Në Shqipëri duhet të jesh kriminel për të fituar të drejtën. Me këtë akuzë të fortë ndaj shtetit shqiptar reagon për Shqiptarja.com Gjon Cali, akuzë e cila vjen një ditë pasi Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie” për deputetin Armando Prenga.

Gjon Cali, një nga anëtarët e familjes më të cilën Prenga ishte në konflikt për të drejtën e shfrytëzimit për peshkim të Lagunës së Patokut nuk flet me emra, por thotë se “pushteti” prishi provat pranë komisariatit të Kurbinit, ku u konfliktuan anëtarët e dy familjeve, dhe i vuri në favor të deputetit.

“Shteti na goditi me 4 shtator aty ku duhej të na mbronte. Kurse dje shteti politik na goditi me padrejtësi e manipulime. Të veshurit me pushtet i lejoi të prishë provat dhe të pastrojë gjurmët. Të veshurit me pushtet i vuri në dispozicion ekspertizën, vendimin, drejtësinë. Ndërsa ne na la në betejen tonë për të fituar të drejtën të vetëm kundër pushtetit”, u shpreh anëtari i familjes Cali.