TIRANË - Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri tha se Sali Berisha, i cili ishte President në kohën kur Shërbimi Sekret rrëmbeu dhe zhduku shqiptarin nga Maqedonia Remzi Hoxhën, ka qenë në dijeni për këtë fakt, ndryshe nga sa ai pretendoi. Tahiri tha se familjarët e shqiptarit nga Maqedonia e kanë marrë në telefon Berishën tre ditë pas zhdukjes së tij duke i kërkuar mëshirë për t’i sjellë të afërmin e tyre gjallë.

Duke ju drejtuar opozitës, Tahiri tha se ishin pikërisht torturat e SHIK-ut në Vajinë të Lezhës që bënë që Remzi Hoxha të mos dilte i gjallë.

“Unë e kam për detyrë t'ju përgjigjem dhe t'ju them se Ministria e Brendshme nuk ka më hapësirë për të gjetur përgjegjësi ligjore të shtuara lidhur me atë ngjarje tek cilido që ka pasur detyrë shtetërore në atë kohë që me veprime konkrete kriminale ka shkaktuar torturën shtetërore të tre personave, një prej të cilëve i ndjeri Remzi Hoxha nuk doli më gjallë. Ai ishte një krim shtetëror që kulmonte pa asnjë dyshim tek zyra e ish-presidentit”, tha Tahiri.

Tahiri u zotua se dikasteri që ai drejton do të bëjë çmos për të sjellë para drejtësisë shqiptare, Ilir Kumbaron, të akuzuar si autor të torturave çnjerëzore në kohën e SHIK-ut të vitit 1996. Sipas ministrit, autoritetet shqiptare kanë vonuar qëllimisht procedurat në mënyrë që Ilir Kumbaro të mos vuante dënimin në Shqipëri.

Tahiri: Në detyrën që ushtroj kam marrë takim me të birin e Remzi Hoxhës i cili ka kërkuar që Ministria e Brendshme dhe prokuroria e  gjyqësori më tej të veprojë që një prej të dënuarve, Ilir Kumbaro të bëhet çështë e mundur që të vuajë dënimin siç i takon, në Shqipëri. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ka për detyrë të rekuperojë atë që ka qenë një vonesë e qëllimshme për të mos bërë shteti detyrën e duhur që Ilir Kumbaro të vinte të vuante dënimin këtu, por u shty me dashje për të kaluar çdo afat në shtetin anglez vetëm që mos të vinte këtu. Dosja dhe vendimi disponohet dhe është mjaft i qartë për përgjegjësitë penale për të gjithë ata që kanë pasur përgjegjësi të tmerrshme për ato që i quajtët eshtrat e një shqiptari të zhdukur nga Shërbimi Sekret në demokraci pa asnjë letër përgjegjësi për këdo që me prova të padiskutueshme nuk bëri një ditë burg të vetme.

Ish-kryeministri tha që nuk ka qenë në dijeni. Në fakt është provuar në gjykim që është vënë në dijeni nga familjarët tre ditë pas zhdukjes. Ish-kryeministri në atë kohë president është provuar në gjykim që është kontaktuar në zyrën e tij nga familjarët e Remzi Hodxhës për t'i kërkuar mëshirë t'i sillnin familjarin gjallë. Është provuar se drejtori i SHIK-ut nuk ka kthyer përgjigje për muaj me radhë nëse targa e makinës i përkiste SHIK-ut apo jo. Madje Gjergj Jorgo, shef komisariati, Agim Shehu, zv. ministër, Bashkim Gazidede drejtor i SHIK të gjithë në varësi personale institucionale të Berishës nuk ik kthenin përgjigje prokurorisë për muaj të tërë nëse targa i përkiste apo jo SHIK-ut. Ziso Kristopulli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha janë rrëmbyer nga SHIKU për tu çuar në Vajinë të Lezhës, dy prej tyre u torturuan, i treti u torturua dhe nuk doli më gjallë.

Unë e kam për detyrë t'ju përgjigjem dhe t'ju them se Ministria e Brendshme nuk ka më hapësirë për të gjetur përgjegjësi ligjore të shtuara lidhur me atë ngjarje tek cilido që ka pasur detyrë shtetërore në atë kohë që me veprime konkrete kriminale ka shkaktuar torturën shtetërore të tre personave, një prej të cilëve i ndjeri Remzi Hoxha nuk doli më gjallë. Ai ishte një krim shtetëror që kulmonte pa asnjë dyshim tek zyra e ish-presidentit.

Ministria e Brendshme do bëjë ç'është e mundur që t'i kërkojë autoriteteve angleze gjithçka ka në dorë për të kapur edhe njëherë Kumbaron. 


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)