TIRANE- Vizita tek okulisti i Dritan Dajtit, të dënuarit me 25 vite burg për vrasjen e katër policëve ngjarje e ndodhur në vitin 2009 në Durrës, i ka kushtuar postin drejtorit të Policisë së Burgjeve Bardhyl Kaçorri, drejtorit të IEVP-së Peqin Emin Shpata si dhe shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici.

Gjithashtu është shkarkuar nga puna mjeku i të IEVP Peqin, Andi Andoni, ndërsa janë paralajmëruar mjekja e DPB, Ermira Qirinxhi si dhe inspektori i IEVP Peqin, Mefat Shehu.

Urdhri për këto masa të rrepta ndëshkuese është firmosur nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. 

Në shkresën e siguruar nga Report Tv thuhet se nga hetimet ka rezultuar se strukturat shëndetësore dhe Policore të Burgut Peqin nuk kanë ndjekur procedurat ligjore dhe rregulloret e brendshme, si dhe nuk kanë marrë në konsideratë asnjë mundësi që vizita shëndetësore e Dajtit të bëhej në klinikat publike pranë burgut, ndërsa theksohet se lidhur me këtë vendim nuk është pyetur as drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili.

Gjithashtu, një pikë tjetër ku evidentohet shkelje e rëndë është shoqërimi i Dajtit në një orë dhe vend të populluar siç është zona e Bllokut, duke marrë edhe vëmendjen në publik, ndërsa nuk është bërë një vlerësim paraprak i masave të sigurisë pranë klinikës ku është dërguar i dënuari.

"Sipas të gjitha të dhënave, është konkluduar qartazi se në shkelje flagrante me ligjin, stafi mjekësor e drejtues në IEVP-në Peqin nuk kanë  kryer asnjë proces vlerësimi të kërkesës – në profilin mjekësor dhe operacional të riskut - dhe nuk ka marrë në konsideratë asnjë mundësi për kryerjen e vizitave mjekësore pranë strukturave shëndetësore publike të afërta me institucionin e vuajtjes së dënimit.

Nga hetimi është konkluduar se është shkelur neni 33 i ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, dhe i nenit 106 të rregullores së përgjithshme të burgjeve parashikohet se të paraburgosurit dhe të dënuarit mund të kërkojnë që të vizitohen, me shpenzimet e tyre, nga një mjek i zgjedhur nga ata. Por kjo kërkesë vlerësohet nga strukturat  përkatëse duke vlerësuar mundësitë për marrjen e trajtimit të specializuar të të dënuarit nga spitali i burgjeve dhe organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë.

Pavarësisht mundësisë së marrjes së këtij shërbimi në organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë duke përfshirë spitalet publike, asnjë nga strukturat përgjegjëse nuk e ka vlerësuar dhe konsideruar kontrollin mjekësor në strukturat publike shëndetësore, por është dhënë aprovimi për kontrollin mjekësor në një klinikë private okulistike", thuhet në urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009. Por me vendimin e Apelit të tre gjyqtarëve që i pranuan gjykimin e shkurtuar, rrjedhimisht e shpëtuan atë nga burgimi i përjetshëm, dënimi u ul në 25 vjet heqje lirie. 

 

VIDEO/Vizita e Dritan Dajtit

Shkarkimi i drejtorit të burgut të Peqinit