Ora 13:06. Një grua në moshë  mundohej të lidhte flokët e thinjura, e ulur përtokë në një mbulesë të ronitur buzë rrugës përballë Katedrales Ortodokse në Tiranë, teksa ngrinte me vështirësi dorën e djathtë të sëmurë për të vënë shaminë e bardhë mbi kokë. Më pas dora e saj e djathtë rrinte e varur, me aq forcë sa për ta mbajtur hapur dhe për të lypur qindarka.

Kjo është Drane Alushi, 67 vjeç me një histori plot vuajtje që në lindje. Nënë Dranja është jetime, rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë. Gjithmonë ka ndjerë një boshllëk në zemër që e shpjegon si mungesën e të ëmës, që nuk e ka njohur kurrë. Në moshën 15 vjeçare u martua me idenë se do të krijonte familje dhe do të ishte më mirë se në shtëpinë e Fëmijës. “Isha shumë e bukur atëherë dhe ndaj kisha shumë kërkesa”, tha ajo për Shqiptarja.com. Me të lindi  dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Vdekja e djalit
Pas varfërisë në familje, problemeve dhe dhunës që i shoqi ushtronte ndaj saj, u detyrua të ndahej. Pas disa muajsh u martua sërish. Burri i dytë e pranoi nënë Dranen bashkë me dy fëmijët e saj në dhomën e tij të vetme në qytetin e Fierit. Në atë kohë u punësua në qytetin e Fierit për pastrimin e rrugëve dhe mendonte se gjërat po merrnin rrjedhën e duhur. Por këtu nuk mbaruan vuajtjet e 67 vjeçares. 

“Isha e sëmurë, jam akoma. Nuk blej dot ilaçet të shërohem. Nuk kishim lekë. Kam probleme me nervat. Djali që të më shëronte u nis emigrant në Greqi…dhe nuk u kthye më. Ma vranë djalin”, tregon e moshuara e përlotur.  Drane Alushi, nuk pati pushtetin e duhur as mundësitë që të zbulonte vrasësit e djalit të saj. Ai ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë. “ Edhe fëmijët e djalit më mbetën jetim!”, thotë nëna duke pëshpëritur  aq sa të drithëron mishin.

Drane Alushi në mes të katër rrugëve
Prej 8 vjetësh, pas vdekjes së djalit, ajo është detyruar të dalë të lypë që të ushqejë fëmijët e tij. 3 vjet më vonë nënë Dranja pësoi fatkeqësinë tjetër: i vdiq edhe burri. Pasi ai u nda nga jeta, nënë Dranja i liroi shtëpinë e të shoqit vajzës së martuar me 2 fëmijë, me kushtin që të mbante edhe tre fëmijët e vëllait. Që nga ajo ditë Drane Alushi jeton në mes të katër rrugëve. “Nuk ka vend në shtëpi për mua. Ja fle poshtë kioskës aty në qendër.

Vetëm të dielave shkoj në shtëpinë në Fier, që çoj lekë për ushqimin e fëmijëve” tregon Dranja. Gjithmonë me të njëjtat rroba, një bluzë që i ka dalë ngjyra, dhe një fund të hollë të gjatë deri në fund të këmbëve, Drane Alushi pret në të njëjtin vend, në 10 metrat rrugë,që një ditë mund të ketë një shtëpi ku të jetojë. “Një shtëpi ku të fusë kokën dua. A mundet ta bëjë kaq qeveria? Dua t’i rris vetë fëmijët e djalit. Nëse shteti më ndihmon, unë nuk dal më të lyp. Nuk i bëhem më barrë askujt”, është kjo lutja e gruas në moshë që ka gjithë jetën me lot në sy.

Teksa qëndroja këmbëkryq me nënë Dranen, dhe shikoja lehtësinë që ndjente teksa tregonte historinë plot të papritura dhe fatkeqësish të jetës së saj, mendoja ndërkohë se sa e nevojshme është mbi të gjitha të komunikuarit, të ndarit gjërat me tjetrin, qoftë edhe me një të panjohur. Ndaj, një lutje dua ta bëj dhe unë për të, dhe për të gjitha qeniet që kanë pranuar të ulin kokën dhe të dorëzohen duke u varur nga qindarkat e kalimtarëve, njerëzit që kanë gati një jetë që përballen me dhimbjen, ajo që kanë nevojë është edhe një përshëndetje. Pak kohë dhe një dhomë për nënë Dranen! 

Drane Alushi
Drane Alushi duke lypur

dy.b/shqiptarja.com