“Lojë Martese” si projeksion i krizës familjare

“Lojë Martese” si projeksion i krizës familjare
Edward Albee, bashkë me shumë autorë të tjerë të teatrit absurd si Ionesco, Beckett apo Arrabal, është një dramaturg, vepra e të cilit e ka parë dritën e skenës teatrore shqiptare menjëherë pas viteve 90. Vrapi drejt këtyre autorëve ishte shprehja më e pastër e etjes që kishin regjisorët dhe aktorët shqiptarë për të provuar një lloj dramaturgjie, e cila në atë kohë shihej si trend i tejkaluar për skenat evropiane dhe ato botërore.

“Zoo story” teksti i parë i shkruar nga Albee në vitin 1958 ishte një tekst me të cilin u sprovuan shumë regjisorë dhe aktorë shqiptarë. Ndërsa, prirja e atyre viteve ndaj teatrit absurd me të drejtë mund të konsiderohet si një sprovë tërësisht artistike sot nuk mund të themi të njëjtë gjë. Vendosja në skenë e tekstit “Lojë martese”, nën interpretimin e çiftit Trebicka, nuk është thjesht një pretendim ndaj estetikës së një lloji të caktuar dramaturgjik. Historia dhe mesazhet e veprës prekin dhe ngacmojnë një problem në rritje të shoqërisë shqiptare.

loje martese

Krizën në familje. E kapur në një moment kulmor, kjo krizë vjen edhe shpaloset në sytë e spektatorit duke treguar se ka qenë aty, këtu e 30 vite të shkuara duke e bashkëshoqëruar marrëdhënien e çiftit hap pas hapi. “Po të le!” i thotë Jack bashkëshortes së tij Gillian që në momentet e para të fillimit të dramës. Një batutë kjo që vjen edhe kthehet në një centrifugë që përthith në spiralen e saj të 30 vitet e jetë së tyre bashkëshortore. Kujtesa e dy personazheve është e shkurtër.

Ngjarjet, fjalët dhe personazhet fshihen shpejt nga kujtesa e tyre duke bërë që ata t’i kthehen dhe rikthehen pambarimisht shprehjes “Po të le!”. E shkruar nga Edward Albee me teknikën e projektimit të personazhit të dy aktorët ia kanë dalë me sukses ta nxjerrin personazhin nga lëkura e vetë personazhit duke i projektuar përpara spektatorit. Vështirësia e tejkaluar me mjeshtëri nga dy aktorët qëndron në faktin se analizën dhe gjykimin e personazhit e bëjnë me logjikën e po personazhit duke vendosur përpara spektatorëve dy Jack dhe dy Gillian. “Përpiqu të jesh vetvetja” i thotë Jack gruas së tij, ndërsa vazhdon duke treguar se si është duke e bërë vetveten objekt të analizës dhe studimit. Përfundimet dhe konkluzionet që dalin janë të dhimbshme. “Kemi ndërtuar një kështjellë prej rëre”, thotë Gillian duke vazhduar më tej “Kam parë edhe unë një ëndërr. Kam parë në ëndërr sikur më doje”.

Por, ndërsa, me tekstin e “Lojë Martese” autori ia ka dalë që përmes një gjuhe sa poetike po aq edhe brutale dhe vulgare të fotografoj saktësisht krizën e familjes moderne, mbetet e pamundur mënyra e tij për të shpjeguar burimin dhe arsyen e krizës. Për autorin kriza është brenda natyrës njerëzore dhe për asnjë çast nuk i jep asaj karakter social. “kam qenë kaq i bukur, thotë Jack sa edhe qentë e rrugës dashuroheshin me mua”. Pastaj flet me dashuri për  dashurinë një specie zogu homofrodit. “O Zot, çfarë kafshësh jemi. Bëjmë çfarë na thonë instinktet” deklaron Jack duke insistuar të shpjegojë krizën përmes instinktit kafshëror dhe ndriçimit të momentit.

Edhe pse mungon tërësisht elementi social vepra e hap shtegun e një debati të tillë duke e nxjerrë problemin nga spiralja e pazgjidhshme ku ka tentuar ta fusë autori. Me trajtimin e saj përmes mjeteve të kursyera regjia e Dasara Xhangollit është tërësisht e fokusuar dhe e fshehur pas mjeshtërisë së interpretimit. Diagrama e konfliktit të dy personazheve është e vizatuar me një përpikmëri të tillë e cila të ndihmon për t’u përqendruar te konflikti, i cili edhe pse qerthullon rreth batutës “Po të le!” nuk bëhet për asnjë moment monoton. Elementët skenografikë të përshtatura me zgjuarsi ndaj batutës së Gillian: “Po ç’tjerrim një lëmsh të ngatërruar që të dy” vijnë edhe përdoren si objekte të ndryshme në skena dhe situata të ndryshme. Përpos shërbesës që vepra i bën një debati publik mbi krizën e familjes moderne, interpretimi i çiftit Trebicka i mbështetur mbi një shkollë të mirë teatrore është një kënaqësi e cila nuk duhet humbur. 

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë