I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, historiani Arben Puto vlerëson rolin e fuqive të mëdha në arritjen e pavarësisë së Shqipërisë. Historiani Puto thekson se falë fuqive të mëdha ne festojmë sot pavarësinë e vendit dhe është e kot t’i marrim vetë meritat.

Duke folur për ribotimin e librit të tij “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914”, historiani Arben Puto tregon dhe arsyet se përse vendosi të rishkruajë këtë libër. Puto theksoi se botimi i parë kishte nevojë për rifreskim të historisë, sepse botimi i parë ishte shkruajtur në bazë të versioneve zyrtare në imponuara.

“Pikërisht se kanë shkuar 36 vjet nga botimi i parë ka nevojë të shikohen zhvillimet e mëtejshme dhe të pasqyrohen, ka të dhëna të reja, fakte të reja. Duhet të plotësohet historia e pavarësisë shqiptare në ballafaqim me fuqitë e mëdha. Një arsye tjetër është që ky libër në botimin e parë është shkruar në kushtet e mungesës së krijimtarisë, botimi i parë pasqyron versionet zyrtare të imponuara, në kundërshtim me mendimin e historianëve. Jap këtu shembullin e historisë së kryengritjes së Shqipërisë së mesme ndaj princ Vidit”, tha Puto.

Më tej historiani tregon se historianët kanë qenë kundër Enver Hoxhës.

“U krijua Instituti i Historisë dhe iu vu punës për hartimin e tekstit të përgjithshëm të historisë së Shqipërisë. Enver Hoxha doli me tezën që në Kongresin e Parë të partisë se karakteri ishte antikombëtar, një lëvizje antifeudale, klasore dhe kundër bejlerëve. Thelbi ishte antikombëtar. Në ballkonin që Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë në viti 1915 shkojnë kryengritësit e heqin flamurin e vjetër dhe vënë një me gjysmë hënë. Megjithëse u kundërshtua nga historianët, Enver Hoxha thoshte që juve iu pengojnë pemët që të shikoni pyllin, në kuptimin që nuk e kapni dot thelbin”, theksoi Puto.

Duke folur për figurën e Ismail Qemalit historiani e ka vlerësuar për vizonin e gjerë që ka pasur, edhe pse i shërbeu për një kohë besnikërisht perandorisë osmane.

“Ismail Qemali ka qenë politikan i rangjeve të larta, me detyrat më të rëndësishme. Mund të themi që i shërbeu besnikërisht perandorisë, ai e thotë edhe vetë këtë fakt. Nga ana tjetër themi që kishte një vizion tjetër të perandorisë turke, kishte vizionin e transformimit thelbësor, nga një perandori që përfaqësonte sundimin mbi popuj të ndryshëm, në një komunitet, me një karakter federativ. Zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve tregoi që nuk ishte kjo. Ka qenë sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në detyra të ndryshme që i janë ngarkuar ka pasur kontakte të vazhdueshme me diplomatë, ai një përvojë diplomatike shumë të pasur, kishte lidhje me Anglinë”, tha Puto.

Ilir Babaramo: Në krijim e shtetit shqiptar Austro-Hungaria ka pasur atë rol që kanë pasur SHBA në çlirimin e Kosovës?

Arben Puto: Situatat janë krejt ndryshe, fakt që Austro-Hungaria ka qenë faktori më i favorshëm. Varianti më i gjerë është ai i Austro-Hungarisë. Jemi në rrethana krejt të ndryshe, do të doja ta trajtoja veçanësisht politikën e SHBA në Europë.

Ilir Babaramo: Në 14 pikat e Wilson nuk përmendet Shqipëria, Serbisë i njihet një dalje në detin Adriatik.

Arben Puto: Duhet parë në vazhdim kjo, nuk mund të merret thjesht nga një pikë. Wilson qëndroi 6 muaj në konferencën e paqes, i përmbahet 14 pikave. Kemi një ndryshim thelbësor. Wilson del me parime të reja, hedh poshtë diplomacinë e fshehtë. Është një nga parimet kryesore të diplomacisë pas luftës së parë botërore.

Redaksia Online
(eç/shqiptarja.com)