“RILINDJE që vjen nga KULTURA”

“RILINDJE që vjen nga KULTURA”
Shkas për këtë shkrim u bë lajmi që doli nga konferenca për shtyp e Kryeministrit të zgjedhur Z. Edi Rama, në lidhje me vendin e merituar që do ti jepet Kulturws, në qeverinë e re të Shqipërisë 2013-2017. Ky është një fakt kuptimplotë për të gjithë shqiptarët (jo detyrimisht vetëm për artistët, krijuesit, interpretuesit e arteve dhe punonjësit e trashëgimisë kulturore),  pasi për të parën herë pas viteve 1990, fatmirësisht më në fund, kemi një Ministri të dedikuar posaçërisht për fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Nuk është e tepërt të themi se kultura dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë e meritojnë një vëmendje të tillë të posaçme, deri tani të munguar. Nisur nga një këndvështrim pragmatik, koaliconi politik i “Rilindjes”, ja kishte “borxh” Kulturws maksimumin e vwmendjes qeverisëse ndaj saj, pasi ashtu si termi “rilindje” dhe atë ç’ka ajo kupton, janë para së gjithash të lidhura me kulturën, e posaçërisht me rrënjët e kulturës europiane, si origjinë, strukturë dhe semantikë. “Rilindja”  (në frëngjisht “renaissance” dhe në italisht “rinascimento”), më së pari ishte një lëvizje kulturore e cila ringriti nga themelet kontinentin europian përmes artit, në vitet 1300-1500, duke filluar nga Italia.

Ende nuk është e qartë se kush e përdori këtë term për herë të parë, por ajo ç’ka dihet me siguri është fakti se kjo frymë dhe lëvizje kulturore që rizbuloi modelet klasike të artit antik grek e romak, solli një transformim të jashtëzakonshëm në Europën e mesjetës, duke gjeneruar si asnjëherë më parë një treg veprash dhe idesh të reja zhvillimore përmes letërsisë, arteve pamore (skulpturë e pikture), arkitekturës e muzikës. Ndër të tjera, RILINDJA refuzoi sistemin feudal si të tillë dhe çliroi energjitë e njeriut të lirë edhe në shumë fusha të tjera të jetës: në zbulimet e mëdha të kontinenteve, në zhvillimin e tregëtisë, në shpikjen e shtypshkrimit dhe përhapjen e librave, në arritjet e shkencave etj.

Krijuesit që e shndërruan “rilindjen” nga një koncept filozofik në një realitet të prekshëm, ishin personalitete të kohës dhe njeri prej tyre ishte piktori Leonardo da Vinçi, i quajtur “Njeriu i Rilindjes”, pra sinonim me të! Koncepti i “njeriut të rilindjes” (“renaissance man”),  rridhte nga fjala greke “polymath”, që do të thotë njeri me formim të plotë dhe nga shumë fusha të dijes njerëzore. Shkenca e historisë ka evidentuar faktin se RILINDJA nuk do të ndodhte pa forcën dhe kalibrin e këtyre njerëzve të veçantë, të cilët ishin të aftë që falë këtij formimi dhe vizioni të tyre, të ndryshonin veten dhe botën.

Në thelb “njeriu i rilindjes” ishte dhe ende mbetet një  “njeri universal” (“universal man”, “uomo universal”), i cili sipas përcaktimit brilant të Leon Battista Albertit (1404-1472), nuk është gjë tjetër veçse: … njeriu i cili mund të bëjë ç’do gjë në se ai dëshiron!  I tillë ishte vetë L. B. Alberti (arkitekt, piktor, historian i klasiçizmit antik, poet, shkencëtar dhe matematikan), të tillë ishin edhe promotorët e “Rilindjes europiane” si piktorët: Mazaçio, vëllezërit Lorenzetti, Fra Anxheliko, Bottiçeli, Perugino, Piero della Françeska, Rafael dhe Tician; skultporët: Pisano, Donatello, Verrokoi, Gilberti dhe Mikelanxhelo; arkitektët si: Brunelleski, Palladio, Mikelozo dhe Fillarete, të cilët vendosën në qendër të universit njeriun dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme për ndryshim, për zhvillim, pra për RILINDJE! Në thelb kjo trashëgimi humaniste e RILINDJES, që u krijua falë kontributit të përbashkët të arteve dhe të shkencës, u vendos në shekujt që pasuan në qendër të identitetit kulturor të Europës moderne. Fjala RILINDJE e artikuluar nga politika shqiptare erdhi në kohën e duhur në terrenin tonë të zhurritur edhe kulturalisht.

Në një vështrim më të gjerë, RILINDJA dhe KULTURA E RILINDJES si një koncept përtej politikës, mund ti vijë në ndihmë kësaj të fundit në se përdoren dhe shtrihen si  frymë dhe mekanizëm qeverisës në të gjithë jetën e vendit, përmes “njerëzve të rilindjes”. Siç theksoi Presidenti i Komisionit Europian Z. Barroso në fjalën e tij "Culture: the cement that binds Europe together", të mbajtur më 4 prill 2013 në KE: .. Bashkimi Europian në esencën e tij të vërtetë përfaqëson së bashku një projekt politik e po aq edhe kulturor. Si asnjëherë më parë Bashkimi Europian e do kulturën dhe atë ç’ka ajo përfaqëson prej rrënjëve të saj, sidomos tani në kohën kur ballafaqohemi me krizat e thella.

Duke i besuar mesazheve dhe trashëgimisë së RILINDJES EUROPIANE të impostuara në terrenin shqiptar, kujtojmë se RILINDJA u bë nga njeriu për njeriun dhe e tillë duhet të jetë. Kjo është fryma që duhet ruajtur, frymë e cila ka të vendosur në qendër të vet njeriun shqiptar, me ose pa parti: qytetar, fshatar, emigrant, grua, burrë, të ri, të re, intelektual …, si qenie e aftë për të ndryshuar Shqipërinë!

Vetë KULTURA si thelbi i RILINDJES mund dhe duhet të shndërrohet në një dimension thelbësor të gjithë qeverisjes së nesërme ku: qeverisja dhe drejtuesit e saj politikë dhe civilë duhet të jenë me kulturë, Kuvendi i Shqipërisë duhet të jetë edhe një vend kulture; tregëtia dhe bizensi duhet të zhvillohen edhe kulturalisht; gjykatat, prokuroria, rendi publik dhe Forcat e Armatosura duhet të reflektojnë kulturë; tatimet dhe doganat duhet të “tatojnë kulturalisht”; televizionet, radiot, gazetat dhe revistat duhet me domosdo të jenë përshfaqje shumëplanëshe të Rilindjes Kulturore Shqiptare, që duhet të ndodhë! AMEN! 

*Akademik

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë