1. “VITI KUR DOLA NGA AKUARIUMI”, NJË HISTORI GUXIMI E RRITJEJE
Një vajzë e re që lë pas familjen, frikërat dhe rutinën për të kërkuar vendin e saj në botë. Ky është udhëtimi që sjell romani “Viti kur dola nga akuariumi”, i autores kanadeze Karine Glorieux, i sapobotuar në shqip nga shtëpia botuese Ombra GVG, me përkthim të Fabiola Kadisë.
Ngjarjet zhvillohen në Londrën e vitit 1994.
Rafaela, një adoleshente 17-vjeçare, që përballet me një situatë të vështirë familjare, vendos të largohet nga vendi i saj dhe të punojë si dado në një familje të pasur angleze. Mes përgjegjësive të reja, sfidës për të mësuar një gjuhë të huaj dhe përballjes me botë krejt të ndryshme nga e saja, ajo nis të zbulojë jo vetëm të tjerët, por edhe veten.
Karine Glorieux, e cila ndodhej në Tiranë, rrëfen për “Report TV”, se romani është frymëzuar drejtpërdrejt nga periudha kur, në moshën 19-vjeçare, shkoi në Londër për të punuar si kujdestare fëmijësh. Përvoja që në fillim iu duk e vështirë, u kthye më pas në një moment vendimtar për formimin e saj si njeri dhe si shkrimtare.
“Historia bazohet në përvojën time personale dhe besoj se ka shumë vajza shqiptare që kanë kaluar diçka të ngjashme me atë që kam përjetuar unë kur isha e re: të shkosh në një vend tjetër për të mësuar një gjuhë të huaj dhe, në të njëjtën kohë, të zbulosh veten.”, rrëfen për “Report TV”, Karine Glorieux.
Romani trajton dilemat e moshës së re, raportin me familjen, miqësinë, dashurinë dhe procesin e vështirë të rritjes. Përmes personazhit të Rafaelës, autorja sjell historinë e një vajze që kërkon pavarësinë, ndërsa mëson se edhe njerëzit që duken të privilegjuar kanë problemet dhe plagët e tyre.
“Gjatë kësaj kohe krijon miqësi të reja, mendon për dashurinë dhe ëndërron për të ardhmen. Edhe pse situata ime familjare ishte e vështirë, kuptova se edhe njerëzit e tjerë kishin problemet e tyre.
Mendoj se gjatë adoleshencës, veçanërisht për vajzat, është e rëndësishme të gjesh rrugën tënde. Ndonjëherë kjo do të thotë të kalosh një periudhë rebelimi ndaj familjes, sepse dëshiron të krijosh identitetin tënd.”, thotë autorja.
Në vizitën e saj të parë në Shqipëri, autorja shprehet e lumtur që historia e saj ka gjetur lexues edhe këtu. Sipas saj, pikërisht kjo është fuqia e letërsisë: të krijojë ura komunikimi mes njerëzve dhe kulturave të ndryshme.
“Jam shumë e lumtur që ndodhem në Shqipëri. Kjo është fuqia e letërsisë: të krijojë ura mes njerëzve dhe kulturave të ndryshme.”
“Viti kur dola nga akuariumi” është një roman që flet për guximin për të dalë nga zona e rehatisë, për të njohur botën dhe, mbi të gjitha, për të gjetur veten.
2. “MËNDAFSH”, HISTORI DASHURIE, MISTERI DHE UDHËTIMESH
Franca e shekullit XIX, udhëtimet e gjata në det, trenat me avull dhe një histori dashurie e mbështjellë me mister. “Mëndafsh”, romani i njohur i Alessandro Baricco-s, vjen për lexuesin shqiptar në përkthimin e Agim Doksanit.
Sipas asaj që shkruhet në pjesën e pasme të kopertinës, “Ky nuk është një roman. Dhe as tregim nuk është. Kjo është një histori.”
I botuar për herë të parë në vitin 1996 dhe i përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë të botës, “Mëndafsh” është një nga veprat më të suksesshme të autorit italian. Një histori e thjeshtë në dukje, por e mbushur me emocione, ndjenja dhe simbolika.
Në qendër të rrëfimit është Hervé Zhonkur, një tregtar francez që udhëton drejt Japonisë në kërkim të vezëve të krimbit të mëndafshit. Por gjatë këtyre udhëtimeve ai përballet me një përvojë që do t’i ndryshojë jetën, një ndjenjë e fortë dhe e pashpjegueshme që e tërheq drejt së panjohurës.
“Alesandro Baricco është një nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë italiane bashkëkohore. Në fakt, ‘Mëndafsh’ është një nga romanet e tij më përfaqësuese dhe njëkohësisht vepra që është përkthyer në më shumë gjuhë. Është një roman i vogël në përmasa, por me emocione të jashtëzakonshme. Në qendër është dashuria, misteri dhe një udhëtim që e çon personazhin kryesor nga Franca drejt Japonisë.”, thotë botuesja Arlinda Dudaj.
Bariço ndërton një atmosferë poetike, ku çdo detaj ka peshë. Mëndafshi nuk është vetëm një mall i çmuar që lidh Lindjen me Perëndimin, por edhe metaforë e bukurisë, delikatesës dhe ndjenjave që nuk mund të shprehen me fjalë.
“Është shumë e vështirë të flasësh për këtë libër, sepse ai është i gjithi ndjesi. Në çdo faqe përjeton emocione të forta për shkak të misterit që mbart. Duket si një histori dashurie, por në të vërtetë është shumë më tepër se kaq. Fundi i librit është i jashtëzakonshëm dhe të bën të kuptosh gjithçka që ke lexuar deri në atë moment.”, vëren botuesja.
Përtej suksesit letrar, “Mëndafsh” është përshtatur edhe në film nga regjisori François Girard, duke sjellë në ekran historinë që magjepsi miliona lexues në mbarë botën.
Një libër i shkurtër, por me jehonë të gjatë emocionale, që fton lexuesin të udhëtojë mes dashurisë, heshtjes dhe misterit.
“Mëndafsh” i Alessandro Baricco-s mbetet një nga romanet më të dashura të letërsisë bashkëkohore italiane, një histori që lexohet shpejt, por që mbetet gjatë në kujtesë.
Alessandro Baricco lindi në Torino më 1958 dhe vijon të jetojë atje. Është shkrimtar dhe kineast i njohur për romane magjepsëse. Ai e nisi karrierën si muzikolog, kritik muzike dhe eseist para se të realizonte romane që janë përkthye rnë shumë gjuhë të botës dhe janë ekranizuar, si Legjenda e pianistit mbi oqean.
3. DHIMITËR SHUTERIQI PËRBALLË KOMUNIZMIT NË LIBRIN E KALOÇIT
Libri më i ri i studiuesit dhe gazetarit Dashnor Kaloçi sjell në vëmendjen e publikut figurën e një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës shqiptare të shekullit XX. Botimi “Dhimitër S. Shuteriqi: Rilindasi i fundit dhe regjimi komunist”, i publikuar nga shtëpia botuese Mediaprint, është libri i tretë i një kolane prej pesë veprash kushtuar historisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe figurave më përfaqësuese të saj.
I mbështetur në dokumente arkivore të panjohura më parë, letra, dëshmi dhe materiale të kohës, libri paraqet një portret të plotë të Dhimitër Shuteriqit, njeriut që drejtoi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve për gati tri dekada, nga viti 1945 deri në vitin 1974. Përmes këtij studimi, autori ndriçon marrëdhëniet mes intelektualit dhe pushtetit në periudhën e regjimit komunist.
Shuteriqi u zgjodh në krye të institucionit më të rëndësishëm kulturor të kohës për shkak të formimit të tij të spikatur intelektual, studimeve në Francë dhe angazhimit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Megjithatë, dokumentet e zbuluara tregojnë se ai shpesh u gjend përballë kritikave dhe presioneve të udhëheqjes komuniste, deri në largimin e tij nga drejtimi i Lidhjes në vitin 1974.
Një nga elementët më interesantë të librit është fakti se në fondin e gjerë arkivor të konsultuar nga autori nuk gjendet asnjë dokument ku Dhimitër Shuteriqi të ketë denoncuar apo akuzuar kolegët e tij. Përkundrazi, dokumentet dëshmojnë një figurë me integritet moral dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie njerëzore.
Vepra është rezultat i një pune kërkimore gjashtëvjeçare dhe përfaqëson një nga botimet më të rëndësishme të Mediaprint.
“Studiuesi dhe gazetari Dashnor Kaloçi ka punuar për gati gjashtë vite për këtë vepër. Ai ka hulumtuar në arkiva qendrore dhe personale për të sjellë një figurë emblematike të kulturës shqiptare. Libri përmban dokumente, letra dhe dëshmi të panjohura më parë, të cilat hedhin dritë mbi rolin e Dhimitër Shuteriqit në jetën kulturore shqiptare dhe mbi sfidat që ai përjetoi gjatë regjimit komunist.”, thotë botuesja Elda Vela.
Libri sjell jo vetëm historinë e një personaliteti të rëndësishëm, por edhe një panoramë të gjerë të jetës letrare dhe artistike në Shqipërinë e asaj periudhe. Në fund të tij, shkrimtari Zija Çela ngre një pyetje që mbetet aktuale edhe sot: “Dhimitër Shuteriqi bëri shumë për kulturën shqiptare. Por sa bëmë ne për Dhimitër Shuteriqin?”
Me këtë botim, Dashnor Kaloçi synon të rikthejë në vëmendje figurën dhe kontributin e një prej emrave më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, duke i ofruar lexuesit një dëshmi të çmuar historike dhe dokumentare.
Përmes dokumenteve arkivore, dëshmive dhe materialeve të kohës, autori sjell një portret kompleks të Shuteriqit, duke e vendosur atë në raport me sistemin komunist dhe sfidat që ai hasi gjatë drejtimit të jetës letrare dhe artistike të vendit. Botimi vjen me parathënie nga Ismail Kadare.
Te rubrika "Melodia e vargut" nga Sonila Strakosha vijnë dy poezi të mrekullueshme nga Frederik Rreshpja.
Testament
Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
I mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur
Peshqit fluturonin drejt çerdheve te yjet.
Në vend të borës binin zogj në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, Shënmëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!
Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave,
Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra si perënditë ilire.
Kështu iku edhe rinia, filigrani i djalërisë,
I mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
Dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
Të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Por, kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe,
Se unë kam pasur miqësi me çdo dru.
Në stinën kur bien gjethet
Do të bien edhe sytë e mi.
Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Nëna
Ka filluar të plaket nëna.
Fytyra e saj po mbulohet me rrudha.
Po mbulohet me një pleqëri të bukur.
Ç’është kjo rrjetë e bukur qe hedh koha mbi nënën time?
Dhe, duart që më mbanin, tani janë rënduar.
Po s’ka gjë.
Nga shpirti i saj zgjaten duar të tjera,
Që më mbajnë pezull
Ecën ngadalë nëpër dhomë.
Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,
Por s’më ka pyetur kurrë, pse s’kam shkruar asgjë për të.
Se nëna e di:
Fjalën e parë në botë ia thashë asaj,
Dhe fjalën e fundit në botë do ia them asaj.
Komente


