Lasgushi-Kutelit:Çdo mbarim
poezije është një Dritë...

Lasgushi-Kutelit:Çdo mbarim<br />poezije është një Dritë...
Në dhjetorin e 1936, nga Tirana, Lasgush Poradeci do të shkruante një letër të pashoqe, adresuar mikut të tij të zemrës Dhimitër Paskos. Në pak rreshta, si një himn dashurie por edhe zbërthim i shpirtit të tij të trazuar, Lasgush Poradeci na shpalos gjithë gamën e aftësive të tij poetike.

Rresht pas rreshti teksa shkon drejt fundit, letra e Poradecit nis e shndërrohet në një poezi madhështore, ku zbulohen ndjesitë e pazakonta të një poeti me mendjen e tij gjeniale që e rrëmben lexuesin dhe e përplas në të gjithë caqet e ndjeshmërisë dhe gjendjeve të tij shpirtërore.

“Çdo mbarim poezije është një Dritë, një Lirim prej dhembjes, është mposhtja e mjerimit. Është Këthimi i Shpirtit…”, i shkruan ai pak paragrafë, pasi i kishte zbuluar mendimin që ia behte sa herë për ti dhënë fund jetës.

Letra është përfshirë në epistolarin e Lasgush Poradecit, botuar në vitin 2010, nga Botim Alb-Paper me titullin "Lasgush-Mitrush, korespondence”.
Në prag të 50 vjetorit të ndarjes nga jeta të Mitrush Kutelit (4 maj 2017), letrën e publikoi  Marie Gusho, vajza e poetit Lasgush Poradeci.
   
Letra e plotë 
Tiranë, 16 Dhjetor 1936.
Dhimitraq,
Me poshtallkën t’ënde të 3 Dhjetorit jam qetësuar, i paskërke
marrë letrat e mija të 13-të, 18-të, dhe 22-të Nëntor’ i kaluar, sapo i vura në postë nuk kisha qetësi, sepse të shkruaja mjaft gjërra me rëndësi në to s’do qeshë më në gjindje t’i përsëritnja.

Nga shkaku i epuizionit, pothuajse nuk bëj fare kopje letrash, prej atyre me rëndësi, që do të ish e vështirë për mua t’i shkruaj në qoftëse humbisnin. Kam pushuar prej vjetësh, më s’bëj letra, nër të tjerë, dhe me aq dashuri. Nuk mund, ajo kohë tashi kaloj. Ah! Dhe vetëm ti më ke mbajtur, rrënj’ e fellë brënda mun në zemër. Shumë herë mendohem, ç’do bënja! Sikur mos të kisha ty. Dhe shpirti më tmerrohet.

Nër çaste dhimbjeje - sepse shumë herë e humbas të ëmblën shpresë - mendohem për ty. Ndjej se duhet të kem pranë. Pranë s’të kam, dhe e mbyt dhembjen në vetvete, dhe marr kurajë vetvetiu, forcohem me pahirë. Atëhere ze të shkruaj, nuk di ç’ngjan dyke shkruar se mbushem me një mallëngjim të ëmbël, me një lehtësi, ndjej një dritë, sikur marr një shpresë. Qëndroj kështu një hof i qetë, i qetësuar prej letrës.

Qetësohem prej kontaktit shpirtëror me ty. Pastaj prapë turbullohem. Më tmeron largësia e pa-anë. Mendoj sa larg je. Edhe prapë e humbas peshën çqetësohem, bëhem vrer më duket sikur nuk po mund t’a përmbaj dëshpërimin, t’a mbaj m’i supet e mija, aq të rëndë, një gjë që më dërmon sëfshehta. Më duket se duhet të pëlcas, të vras veten. 

Sa herë jam menduar kështu, të vritem, të shpëtoj. Dhe prapë një fuqi më mban. Më dhimbet për nënën. Të kujtoj ty. I kujtoj rrahjet e së ngrohtës dashuri s’ate për mua. Mendoj gjakosjen e zemrës së nënës së adhuruar. Mendoj se kam gjëra të bukura, kaq të bukura për të përfunduar dhe prapë shpëtoj, lehtësohem - t’a dish sa i lumtur ndjehem për një moment.

Më duket jeta e kulluar, kam dëshirë për jetë. Dhe ze punoj, të shkruaj... t’a transfiguroj, t’a kaloj nëpër Dritën e momentit, t’a aureloj, t’a qroj nga dhembja materiale, direkte, imediate, t’a çkëpus nga elementariteti dhembjen e kaluar të jetës, dhembjen që më ka grirë dyke më lumturuar për një moment jetën. Dhe shpesh herë shkrimin, poezinë e mbaroj, dhe shumë herë më mbetet në mes, dhe më shumë herë në fillim. Sepse ah! Prapë! papritur! pa dashur! Prapë përnjëheresh dëshpërohem, errem, ngrysem dhe më hapet një zbarztësirë në gji.

Kështu tashi gëzohem, tashi pas pak pikëllohem, prapë pas asaj gëzohem dhe prapë shpejt, shumë herë në gjithë atë moment, dëshpërohem përsëri, hidhërohem gjer në vdekje, më ngjitet një vrer në grykë. Në kësisoj tragjedi, tragjedi ose lodër prej të çmënduri (sepse nuk di si t’a quaj tjetërsoj), e zvaros (e tërheq zvarë) të mjerën jetë prej shumë vjetësh... e zvaros jetën, që më duket edhe aq e bukur, çkurajësohem dhe kurajësohem vetvetiu, e marr veten prapë, e ngreh kokën lart. Ndritem.

Më duket, ndjej se drita është m’e mirë se errësira, se është gazi m’i mirë se vojtja. Dhe prapë ndritem. Prandaj dhe çdo mbarim poezije është një Dritë, një Lirim prej dhembjes, është mpshtja e mjerimit. Është Këthimi i Shpirtit, Këthimi i math Perihelik, pas përzjerjes vojtëse me lëndën e rëndë në Vetëvete, me Mburimin gazmor të vetëvetes.
Tashi katarti-u çduk në det.
Tashi flamuri-u ngrit përpjet,
Valon lirisht si shpirt i let.
Llazari
(Botim Alb-Paper 2010, "Lasgush-Mitrush, korespondence)

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit