Sanksionet e reja të miratuara nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë cënojnë procesin e paqes në Ukrainë, theksoi sot ministri rus i Punëve të Jashtme, Serguei Lavrov.

"Ne mendojmë se marrja e vendimeve të tilla, në një kohë kur procesi i paqes po stabilizohet, ashtu si shpresojmë, është zgjedhje për të cënuar këtë proces", deklaroi shefi i diplomacisë ruse në televizionin publik në kuadër të një samiti dy ditor të Organizatës për  Bashkëpunim të Shangait në Dushanbe.

"Rusia do të reagojë me qetësi, në mënyrë të menjëhershme, por kryesisht duke u bazuar në nevojën për të mbrojtur interesat e saj përballë sanksioneve evropiane", shtoi ministri.

Sanksionet e reja të Bashkimit Evropian kundër Moskës, për rolin e saj në Ukrainë hynë sot në fuqi dhe parashikojnë veçanërisht të pengojnë financimin e ekonomisë ruse./ATSH/