TIRANE - Pas dy viteve dhe 38 seancave gjyqësore dosja e “21 janarit” mbetet ende një pikë e nxehtë për drejtësinë shqiptare. Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj janë katër protestuesit, të cilët mbetën të vrarë pasi protesta degjeneroi në dhunë dhe të shtëna armësh.

Të pandehurit janë ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, shoferi i tij Margarit Kume dhe ish-gardisti Agim Llupo. Llupo është i vetmi që ndodhet në burg deri tani, pasi për Prendin dhe Kumen Gjykata do të vendoste masën e arrestit në shtëpi.

Vrasje e kryer në rrethana cilësuese dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës është akuza ndaj të pandehurve, ndërsa prej dt.23 maj 2012 gjyqi është shtyrë plotë 38 herë deri më dt.16 janar 2013 ku do të merrej vendimi për paraqitejn e konkluzioneve. Më dt. 30 janar është edhe seanca e fundit, ku palët ndërgjyqësore do paraqesin konkluzionet para se të jepet vendimi përfundimtar.

Në seancën e 26, eksperti Ndoc Çardaku do të deklaronte se viktima Ziver Veizi mund të jetë vrarë nga një plumb rikoshet, me tezën se dy copëza të drunjta mund të udhëtojnë me shpejtësinë e predhës, pas goditjes së një trupi të drunjtë qoftë edhe pemë.

Ky ekspertim u hodh poshtë, ndërsa Gjykata vendosi dy ekspertë të rinj, Gani Jahelezi i propozuar nga mbrojtja e të pandehurve dhe Dritan Zoto i propozuar nga organi i akuzës.

E njëjta tezë e një plumbi rikoshet u mbrojt dhe nga eksperti Jahelezi, ndërsa eksperti kriminalist Dritan Zoto deklaroi në seancën e fundit të paraqitjes së provave se shkencërisht nuk ekziston asnjë mënyrë që dy copëza të drunjta të udhëtojnë me shpejtësinë e predhës.

Gjithashtu Zoto shpjegoi se dy copëzat e drunjta të gjetura në teshat e Ziver Veizit mund të jenë marrë nga pakujdesia në një mënyrë të gabuar, pasi të gjitha provat materiale janë vënë në një qese.

Familjarët, fëmijët, të afërmit, ndërkombëtarët, si dhe opozita e cila pas dy vitesh ka përkujtuar me një protestë homazh këtë ditë, kanë apeluar për drejtësi duke ngritur shumë dyshime se procesi gjyqësor është i ndikuar politikisht.

* Fotot e 4 protestuesve të vrarë më 21 janar, gjatë homazheve të sotme të Partisë Socialiste

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)