TIRANE- Erion Veliaj ka dalë mesditën e djeshme përpara qindra mbështetësve entuziastë të grumbulluar përpara selisë së Partisë Socialiste, për tu shprehu falënderime dhe siguri për mirëqeverisje. Me praninë e thuajse gjithë kabinetit qeveritar, ai tha se është gati për ndryshimin historik të Tiranës. “Kjo është një ditë e rëndësishme për mua, Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të gjithë ata që iu bashkuan Aleancës për Shqipërinë Evropiane, pasi na keni ngarkuar përgjegjësinë e ndryshimit të madh historik të Tiranës.

Nëse ka dikush që ishte dyshues për reformën e re administrative, cinik për qytetarinë e këtij vendi, skeptik për demokracinë tonë – sot ka një përgjigje. Qytetarët dolën masivisht në votime, konfirmuan një demokraci aktive dhe i dhanë fitoren Aleancës për Shqipërinë Europiane në 46 Bashki të vendit – fitorja më mbresëlënëse e viteve të fundit. Shumica e shqiptarëve vendosën të vazhdojnë në Drejtimin e Duhur dhe për këtë jemi mirënjohjes e tejet të përulur”, tha Veliaj.

Ai u ndal edhe tek rivalët e tij, duke i ftuar në një bashkëpunim të ngushtë në drejtimin e Tiranës. “Meritat për këtë nuk janë vetëm tonat, por – këtu në Tiranë - dhe të kundërshtarit tonë, Dr. Halim Kosovës, i cili meriton respektin tonë për përpjekjet që bëri për t’u ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij me kulturën e shpifjes, përgojimeve e goditjeve nën brez që e helmojnë politikën tonë. Gjej rastin të falënderoj dhe kandidatët e tjerë dhe gjithë ata që u përfshinë në këtë garë, t’i përgëzoj për garën dhe t’i ftoj të mos ndjehen humbës, por kontribues të ndryshimit të Tiranës.

Ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë, e në emër të këtyre gjërave e mezi pres bashkëpunimin me të pestë kolegët,” – tha Veliaj.  Ai tha se do të jetë një punëtor i përulur në shërbim të komunitetit. “Për të gjithë ata që nuk na e dhanë mbështetjen me votë këtë herë të parë, dua t’ju them qartë – mund të mos më keni dhënë votën, por ju siguroj që e dëgjoj zërin tuaj. Do t’ju shërbej njësoj, pa i ndarë njerëzit në ata që na dhanë apo s’na dhanë votën, duke sjellë një kulturë të re që i bashkon e jo përçan njerëzit e qytetit tonë – do jem 24/7 edhe shërbëtori juaj në Bashki. Fitorja është shumë e madhe, por jemi të përulur – pa bori, pa tam-tame, pa festime e manifestime.

Jemi të vetëdijshëm që qyteti s’i ka punët mirë, ndaj në vend që të festojmë, duhet të përveshim mëngët që ta çojmë në drejtimin e duhur. I kërkoj të gjithë aktivistëve të jenë të përmbajtur, modest e të përulur në fitoren tonë. Në fund, unë ndihem sot njeri i bekuar nga gjithë dashuria e mbështetja juaj. Provë se në këtë vend, mund t’ia dalësh dhe pa qenë nga një familje e njohur, dhe pa qenë dikushi në ‘piacën e Tiranës’. Do t’ua shpërblej këtë mbështetje duke promovuar çdo ditë djem e vajza të zakonshëm të qytetit tonë, që duan të ecin përpara jo falë mbiemrit e tarafit, po falë punës, talentit e mundësive që ju ofrohen të gjithëve njësoj,” tha Veliaj, i cili u kujdes të falënderonte edhe kryetarin e PS-së për Tiranën, Erion Veliaj.
 
 
Kosova:  “Shpresoj të Veliaj të mbajë premtimet”
Në daljen e tij të parë pas humbjes, Halim Kosova ruante fytyrën e qeshur që kishte pasur gjatë gjithë fushatës, e po ashtu, edhe në këtë ditë, nuk sulmoi askënd me akuza.  Edhe dje u dha një premtim banorëve të Tiranës, se do të vijojë të kontribuojë për qytetin. “Zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa numërimi ende vazhdon, fituesi i kësaj gare rezulton Erion Veliaj të cilin dua ta uroj dhe të shpresoj që do ti mbajë premtimet e nuk do ti zhgënjejë qytetarët e Tiranës. I premtoj qytetarëve të Tiranës se angazhimi im për të marrë përgjegjësi në interes të tyre do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast,” – tha Kosova. Teksa falënderoi mbështetësit, Kosova tha se platforma e tij ishte konkrete.

“Jam këtu sot, për të shprehur falënderimet e mia të përzemërta për qytetarët e Tiranës, pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë. Në këto dy muaj, kam pasur qindra takime me banorë të Tiranës dhe bashkëbisedimi me ju të dashur bashkëqytetarë do të mbetet një prej përvojave të mia më të çmuara. Unë zgjodha kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin në çdo cep të Tiranës, në çdo rrugë e lagje, në çdo fshat dhe jo fushatën e luksit në ekran, i bindur se kjo ishte zgjidhja më e mirë. Falënderoj nga zemra ekipin tim të fushatës, që punoi me shumë përkushtim,”- tha Kosova. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)