'Biçikleta t’i shpupurishë flokët, por t’i rregullon mendimet', Elektroshok nga profesor Ardian Ndreca

Në Report Tv u transmetua emisioni i radhës i ‘Elektroshok’ me temë 'Lavditë e biçikletës’, nga profesor Ardian Ndreca.

Biçikleta dhe automobili kanë lindur thuajse së bashku. Kur për herë të pari njëri prej djemve të tregtarit Ndoc Daragjatit do të “guxonte” të shkonte në Pazarin e Shkodrës me biçikletë, në fillimet e shekullit XX, do të sulmohej me sfurqe prej disa fanatikëve. Prishja e sinergjisë mijëravjeçare të njeriut me kafshën do të skandalizonte dikë. Sot sinergjia artificiale është ajo mes njeriut dhe makinës, nëpërmjet së cilës kultivohet një raport ku njeriu i ngjet gjithnjë e më shumë makinës.

Nuk dua të thur lavditë e biçikletës apo dyrrotakut siç u pat munduar ta emërtojë pa sukses një purist i gjuhës dikur, të tjerë para mejet e kanë bërë mjaft bukur duke ballafaquar fuqinë mekanike të automobilit me atë heroiken e energjisë së metabolizmit.

Sot në Shqipëri kemi më shumë makina sesa rrugë, ndërsa zonat pedonale shihen si me inat, si pengesa për energjitë kreative të rendësve me automobila.

Makina është armë dhe mjet, pa të njerëzit duken si të ishin lakuriq. E kundërta e pedonales është autostrada, por ne për fat i kemi shmangur të dyja. Kemi preferuar sistemin hibrid: kemi njëkohësisht rrugë për makina, për njerëz dhe për kafshë, duke e ngritur shkallën e rrezikut në maksimum.

Biçikleta është një shpikje që të bën të fitosh kohën pa e humbur vetveten.

Njerëzit me makina ngasin pafundësisht. Çfarë bëjnë me kohën që kanë fituar? Dikush na siguron se lexojnë libra, pikturojnë, studiojnë gjuhë të huaja… kurse ata në biçikletë s’bëjnë tjetër veçse ruhen prej këtyne nikoqirëve të kohës që ecin shpejt.

Makina është mohimi i qytetit, pse ajo jep maksimumin e saj jashtë qytetit, biçikleta është triumfi i qytetit, aty ajo jep vetveten.

Edhe pse dihet se 90% e aksidenteve ndodhin për shkak të shpejtësisë, askush nuk ka guximin të propozojë që të prodhohen makina me shpejtësi të kufizuar – vërente studiuesi Jacques Ellul në vitet ’80. Nuk ekziston një gjë e tillë as në nënvetëdijen e ekologjistit më të madh, pasi ne nuk heqim dorë nga shpejtësia.

Rrota asht shpikje e neolitikut, prej këtej ndoshta edhe shtysa për t’u identifikuar me të. Rrotë në vetvete nuk është sharje, është cilësi madhore që vjen prej kohërave të largëta, por, ndër të gjitha rrotat ajo e biçikletës është më fisnikja.

Biçikleta mbetet fisnike dhe elegante, e zgjuar pothuaj sa ata që vijojnë ta përdorin. E përkorë në pluhurin e pakët që çon, e virgjër dhe pa tym të zi me erë squfuri. Edhe hajdutët e biçikletave janë të ndryshëm prej atyne të makinave, kodi penal na siguron se është kështu.

Biçikleta është pavarësi, jo liri e pakufizuar, makina është varësi dhe mundësi e pakufizuar. Ndoshta ndërthurja e zgjuar e të dyjave do të sillte diçka pozitive, ashtu si edhe ndërthurja komplekse e shumë shpikjeve nga neolitiku deri më sot do të ekzaltonin racionalitetin e species sonë.

“Elektroshok” është emisioni i profesor Ardian Ndrecës që vjen çdo të premte ora 22:00 në ekranin e Report Tv. Përmes një hapësire televizive prej 13 minutash profesori i historisë së filozofisë moderne synon të ndezë një shkëndijë refleksioni tek audienca, shoqëria shqiptare.

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 13/12/2024 22:52

    Profesor Gilmani një perëndimor modern! Pushoftë në paqe!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    13 Dhjetor, 14:13

    Në grup Anglia, Serbia, Letonia e Andorra, a shkon Shqipëria në Botëror?



×

Lajmi i fundit

E paprecedentë/ Sali Berisha nxjerr 'live' foton e gruas së Altin Dumanit për të shantazhuar kreun e SPAK

E paprecedentë/ Sali Berisha nxjerr 'live' foton e gruas së Altin Dumanit për të shantazhuar kreun e SPAK