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka, ka zhvilluar homazhe në nderim të Dritëro Agollit. 

basha

Ora 11:05 Ish-Presidenti Topi homazhe dhe shënim në librin e kujtimeve për Agollin

Ora 10: 55 Mbërrin në homazhe dhe ambasadori Donald Lu
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu zhvilloi homazhe në Pallatin e Kongreseve. Lu la edhe një shënim në librin e kujtimeve. 

Ora 10: 40 Ambasadorja kineze homazhe për Dritëroin
Ambasadorja kineze në Tiranë, Jiang Yu, ka zhvilluar homazhe në nderim të Dritëro Agollit. Ajo ka lënë edhe një shënim në librin e kujtimeve. 

Ora 10:30 Nisin homazhet ndarjen nga jeta të shkrimtarit Dritëro Agolli
Kanë nisur në Pallatin e Kongreseve, homazhet për shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili dy ditë më parë u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare. 

homazhe dritero agolli

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)