“Olivetti” i famshëm dhe im gjysh
Jup Kastrati

“Olivetti” i famshëm dhe im gjysh<br />Jup Kastrati
Ndoshta është karakteristikë e çdo shtëpie “te gjyshi”, por vërtetë edhe ajri që merrje aty ishte aq domosdoshmërisht imponues në shtëpinë e gjysh Kastratit, sa është nga ata që të përkufizojnë konceptin e lumturisë edhe pas ndërgjegjësimit.

Është i atij lloji që do të bënte një bebe të nxirrte fjalën e parë nga goja më shpejt se ç’do ta kishte planifikuar, se edhe ai do ta ndiente që ajo është shtëpia e fjalës. Aty ku ne të gjithë mendonim se lindi fjala. E nw fakt fjala ime e parw lindi aty. Ne këtë rast, bebja fatlume isha unë dhe e para fjalë e imja ishte “agjysh”. Gati mund të betohem që e mbaj mend atë moment. Kaq shumë e kam përjetuar edhe kur ma kanë thënë.

Ose ndoshta sepse nuk di t’i ndaj nga njëri-tjetri të gjitha përjetimet e marra, se mund të ketë qenë thjesht një mëngjes i një të diele, ku sigurisht ritmi i zgjimit ishte ai i tasteve të makinës së shkrimit, “Olivettit” të famshëm, alteregos së tij. Në fakt, 2 janë kujtimet e ngulura në memorien time shqisore: ajo e zhurmës së përditshme të pjesëtarit tonë të familjes, Olivetti-t, që ishte një zëvendësues goxha origjinal i ekspresit të kafesë në çdo shtëpi tjetër; dhe po në fazën e zgjimit, sapo hapja sytë, leximi i të njëjtëve tituj librash që lexoja në faqen e murit përballe: Histori e Gramatologjisë Shqiptare (Jup Kastrati), Fausti (Gëte), Shekulli XXI ( e-kam-harruar-se-kush). E mendoja aq të zakonshme, sa më vinte të pyesja fëmijët e tjerë më vonë: cilët libra sheh ti kur zgjohesh? A luajmë makinash shkrimi? Se unë isha i vetmi që mund të luante në makinën e shkrimit në fakt, meqë ra fjala. Nga të gjithë të tjerët, i vetmi...!

Ajo që vlerësova më vonë, që atëherë më dukej normale, është koha që më kushtonte, dhe dua ta theksoj aq herë sa herë ka rëndësi për mua, sepse e di që pikërisht ajo kohë e mirëdisiplinuar ishte faktor për suksesin e tij, ndaj e përmend si të çmuar. Mirëpo po aq sa edhe për veprat e tij shkencore, koha e tij rezultoi të ishte e vlefshme për mua si fëmije. Momentet e kaluara në prezencën e tij, në prehër të tij duke trajtuar çdo gjë që fantazia ime e pashterueshme sugjeronte apo duke luajtur domino ku unë isha gjithnjë fitues me diferencë të madhe pikësh, kanë vlerë emocionale të paçmueshme për mua.

Por ajo që i kalonte të gjithë kufijtë e përditshmërisë dhe normales, ishte kur ulesha pranë tij për të dëgjuar çdo gjë që ai kishte për të treguar, dhe ai kishte gjithmonë diçka për të treguar. Për shembull për arkivat sekrete ne Tiranë, Romë, Uashington etj, gjë që me bënte mua të isha bashkë me gjyshin, ndër të paktit që kisha akses në atë informacion. Ndërkohë ai merrte shumë lloje trajtash. Të heroit romantik që mban mbi vete peshën e vendeve sekrete ku vetëm ai mund të shkoje, të njeriut i cili doja të bëhesha kur të rritesha, te çdo personazhi të fantazisë sime, e cila merrte edhe më shumë hov nga fjalët e gjyshit. 

Mirëpo me kalimin e kohës e kuptova që të bëhesha si ai nuk mund të ishte e thjeshtë. Sidomos me shfaqjen e dilemave të para të mëdha:
“-Gjysh, ti je shkencëtar apo shkrimtar? - Unë, të marrte gjyshi të keqen, jam shkencëtar, por shkruaj libra”. Kjo ishte padyshim një dilemë, superimi i se cilës më bëri të ndërgjegjshëm për përmasat e tij, së bashku me prezencën e kamerave në shtëpi që fatkeqësisht është matësi i rëndësisë së njerëzve në kohët moderne.

Por çka kishte rëndësi për mua, ishte se unë kisha një burim të pashtershëm afeksioni nga ana e tij, unë kisha vëmendje maksimale e absolute, një rehati e krejt qenies sime, sepse më bënte të ndihesha i rëndësishëm. Kisha përpara vetes një test i cili më kërkonte impenjimin për te qenë në më të mirën time, por që njëkohësisht më bënte të mendoja që çdo anë e imja ishte e mirë, inkurajimi më i madh që mund të kishte nevojë një njeri gjatë procesit të të kuptuarit të jetës përreth.

Sot nuk e kam më ambicien të jem si ai. Nuk dua ta imitoj, nuk dua as superoj. Ai e gjeti si të më bënte të jetoja fare mire pa të, duke më bërë të ndiej nevojën të jem i dobishëm. Të kontribuoj nën përgjegjësinë morale të të kthyerit të sadopak nga ajo që kam marrë nga ai, për të qenë nëpërmjet tij pjesë e kontributit të madh për kombin tonë. Vazhdimësia jo thjesht biologjike, ka përveç vlerës së shtuar të përmendur, përgjegjësinë absolute të menaxhimit të një thesari me vlerë kolosale.

E kam parë ku mund të të çojë edukimi dhe e kam një ide se si vepra e tij, e menaxhuar si duhet, mund t’i shërbejë gjeneratave të studentëve, gjuhëtareve, studiuesve. Është një punë e filluar nga tezet e mia dhe ka filluar të më përkas gjithmonë e më shumë mua. Më tepër se gjithçka tjetër, një noblesse oblige. Pra me shumw bindje do ju ftoja që tani në jubileun e tij te 95-tw, apo tw 100-tw. Në përurimin e veprave të tij. Nw përurimin e veprave mbi veprat e tij, që nuk do tw jenw tw largëta. Ne do të jemi aty!

E kam sigurinë sepse më përndjek një jehonë nga prejardhja, një jehonë e rregullt e tasteve që shtypen për të prodhuar pavdekësinë, e cila duhet të kalojë dhe nga unë. Është e njëjta jehonw, e cila më tërhiqte vëmendjen për nga shtëpia përballë dritareve të klasës sime, atë ditë shtatori kur Olivetti nuk do të bënte më kurrë zhurmën karakteristike, ku do të pushonte përjetësisht së bashku me zotërinë e tij.

Shkrimi u publikua sot (20.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan