“Arkipelagu…” i Zija Çelës, një
portret artistik i realitetit shqipta

“Arkipelagu…” i Zija Çelës, një<br />portret artistik i realitetit shqipta
 1.  I mjafton një bamirës, anonim me kete rast, që depoziton një çek për autorin (narratorin), për t’ia ndezur fanarët dhe senzorët e imagjinatës krijuese Zija Çelës. Rreh në fillim ta “prekë” të gjallë bamirësin, që, sado i rrallë përballë bakeqësve, ende janë të pranishëm në mjedisin dhe kohën tonë.

Shfaqet natyrshëm në këtë përballje edhe bota e labirinteve të errta bankiare, e mistereve depozituar jo vetëm lekë por edhe shpirtin depozituar, që lëvizin rruzullit me shpejtësi drite, përkatësisht që lëvizin dhe e sjellin atë, rruzullin, majë gishti, larg syve tonë... Kështu, le ta përsërisim, i mjafton kaq ndjeshmërisë krijuese të formatit Zija Cela për të ndërtuar botën romanore “Arkipelagu Spiritus”... Është vetëm një shteg i mundshëm, ky i zënë ngoje, jo i vetmi, as më efikasi për t’u përfshirë në rrjedhat pafund të ndërlikuara e të pleksura në përballje dhe përplasje, gjithashtu pafund.

Dhe, kur rrjetit misterioz, sekreteve depozituese, u shtohet edhe zvetënimi, tharja e lëngjeve shpirtërore të përditshmërisë dhe ambientit tonë, artikulohet më e plotë bota paralele e Arkipelagut me atë të vërtetën, realen, artikulohet monument epik i madh i kohës shqiptare, por edhe mbarë njerëzimit. Në krahët narrativë të këtij fluturimi, Lavidani është sa qytet a kryeqytet shqiptar, sa qytet global dhe mitik...
 
2.
    E tillë, mbase, bota njerëzore që nga fillimet. Çdo kohë e saj rreh të depërtojë dhe të përkapë të vërtetat e veta, misteret e veta dhe, secila, e bindur se bëmat që sjell janë më të veçanta, e mbase të pandodhura më parë... Ndërsa të gjitha transit në shiritin përsëritës. Ne, njerëzit, edhe përmes letërsisë, rrahim të kapim thelbin e kuptimit, edhe përmes shkallëve të kohës, që nga Homeri, dhe të kuptojmë të fshehtat, anën e mjegullt apo misteret... Rrugët e letërsisë, brenda kohës së vet, janë të panumërta. Zija Çela, në veprën e vet të madhe, përmes shumësisë së personazheve, gjakon ta kuptojë botën dhe universin.
 
3.
    Në orët e sistemimit të shënimeve të mia, të mbajtura gjatë leximit të romanit më të fundit të Zija Çelës, “Arkipelagu Spiritus”, u gjeta brenda orbitës së javës së dytë të muajit Shkurt të vitit në vijim (2015), hark kohor ky, që, nga disa media të Shqipërisë u emërtua si java e shpërthimit të tritolit në Tiranë. Tre vjet më parë, Zija Çela botoi romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”.

Në romanin më të ri, rrëfimin e vet autori e vendos përsëri në një qytet shqiptar të kohës sonë, por kësaj here, mbase nën shtytje artistike, ai e shmang identitetin e tij emëror, edhe pse lexuesi e ndjen, e prek të gjallë edhe kësaj here, qytetin a kryeqytetin shqiptar, përkatësisht Shqipërinë dhe hapësirën shqiptare.

Ngjarja vendoset në qytetin Lavidan dhe që kësaj here vjen nga një tjetër vizurë dhe perspektivë, ofron një tjetër perceptim, sado që, si valë narrative, rreh të njëjtin breg mali a shkëmbi dhe shfaqet portret artistik i përditshmërisë shqiptare. Si tek “Arkipelagu...”, si te “Apokalipsi...”, te “Goja e Botës” apo “Sos një buzëqeshje” apo “Las Varrezas”, pulson shqetësim dramatik, brengë e ankthshme e autorit, dhimbje për katandisjen morale, për vdekjen e shpirtit të qytetit shqiptar, të qytetit njerëzor.

Kështu, brenda një harku kohor dhjetëvjeçar, Zija Çela lëshon alarmin, klithjen ulëritëse në kërkim të një buzëqeshjeje miqësore, ulërimë për gojën që vjellë helm dhe urrejtje, ulërimë për ngrohtësi dhe ndjeshmëri shpirti që përditë e më shumë mposhtet nga thatësia, nga lakmia e grykësia. E madhe është klithja romanore e këtij autori të shquar, jehona e së cilës shtrihet përtej qytetit shqiptar.
 
4.
    Le të provojmë të depërtojmë përmes portave narrative të Zija Çelës në qytetin imagjinar me emrin Lavidan. Në këtë qytet kalohet përmes një kumti, i cili që në hap të parë të step dhe të ngrin gjakun: një qendër misterioze, qiellore a tokësore, vë në dijeni se Lavidani është futur në regjistrin e qyteteve që shkojnë drejt vdekjes. Këtë vendim të qendrës së universit, i vetmi që e di është përgjegjësi i filialit, Bestar Kalari. Qytetari tjetër i radhës që e zotëron këtë informatë është kryepari i Lavidanit, Aleksandër Markajani.

Rrethi i të parëve të Lavidanit, që së shpejti do ta dinin këtë gjëmë, zgjerohet nga dita në ditë dhe, tërë ajo tingëllon si një mallkim zeusian mbi qytetet mëkatare të antikitetit. Kjo është goditja e parë e narracionit furioz, që në afro 600 faqet e romanit, autori do të bëjë portretin e qytetit, duke sjellë në skenë numër të madh personazhesh, mpleksjet e të cilëve, sfidat dhe përplasjet e ndërsjellta do të përfshijnë çdo skutë e vrimë të Lavidanit, do të shtrydhin çdo qeskë vreri, marazi, zilie e dashurie, do të shtrydhin puçër e çibanë të mbledhur dhe shtresuar nëpër mote, çdo vatër mirësie e ligësie...

Lexuesi, besoj, nën kontrollin e tempos së shtruar, të qetë të rrëfimit do të shohë e dëgjojë pse qyteti rrezikon të mbetet pa jetë, hap pas hapi do të bindet pse banorëve të Lavidanit përditë e më shumë u thahet shpirti... Është narratori ai që do ta udhëheqë lexuesin dhe do t’i prijë rrugëve dhe rrugicave reale e fiktive, shesheve tokësorë dhe nëntokësorë, dramave, hireve individuale dhe kolektive, psikozave dhe epidemive të shfaqura dhe të fshehura, të engjëjve dhe djajve.

Dhe njësoj, gojën plot, si të parët, si të dytët: për ta shpëtuar shpirtin e qytetit bëjnë atë që bëjnë... Këta të dytët, sidomos, edhe kur dhunojnë dhe vjedhin, kur përdhosin dhe orgjinojnë, krejt për shpirtin e Lavidanit e kanë. Edhe kur tradhëtojnë shtratin bashkëshortor, edhe kur ia falin njëri-tjetrit, për ta shpëtuar shpirtin e qytetit e kanë. Fshikullon diskretshëm dhe me elegancë autori, e në momente të vecanta, shigjeta e tij flakëron sheshit...

Po sjell këto detaje përmbajtësore të romanit në fillim të këtij shkrimi, për t’i ofruar lexuesit një ide të përgjithshme dhe për ta ndjerë së brendshmi atë që rrëfen tërthorazi autori dhe që është fjala për rrënimin e vlerave të shpirtit, dhe që, duhet pranuar, është sëmundje, lëngatë që po e vuan qyteti, hapësira mbarëshqiptare...
 
5.
    Zija Çela, krijues, e vuan rëndë krizën e vlerave shpirtërore. Kur nuk u mungon hapësira për të qënë të lirë, përkatësisht kur janë të lirë, ata nuk dinë ta bëjnë vlerë atë, lirinë, përkundrazi e gërryejnë nga themeli Lavidanin e vet, e bëjnë model abuzimi lirinë, arenë tregu të egër, ku lufta për pushtet dhe para është brutalisht marramendëse. 

Në syprinën narrative të autorit, lufta e të gjithëve kundër të gjithëve vjen diskrete, lavidanasit flasin çfarë u vjen  dhe ç’duan, me lirinë nëpër këmbë mafiozësh, grykësia e bërrylave dhe stërkëmbëzave  vë çdo gjë në lëvizje, kurdo dhe kudo. Është model i lirisë shqiptare që e bën fatkeq shkrimtarin që, sa më shumë e vuan vdekjen shpirtërore të qytetit të vet, po aq e acarojnë veprimet e qytetarëve të tij dhe kështu, merr penën-kamzhik për t’u mëshuar dhe mëshiruar njëherësh ata, si tek romani “Las Varrezas” dhe “Sos një buzëqeshje”, si tek “Goja e Botës”, e sidomos tek romanet “Apokalipsi...” dhe “Arkipelagu...”.
 
6.
    Ta përsërisim: Ngjarja e romanit “Arkipelagu Spiritus” zhvillohet në qytetin imagjinar Lavidan. Parakalojnë në faqet e këtij romani qindra personazhe të të gjitha ngjyrave dhe strukturave, profesioneve dhe prirjeve, veseve dhe virtyteve; të hapura deri në pafundësi storiet e degëzuara lagjeve të Lavidanit, vargbëmat, sa në rrafsh fantastik, sa real, kufi të cilin, poetika narrative e Zija Çelës e kapërcen natyrshëm, me lehtësi dhe bukuri estetike; të mpleksura, gërshetuara me rrezatim të ndërsjelltë ëndrrat dhe gëzimet, dhimbjet dhe trishtimet, dashuritë dhe mëritë, besimet dhe mosbesimet, bindjet, frika dhe zoti, vdekja dhe lindjet, familja, bashkëshortia, seksi dhe tradhëtia, varfëria, pasuria, morali... Vijnë valë të qeta por edhe vërshime që kërcënojnë, që paralajmërojnë, ftojnë dhe përgjërojnë...

Krejt në frymën e mbrojtjes së shpirtit të Lavidanit... Çela, me aq kompetencë ia del të menaxhojë tërë atë korpus personazhesh, tërë atë zinxhir pafund veprimesh dhe situatash; me aq siguri të mbajë nën kontroll penjtë e gjithë atyre që vijnë dhe vërshojnë qytetin nga të gjitha anët, nga dyer të dukshme dhe të padukshme e që, nga ku, dalin gjithashtu qetë a zëshëm, për t’u heshtur një kohë, që përsëri të shfaqen në skenë, gjithnjë me hiret dhe karakteristikat, ngjyrat e veta, pa lëvizur për asnjë grimë nga trualli i vet, nga vetvetja...

Autori gdhend personazhe të pasur shpirtërisht, përkatësisht të thatë, nga ata që janë të gatshëm për ëndërrime dhe zhgënjime, çaste të fiksuara vetëm për veten, sy më sy me veten dhe që pastaj, kur hapen e futen në kallaballëk, shndërrohen në të tjerë, brenda veshjes së zgjedhur para syve të botës...

Duhet pranuar se narratori e njeh mirë dhe me themel qytetin, prandaj portretin dhe jetën e tij e sjell rrëfim të hapur në plotinë e vet. Ai e njeh historikun dhe të sotmen e tij, të nesërmen,  vizionin, që ia parandjenë intuita e saktë krijuese, i njeh qytetarët nga nxjerr shumësinë  e personazheve, edhe ata me prirje për ta shpejtuar vdekjen e shpirtit të qytetit, e njeh edhe pakicën përballë tyre.

Shumëzëshmëria që shpalohet valë-valë është në funksion të përplotësimit të mozaikut shpirtëror, psikologjik dhe moral të tij, duke u lejuar dhe mundësuar hapësirë në skenën gjithnjë të hapur për të gjithë, për pretendimet dhe bëmat e tyre, qoftë të sojit të parë apo atij të dytë.

Narratori, po ashtu, bën kujdes që të mos ndërhyjë, të mos flasë në emrin e asnjërit; nuk i qorton drejtpërdrejt të parët, nuk i mburr as të dytët; i lë të sillen, të flasin, të veprojnë e bëjnë atë që janë në thelb, duke i nxjerrë sheshit edhe atëherë kur pretendojnë të fshihen. Pikërisht në këtë rafsh të diskursit narrativ, si tekst që përshfaq atë që e fsheh, është e veçanta e narratives te Zija Çela. Edhe kur sillen si kalimtarë të rastit a të përkohshëm, qytetarët e Lavidanit, sidomos si grykës që të rëmbejnë çfarë sjell dita, edhe ata që të nesërmen e parandjejnë si jo të sigurt, si në psikoza parapërmbytëse, rrëfimtari i mirëpret në sheshin narrativ të qytetit.
** *
    Të rreth pesëdhjetë rrëfimet që përbëjnë tërësinë e romanit “Arkipelagu Spiritus”, në fakt janë po kaq këndvështrime mbi Lavidanin, qytetin shqiptar, futur në regjistrin e qyteteve në gjithësi që po vdesin. Në epikën narrative antike, nëmjet qiellore pasojnë pas një mëkati të pafalshëm të banorëve.

Në këtë frymë fluturimi narrativ, autori i romanit sjell në vëmendjen zhbërjen, vdekjen e Trojës. Mëkatet, mbase paridiane, laokontiane, përmes një ngjashmërie paralele, autori do që t’i përmbyllë në një variant mitik edhe për Lavidanin shqiptar, tek i cili, me këtë rast, nuk ka faj individual që do të shtrihet në tërë hapësirën. Përkundrazi, pjesa dërrmuese e lavidanasve janë vetë prodhues dhe bartës të mëkateve të natyrës morale, personazhe që në momente marrin flatra dhe bredhin hapësirave, yshtur nga Djalli (edhe Engjëlli) me veprime magjike, alkimike, të formatit hamiltonian.
** *                                         
    Përgjasimi i Lavidanit të sotëm shqiptar me Trojën homerike, në romanin e Zija Çelës vjen edhe si aluzion i vdekjes së shpirtit të të dytit, sa si dinakëri e armikut të jashtëm, sa si zili dhe ligësi e brendshme, mosbesim dhe urrejtje mes llojit, ndërsa tek lavidanasit, vdekja e qytetit të tyre, të shpirtit të tij vjen nga vetë ata. Fshikullimi ironik i autorit, ndaj bashkëqytetarëve të vet, me këtë rast vjen i mprehtë, i qartë si dritë meteorike, dhe vetëm kaq, ngre alarmin...

E, megjithatë, qyteti ndërkaq, rrëshqet drejt humnerës dhe zhbërjes. Brenda një harku kohor sa të përkufizuar, sa të hapur njëherësh, i përcjell këmba-këmbës shpirtrat, karakteret e lavidanasve, horizontalisht dhe vertikalisht. Magjia tërheqëse narrative e shpalimit dhe vetëshpalimit të shpirtrave, në përgjithësi, vjen shije mirësie. Autori, vetëm sa nxjerr në skenën e madhe lavidanasit, aktorë dhe auditor bashkë, duke e përfshirë edhe veten si dëshmitar i pakontestueshëm që qesh e përqesh fisshëm, pa helm në majë të gjuhës.
** *
    Rrëfimi romanor i Zija Çelës, ka dy shtylla kryesore mbështetëse: në njërin krah personazhet, në tjetrin imazhin e situatave. Nervi qendror narrativ funksionon përmes sjelljes, veprimeve, zbulimit dhe shpalimit të botës së personazheve. Ky krah e ushqen rrëfimin romanor mbi vdekjen e shpirtit të Lavidanit. Rrëfimi është i begatë edhe me imazhe të skenave publike, të turmave, situatave të gjalla, që, fundja nxiten, motivohen, udhëhiqen po nga personazhe, përkatësisht kryepersonazhe të romanit, ndaj të cilëve, pa përjashtim të statusit të tyre, kanë mbështetjen dhe besimin e plotë të autorit...

Është besim ky që bartet edhe tek lexuesi, për krejt atë që është, që ndodh në sipërfaqe dhe në thellësi të qytetit. Të besueshme bëhen krejt çfarë ndodh në sheshet e hapura të Lavidanit, sepse e kanë mbulesë besimin e narratorit-autorit për të priturat dhe të papriturat, për të gjitha marrëzitë dhe mrekullitë e bëra dhe të menduara të qytetit tonë lokal dhe universal.

Ashtu si çdo qytet shqiptar e global, ka personazhe të dorës së parë që i japin ngjyrimin dhe aromën kryesore ambientit, me këtë rast Lavidanit. Mund të veçohen kryepari i qytetit, Aleksandër Markajani, i cili me një rast i thotë kryepersonazhit tjetër, Bestar Kalarit, shefit të Institutit Spiritus: “... a di të më thuash o Kalar, si shpjegohet që ngado që të shkosh dhe këdo të takosh në këtë qytet të vjen të çmendesh? ”. Këtë qytet shqiptar rreket ta rrëfejë Zija Çela në romanin “Arkipelagu Spiritus”.
 
7.        
    Fillimi i rrëfimit në romanin “Arkipelagu Spiritus” ndjell ndjesinë se shumica e personazheve që defilojnë dhe sillen nëpër këmbë rrugëve dhe shesheve të Lavidanit, sillen si të rastësishëm në qytetin e vet, sikur incidentalisht kanë qëlluar aty... Në këtë veçanti dhe karakteristikë të tyre mbështetet perceptimi se shpirti nuk ngjit natyrshëm me qytetin. T’huajsimin e tij, të shpirtit si veshje nga trupi i Lavidanit, e krijojnë dhe thurin mëzetësitë e shumicës së personazheve që vijnë, secili veshje më vete.

Gjatë tërë rrëfimit romanor, këto veçori identitare të secilit personazh, jo vetëm që ruhen saktë, por edhe më periferikët, statistë, edhe kur shfaqen rrallë, pas qinda faqesh romanore, janë plotësisht të vetvetes, një mrekulli e poetikës narrative të Zija Çelës, jo vetëm e romanit në fjalë... Edhe në nivel të diskursit narrativ, ky autor i veçantë, është i formatit të madh: atëherë kur ke ndjesinë se rrëfimi, storia që pason pas tendosjeve së stories së shkuar, në fillim diskretshëm, do të shfaqet një tjetër ngërç mes lavidanasve.

Duhet përqendrim i lexuesit për të mbajtur gjallë acarimet e atypëratyshme, të menjëhershme në situata gjithashtu të atypëratyshme mes lavidanasve. Turbulencat e brendshme narrative, të kontrolluara dhe artikuluara me mjeshtëri, me këtë rast, janë tharmi estetik i kësaj poetike. Në vargun e storieve ka çaste të qeta, të hareshme dhe befas, në një moment, shtrihet tisi melankolik. Vargu i storieve vjen secila e qetë, pa bujë, si edhe një gur në ndërtimin e kalasë, ose si edhe një nuancë në ngjyrat bazë të romanit.

Mjafton një storie për të shfaqur sheshit natyrën dhe karakterin e lavidanasve, që acarohen për hiçgjë, që kacafyten kot, siç thotë edhe ky fragment: “... le të digjet, pra pluhur e hi le të bëhet, le të shënohet viti zero! Kujt po i vlen ky qytet pa shpirt?! Ne duhet të themelojmë një tjetër nga e para. A deshën lavidanët ta kthejnë kohën së prapthi? Deshën lavdi a përjetësi?! Tani që e balsamosën veten për së gjalli, duke u bërë persona historikë, le t’u gëzohen rrugëve e shesheve që mbajnë emrat e tyre!”...

Janë vetëm fragmente të lavidanasve të rastit që sillen dhe ulërijnë rrugëve të qytetit pas manovrës në improvizim të betejës trojane, një nga boshtet tematik të romanit, që shtrihet gati në një të tretën e sipërfaqes së tij dhe që vihet në funksion të boshtit qendror tematik, nëse do ta kalojë lëngatën drejt zhbërjes qyteti shqiptar, apo e ka të sigurt vdekjen. Manovra e parisë së Lavidanit për të improvizuar betejën trojane mbi qytetin e vet, do të sjellë në skenë Helenat dhe personazhet e tjerë homerikë, si një vegim mitologjik, të largët e të afërt, dhe sërish do të shtrydhë lëngjet e shpirtit lavidanas, mbetur ende nënshtresa të tij...
 
8.
    Rrëfimi i Zija Çelës të mban përherë zgjuar, meritë edhe e ritmit të gjallë të detajeve, të nxit kërshërinë për atë që sjell fjalia, pasusi i radhës, ritmi i situatave që rrjedhin pandërprerë. Në këtë diskurs narrativ, tërë korpusi i madh i personazheve, që i sjell dhe i mban pranë, janë në lidhje dhe raporte të gjalla komunikimi me njëri-tjetrin dhe lexuesi bën kujdes të përqendruar për ta përcaktuar qartë statusin e tyre, karakterin, filozofinë, anën njerëzore. Pa përqëndrim të tillë, ke përshtypjen se Zija Çela, disa i bën kryepersonazhe, disa periferikë, por të gjithë i mban pranë, pa përjashtuar dhe pa përbuzur asnjërin...

Sjellja romanore “Arkipelagu Spiritus” në prozën shqipe ka parashenjën njohëse vetëm të Zija Çelës, në frymën edhe të një perceptimi borhesian për botën dhe njerëzimin, për gjithësinë. Në ndërtimin e personazheve, karaktereve, kjo poetikë është e shkollës borhesiane, bulgakoviane, salmaniane dhe të shkollave tjera të mëdha, por të ngjizura dhe rritura në truallin shqiptar. Modelet teorike, si lexim janë të papërdorshëm në zbërthimin e modelit narrativ të këtij romani. (Fundja çdo model teorik për leximin e letërsisë, s’është tjetër pos konstrukt teorik).

Asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk ekziston teori që do ta përkapte, do ta përmbulonte tërësisht cilëndo vepër letrare. Romani në fjalë i Zija Çelës, mund të thuhet se është thurje mes romanit realist, atij magjik dhe fantastik. Realist është diskursi, përqasja paralele me botën që sillet tërthorazi, hapësira, gjeografia, koha reale e ireale, historike-mitologjike, personazhet realë, por jo rrallë me prirje fantastike, kur e kur me prirje të papritura, të pakontrolluara, fluturuese...

Vetë filiali Spiritus, themeluar nga një qendër tokëqiellore, nga ku vijnë impulse e shenja misterioze, sinjale për nëmjen e qytetit, një poetikë mikse, këmbekokë zijaçeliane. Besojmë së këndejmi se Zija Çela është shkrimtar formati me qëndrim dhe vizion qartësisht të formuar ndaj njeriut dhe botës.

Është përditshmëria që e nxit dhe shqetëson, tema që e ndjell dhe përthith ndjeshmërinë e frymëzimit të tij, është vizioni i tij ndaj realitetit shqiptar sot, dhe përtej, është fuqia dhe origjinaliteti i ekspresionit narrativ, perceptimi dhe filozofia origjinale mbi gjithësinë, që e bëjnë shkrimtar të madh Zija Çelën. Le të shtojmë, në këtë kontekst, edhe të dhënën, se karakteristikat e zëna ngoje për poetikën e romanit “Arkipelagu Spiritus”, janë përbërës të rëndësishëm të natyrës narrative postmoderne.
zija Çela

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë