Larmia etnike në Xhorxhia dhe gara për Senatin amerikan

Larmia etnike në Xhorxhia dhe gara për Senatin amerikan

Foto ilustruese

Komuna Gwinnett ndodhet rreth 25 km në verilindje të Atlantës dhe është një ndër lagjet periferike më të populluara të qytetit më të madh të Xhorxhias. Në nëntor, demokrati Joe Biden siguroi 58% të votave në këtë komunë duke e ndihmuar të siguronte fitoren e ngushtë në këtë shtet. 30 vjet më parë kjo ishte një komunë kryesisht rurale dhe bazë e fortë e republikanëve.

“Atlanta ishte kryesisht afrikano-amerikane dhe votonte për demokratët, por periferitë në atë kohë kishin shumicë të bardhë dhe votonin për republikanët,” thotë për Zërin e Amerikës Nick Masino, president i Dhomës Tregtare të komunës. “Tani çdo gjë ka ndryshuar”. Afro dy muaj pasi zoti Biden u bë demokrati i dytë që fiton në Xhorxhia që nga viti 1980, ky shtet mbetet në qendër të vëmendjes ndërkohë që afron balotazhi për dy vende në Senat. Kontrolli i Senatit varet nga fituesit e këtyre dy vendeve.

Dy senatorët republikanë të këtij shteti, David Perdue dhe Kelly Loeffler, po përpiqen të ruajnë vendet përballë një konkurrence të fortë nga rivalët demokratë Jon Ossoff dhe pastori Raphael Warnock. Deri tani për fushatë janë shpenzuar mbi 500 milionë dollarë. Nëse demokratët fitojnë të dyja vendet, senati do të jetë i ndarë 50 me 50 mes demokratëve dhe republikanëve. Në atë rast, nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris do të hedhë votën vendimtare kur një çështje mbetet pezull. Nëse fiton ndonjëri prej kandidatëve republikanë, atëherë republikanët do të kenë shumicën me të paktën 51 nga 100 vendet në Senat.

Një vëmendje e madhe i është kushtuar kësaj gare. Presidenti Trump dhe Presidenti i Zgjedhur Biden kanë shkuar për të bërë fushatë për palën e tyre. Por analistët shpjegojnë se në këtë shtet politika ka plot të veçanta që mund të mos i kuptojnë ata që nuk jetojnë në Xhorxhia. “E dimë që po na ndjekin në këto momente, por nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë se çfarë po ndodh këtu,” thotë zoti Masino. “Ky shtet ka ndryshuar aq shumë gjatë dekadave të fundit saqë nuk është më Xhorxhia që e mendojnë njerëzit. Ky është tani një shtet shumë i larmishëm. Vështirë të gjesh në botë një vend të tillë dhe kjo do të ndikojë në zgjedhje”.

Zhvendosje Politike

Vetëm disa kilometra në perëndim të komunës Gwinnett është komuna Cobb, një tjetër periferi e qytetit të Atlantës. Kjo komunë është dyfishuar që nga vitet 1990 dhe ka tani mbi 760,000 banorë. Ashtu si komunat e tjera, ajo ka pësuar ndryshime të paimagjinueshme që në vitet 2000. “Kur u vendosa këtu në 2007, konsiderohej bazë e konservatorëve,” thotë për Zërin e Amerikës Dr. Andrew Pieper, pedagog i shkencave politike në Universitetin Shtetëror Kennesaw.

Zhvendosja politike shihet në rezulatet e zgjedhjeve presidenciale gjatë dy dekadave të fundit. Në 2004, Presidenti George Bush fitoi me një diferencë prej më shumë se 32% përballë rivalit John Kerry në komunën Gwinnett. Tetë vjet më pas, Presidenti demokrat Barack Obama e ngushtoi fitoren e rivalit republikan në 9%.

Në 2016, demokratja Hilary Clinton mundi republikanin Donald Trump me afro 6% diferencë në komunën Gwinnett, megjithëse zoti Trump arriti fitore në shtetin e Xhorxhias.Në nëntor 2020, demokrati Biden mundi Presidentin Trump me një diferencë prej 18% në këtë komunë dhe fitoi në Xhorxhia me një diferencë prej 12,000 votash. Para fitores së zotit Biden, Bill Clintoni ishte demokrati i fundit që fitoi zgjedhjet presidenciale në këtë shtet në garën e vitit 1992. Situata në komunën Cobb është e ngjashme. Cilët janë faktorët që kanë shkaktuar këtë zhvendosje politike? Përgjigja gjendet në ndryshimet demografike të zonës/ Marrë nga VOA

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë