Aktivistja Luçiana Kokaj, e cila njihet edhe si një prej nismëtareve të protestave që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec, në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ka folur edhe për largimin e deputetes Marjana Koçeku nga Grupi Parlamentar i PS-së, duke dalë si e pavarur.
Kokaj tha se duke qenë se Koçeku ka qenë deputete e Shkodrës, banorët e Rrjollit (që protestojnë kundër ndërtimit të resortit nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj) e kanë pritur prej kohësh mbështetjen e saj, mbështetje e cila sipas aktivistes nuk është dhënë.
Për këtë arsye, Kokaj tha se ishte e rezervuar dhe nuk kishte një mendim të qartë për lëvizjen e Koçekut për t’u larguar nga Grupi i PS.
“Unë nuk di të kem patur një komunikim me Koçekun. Unë s’dua të jap opinionin tim personal, duke e pasur edhe deputete të zonës, e kam pritur mbështetjen e saj në të gjitha kauzat tona, nuk e ka dhënë mbështetjen, kështu që në këtë rast jam pak e rezervuar me mendimet”, tha mes të tjerash Kokaj.
Më tej Kokaj tha se e kishte përgëzuar veprimin e Koçekut për t’u larguar nga Grupi i PS, por uroi që kjo lëvizje të mos kishte prapavijë tjetër.
Ajo tha gjithashtu se ishte ndier keq kur Koçeku kishte deklaruar se ishte kërcënuar nga Bajrat e Shkodrës. Kokaj shtoi se nëse kërcënimet nga Bajrat për Koçekun janë të vërteta, qytetarët duhet të dalin në mbështetje të saj dhe të solidarizohen me të.
“E kam përgëzuar natën e parë për vendimin për t’u larguar nga Grupi i PS. Mendoj se ka bërë një gjë dinjitoze. Jam ndjerë shumë keq kur kam parë mesazhin që është kërcënuar. Dhe nëse është e vërtetë që ajo është kërcënuar, duhet të jemi të gjithë bashkë në mbështetje të saj. Uroj shumë që të mos ketë një prapavijë tjetër. Uroj shumë që ajo të ketë bërë një tërheqje nga PS”, tha aktivistja Kokaj.
Lajmi kryesor:
Protestat për ‘Zvërnecin’, nismëtarja Kokaj: S’jemi në shesh për krijimin e partive politike apo poste në shtet! Një grup i madh shqiptarësh nga Anglia do na bashkohen brenda javës!






