“Këngët e Milosaos”, Skutari
në Himarë, jo në Shkodë

“Këngët e Milosaos”, Skutari<br />në Himarë, jo në Shkodë
TIRANE- Në Këngën e VIII të “Milosaos” shkruhet: “Ra bora përmbi det/ Dhe mbi leshterikë/ Dhe mbuloi krahët e shqiptëzës”. Është një panoramë e mrekullueshme, të tërheq vemendjen detaji, që flokët e borës mbulojnë dhe krahët e pulëbardhës, (shqitëzës). Në këngën e X janë vargjet: “Kundrejt kodrave dhe detit/ Buzëqeshi ditë e kaltër.”

Në këngën e XI thuhet: “Kundrejt detit të kaltër rrinte  Zonjë e madhe dhe vërente. ”Në këngën e XIV shënohet: “Ajo detin kish ndër sy/ Hijen e shtëpisë në zemër.”Në Këngën e XV janë këto vargje: “Zemra jote e dhemshur/ Le të hapet plot hare/ Si anije plot me trima/ Që nga mezi i detit shohin Atdheun e dëshëruar. ”Kënga e XVIII nis me vargun krahasimtar: “Porsi një tallaz në det”. Në Këngën e XXIV janë vargjet: “Për së pari kur u zgjova/ Nga Buzati hënëza Mbi det po dritëron.” Në Këngën e XXVI evidentohet thirrja: “Vëllezër hipni në anijet!” E famshme është dhe Kënga XXIX ku janë vargjet madhështore: “Bije po s’dua të fle/ Mos ma mbyll ti derën/ Të më fryjë era e detit.

” Kaq shpesh përmendet deti në “Milosao” saqë nuk ka dyshim në mënyrë përfundimtare se mjedisi i poemës është në një vend bregdetar në Jug të Shqipërisë dhe kurrsesi Shkodra veriore. Mendoj se arketipi i detit përcakton gjithçka. Lind pyetja: nëse bëhet fjalë për një vend bregdetar, ku ndodhet ky vend dhe ç’përfaqëson? Unë do të argumentoj se ky vend është Himara. Së pari, poema i është dedikuar ushtarakut të famshëm Dhimitër Leka nga Himara. Pse pikërisht De Rada ia bëri atij këtë dedikim? Kjo është shumë e rëndësishme.

Së dyti, duke parë toponimet tek poema “Milosao” del qartë se këto toponime lidhen me Himarën. Për hir të së vërtetës do të them se për herë të parë një ide të tillë e ka shprehur edhe poeti Sulejman Mato, që është nga Bregdeti, nga fshati Fterrë. Miku im Mato e njeh nga afër toponiminë e Himarës, ai ka vëzhguar në terren dhe njeh mirë këngët popullore himariote. Është meritë e tij e padiskutuar që është marrë me toponimin Skutari. Skutari është marrë deri tani si formë italianizuese e emrit Shkodër. Në të vërtetë përballë fshatit Vuno të Himarës është një mal me emrin Skutara. Këtu ka patur shumë familje që kanë emigruar në Itali. Poshtë fshatit Vuno gjenden gjurmë të një vendbanimi më të vjetër që unë e kam parë me sytë e mij.

Mato mendon që Skutari i De Radës nuk është gjë tjetër veçse Skutara e Vunoit në Himarë. Për mendimin tim kjo lidhet në mënyrë konkrete dhe substanciale me poemën “Milosao”. Skutara mund të shpjegohet si një emër i formuar nga fjala skutë, (gropë, qoshe). Më e çuditshme është se emri Skutara ose Skutari lidhet edhe me emra njerëzish. Studiuesi arbëresh M.Belushi në një libër të tij me përmbledhje folklorike përmend zonjën arbëreshe Roza Skutara, e cila ka rrëfyer shumë nga baladat arbëreshe.

Mundet që kjo zonjë të ketë qenë më origjinë nga Skutara e Himarës. Vendbanimi Skutara mund t’i nënshtrohet një gërmimi arkeologjik për të dhënë fakte të reja.  Por tek Milosao ekzistojnë dhe disa toponime të tjera shumë të rëndësishme. Në këtë poemë përmendet toponimi Stani i Marules. Mundet të përkthehet në shqip si “Lulja e detit”, kompozitë e përbërë nga fjala mare - det dhe lule. Pikërisht në Vuno të Himarës është dhe sot toponimi Gjilule, me kuptimin Lulja e gjirit, bëhet fjalë për një gji deti, gjë që krijon një raport identifikimi dhe toponimin e mësipërm Lulja e detit.
 
Ku gabon studiuesi Andrea Varfi
Tek Milosao përmendet festa e Shën Mërisë së Mesos poritës, kult ky i veçantë me origjinë bizantine. Ka shumë mundësi që kjo lidhet me kishën e Shën Mërisë në këtë zonë. Një gjë shumë e çuditshme lidhet edhe me lumin e Vodhit, lumë, ku vdiq i vrarë në betejë Milosao në Këngën e Fundit. Vargu “Gjaku im tek lumi i Vodhit” në origjinal është modifikuar nga përshtatësit. Fjala vjen Andrea Varfi e formon padrejtësisht në formën Lumi i Obotit. Ky ndryshim arbitrar është i pashpjegueshëm.

Origjinali e ka lumi i Vodhit, ose i Vodit. Realisht ekziston lumi Belovodi pranë Vunoit të Himarës. Ky është emër sllav, një kompozitë që do të thotë Uji i bardhë. Lumi i Vodit ka kuptimin lumi i Ujit (Voda do të thotë ujë). Dihet që një lumë i tillë nuk ekziston në Shkodër. Shkodra ka tri lumej: Kirin, Drinasën dhe Bunën. Asnjë nga këta lumenj nuk përmendet tek “Milosao”. De Rada e njihte mirë Shqipërinë, madje e ka përmendur në shkrimet e tij edhe lumin Drin. Nëse do të ishte fjala për Shkodrën ai do të shkruante se Milosao vdiq buzë lumit Drin, por natyrisht jo në bregdet. Do të ishte shumë e lehtë për De Radën që të mos bënte asnjë gabim në përcaktimin e topografisë së poemës. Arketipi më përcaktues tek Milosao është fjala “katund”.

Në të gjitha rastet vendlindja e Milosaos quhet katund dhe jo qytet. Ai përmend faktin që pas tërmetit “Skutari s’thuhet më katund”. Edhe studiuesi Andrea Varfi e ka kapur këtë gjë, kur shkruan tek shënimet e tij se në poemë në origjinal është gjithmonë fjala katund. Por ju lutem shumë, të gjithë atyre që lexojnë këtë shkrim si ka mundësi që De Rada të ngatërrojë konceptin e katundit me konceptin e qytetit? Shkodra është qytet nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit e Shqipërisë, madje ka qenë dhe kryeqyteti i Ilirisë së vjetër, i Gentit të madh. Shkodra ka një kështjellë madhështore, me përmasa të dukshme dhe në lartësi.

Kurrsesi Shkodra nuk mund të quhet katund. Në shekullin XV Shkodra qe një kryeqendër me një numër të madh fshatrash siç del qartë nga regjistrat e kadastrave turke por dhe venedikase. Shkodra i kapërcen qartë, në mënyrë të pamohueshme kufijtë e një katundi. Por ka dhe fakte të tjera që e plotësojnë këtë arketip të mësipërm. Rina, e dashura e Milosaos quhet “e bija e Kallogresë”. Emri Kallogre është një emër tipik që përdoret në Shqipërinë e Jugut. Vetë Andrea Varfi, me origjinë nga Himara thotë se në Himarë emri Kallogre është shumë i shpeshtë si emër i përveçëm. Varfi përmend dhe një familje të madhe në Qiparo që mban si mbiemër emrin Kallogre, madje Varfi shton se emri Kallogre është i përhapur tek arbëreshët në Kalabri dhe Sicili.
 
Arketipet që tregojnë origjinën e Rinës
Një fragment i “Milosaos” quhet “Vjershë e së bijës së Kallogresë së Skutarioteve”. Pra, origjina e Rinës lidhet me banorët e Skutarës në Himarës. Një fakt tjetër është se në poemë përmendet një lojë fëmijësh që quhet “Loja me “rrolje”. Fjala rrolja ose rrola do të thotë rrotë, disk. Fëmijët e Himarës marrin rrota ose disqe prej guri dhe mundohen t’i hedhin sa më larg. Kjo lojë që përdoret në Himarë dhe më pas dhe tek arbëreshët nuk dokumentohet në qerthullin e Shkodrës. Një arketip tjetër mbushamendës është se elementët e mjedisit si limonët, pulëbardhat, ullinjtë, janë tipikë për zonën e Shqipërisë së Jugut, pra dhe të Himarës, kur dihet që limonët dhe përgjithësisht agrumet nuk kanë lidhje tipike dhe endemike me mjedisin verior të Shkodrës me një klimë më të ndryshme.

De Rada u ka vënë data ditësh, muajsh dhe vitesh secilës këngë. Kënga I e Milosaos mban datën 27 korrik 1435. Kënga e fundit mban datën 7 nëntor 1443. Po të vihet re me kujdes del qartë që historia e Shkodrës në këto vite lidhet me pushtetin venedikas që qe i plotfuqishëm deri në vitin 1478. Shkodra nuk qe asnjëherë nën sundimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në shekullin XV, kurse Himara ka qenë një zonë e lirë në këtë lak kohor, madje nuk iu nënshtrua turqve edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Është absurde të mendosh se gjoja De Rada duke vendosur këtë kronologji nuk e paska ditur se qyteti i Shkodrës nuk ka qenë nën sundimin venedikas? Një argument tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me romanin tjetër poetik të De Radës të quajtur “Serafina Topia”.

Shumë këngë të kësaj poeme ciklike shënohen që kanë ndodhur në Himarë. Himara përmendet shpesh. Por unë nuk po zgjatem sepse kjo do të përbënte subjektin e një shkrimi tjetër, të një tjetre kryevepre deradiane gjithashtu të lidhur me Himarën. Kryevepra “Milosao” e De Radës qe jo vetëm një monument i shkëlqyer i letërsisë shqipe të romantizmit, por dhe një nga veprat më të shkëlqyera dhe të ndritura të letërsisë evropiane në shekullin XIX. Për këtë kryevepër shqiptare kanë shkruar me admirim Viktor Hygoi, Lamartini, Frederik Mistral etj. Fakti që subjekti i “Milosaos lidhet me Himarën ka një karakter logjik të fortë. Nuk do të ishte pa vend dhe pa rëndësi që pikërisht mbi bregun e Himarës shqiptare të ngrihet monumenti prej bronzi i heroi Milosao, si figura më e bukur dhe më e çuditshme e letërsisë romantike të kombit tonë. Amen!

kodrat ne vuno

Shkrimi u publikua sot 25 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Lorenc Vangjeli: Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Lorenc Vangjeli: Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD