Laura Nezha, klithma e një Antigone moderne të Jean Anouilh

Laura Nezha, klithma e një Antigone moderne të Jean Anouilh

Mbrëmjet e së shtunës dhe të dielës kanë krijuar një atmosferë mistike në skenën e “Arturbinës” në Tiranë. Tragjedia “Antigona” vjen me gjithë fuqinë shpërthyese të saj, e luajtur në kurthet e ëmbla të një regjisure moderne. Antigona e kësaj here është ndryshe, e shmangur nga kumti patetik, më një interpretim plot zhdërvjelltësi karakteri, e interpretuar nga aktorja e re, Laura Nezha. Ky rol i ka dhënë një tjetër sukses aktores në publik, ku interpretimi i saj është shoqëruar jo pak herë nga duartrokitjet e publikut. Laura Nezha shfaqet në skenë me një lirshmëri emocionale, të kompozuar bukur me dialogun e fjalës dhe të gjesteve, kur futet në lojë me aktorët e tjerë të kësaj vepre, si Ervin Bejleri, Romir Zalla, Xhino Musollari, Xhulia Musagalliu, Adriana Tolka, Endri Çela dhe Klejdi Metaj. 

Lufta për pushtet, revolta ndaj tiranit, dashuria u shijuan nga publiku mbrëmjen e së shtunës me të gjitha ngjyrat që një shfaqje mund t’ju falte.

E vënë në skenë nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, vepra e shkruar nga Jean Anouilh, e përkthyer nga Ekrem Basha dhe me regji nga Andrea Brusque, mori duartrokitje të pakursyera nga publiku. Antigona-Laura Nezha u shfaq e plotë me historinë e një vajze të re, që thotë prerë jo, që kundërshton, që të imponohet kur thotë atë që mendon. Por edhe që të bën të ndiesh dhimbje për të, kur intriga vazhdon: kjo liri e të shprehurit do të të kushtojë jetën! Laura Nezha ka një mision skenik për të përmbushur me këtë rol: të arrijë, që përballë Antigonës aktore dhe personazh, edhe më i fuqishmi bëhet i dobët. Dhe ajo e përmbushi duke u përfshirë e tëra në interpretim.  Ajo shkrihet me rolin, me lëvizjet dhe plastikën, ndjek të njëjtin ritëm si në ngjarje. Di të shpallet si një njeri i fortë, si një grua e brishtë me dashurinë e saj. Aktore dinamike, sic del shpesh në rolet e saj, këtë herë me “Antigonën”  e shpall të mbrujtur me një urrejtje të pashoqe për këtë lloj sistemi. Nga fillimi në fund të shfaqjes Laura erdhi si melodi në rolin e saj, ritmikisht dhe njëtrajtësisht për të arritur qëllimin final, duke lartësuar kryerolin.

Aktorja Nezha për këtë rol është shprehur se: “Jam me fat, që më është besuar ky rol. Antigona më ka bërë të dashurohem pas saj, për disa elementë të çiltërisë dhe pastërtisë, që them se duhet ruajtur, se janë vlera shumë njerëzore, të shoqërisë e aq më tepër shqiptare. Që në momentin që ajo kundërshton, më ka bërë për vete, sepse nuk do që të bëjë kompromise. Më ka bërë për vete kjo heroinë e kohëve moderne”.  

Regjisorja Andrea Brusque ka pohuar se “Antigona” përcjell mesazhe, që i kalojnë kufijtë. “Jam e apasionuar me Antigonën e Jean Anouilh, sepse kjo heroinë kontemporane përcjell mesazhe që i kalojnë kufijtë. Sipas regjisores, të gjithë e kanë brenda vetes një Antigonë. “Përballë Antigonës edhe më i fuqishmi bëhet i dobët, sepse e vetmja që nuk e bëjmë dot është të detyrojmë dikë të jetojë. Unë besoj se të gjithë ne kemi brenda vetes një Antigonë, e cila kur zgjohet na inkurajon të bëjmë zgjedhje radikale. Ky konflikt midis tiranit dhe revolucionarit është diçka që na prek thellësisht, pasi ka të bëjë me të gjithë ne”, shprehet mes të tjerave Andrea Brusque. Sipas saj, autori Jean Anouilh luan mrekullisht me kodet e tragjedisë. “Me humor dhe me distancë ai të kujton së të gjithë personazhet do të vdesin dhe kjo është e pashmangshme, por lajmi i mirë është që ne, spektatorët, jemi gjallë, ndaj ka ende shpresë”, vijon Brusuqe për veprën teatrore.

“Antigona” e Jean Anouilh, një përshtatje moderne e Sofokliut

“Antigona” e Jean Anouilh është një përshtatje moderne e tragjedisë së Sofokliut me të njëjtin titull. E shkruar në vitin 1942, kur trupat naziste pushtuan Francën, historia sillet rreth konfliktit të Antigonës idealiste dhe xhaxhait të saj të ngurtë, Kreonit, në lidhje me varrimin e vëllait të Antigonës, Poliniku. Gjithashtu vepra u interpretua se përfaqësonte luftën e lëvizjes së Rezistencës franceze kundër forcave të qeverisë Vishi gjatë kulmit të pushtimit nazist. Varianti i Anouilh i Antigonës prek tema si tragjedia, meta-teatri, idealizmi i rinisë, kompromiset e moshës madhore, dueli mes moralit dhe politikës, si edhe zgjedhjet dhe paqartësitë e jetës në një botë komplekse jo bardhë e zi. Antigona është njëra nga seria e pjesëve dramatike të Anouilh, që kanë si bazë mitologjinë greke. E vlerësuar shpesh si kryevepra e tij, Antigona çimentoi reputacionin e Anouilh si autor dramatik. Vepra qe sukses i menjëhershëm, kur u vu në skenë së pari në Paris në vitin 1944.

Jean Anouilh (1910 - 1987) ishte autor dramatik, teoricien, kritik dhe shkruante për film e televizion. Ai interesohej për rolin e individit në shoqëri dhe përplasjen mes idealizmit dhe realizmit brenda individit.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër