Deputetja socialiste Iris Luarasi ka reaguar në rrjetet sociale pas incidentit me protestuesit që e ndoqën brenda qendrës tregtare ndërsa shkonte drejt parlamentit duke e quajtur “pritë.” Luarasi shprehet se u dhunua verbalisht nga gra që e akuzojnë se nuk mbron gratë.

Deputetja shprehet se do ta denoncojë rastin pasi nuk pranon “shpifjen, kërcënimin dhe dhunën.”

“Sot duke hyrë në parlament disa vajza më kishin zënë pritë, me sharje, me fyerje dhe me celularët gati për të filmuar spektaklin që kishin përgatitur. Dhe patjetër që për një çast u lëndova, jo se nuk e përballoj kritikën, por sepse pashë vajza të reja që besonin se poshtërimi i një gruaje ishte mënyra për të mbrojtur gratë. Më thirrën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoj të m’i vjedhë askush. E aq më pak disa vajza që kanë vendosur ta quajnë dhunën aktivizëm. Më akuzuan se nuk mbroj gratë ndërkohë që po dhunonin vetë verbalisht një grua. Kjo është vërtet ironike, por edhe për të ardhur keq! Mbrojtëse të grave, me fyerje në gojë, me telefonin në dorë dhe një grua të vetme që e kishin rrethuar. Unë nuk pretendoj të përfaqësoj këto gra që ngatërrojnë aktivizmin me agresionin, protestën me pritën dhe guximin me fyerjen. Por, përfaqësoj gra dhe vajza të tjera që punojnë dhe e ngrenë zërin me dinjitet. Ato që nuk kanë nevojë për një grup, kamera dhe një viktimë për t’u ndier të fuqishme. Kritikën e përballoj, pyetjeve u përgjigjem, por shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj. Prandaj këtë rast do ta denoncoj dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë sepse fyerja nuk është protestë, poshtërimi nuk është aktivizëm dhe dhuna nuk bëhet më pak dhunë vetëm sepse ushtrohet nga vajza”, thotë Luarasi.


Lajmi kryesor:

Protestuesit i vihen pas Iris Luarasit: Hajdute, ti nuk i përfaqëson gratë! Deputetja: Më zunë pritë, do t'ia lë në dorë drejtësisë (VIDEO)