“The National Geographic” më
1912: Ja Shqipëria dhe shqiptarët

“The National Geographic” më<br />1912: Ja Shqipëria dhe shqiptarët
Këtë verë, me ra në dorë një koleksion mjaft i rralle i revistës së njohur Amerikane, "The National Geographic Magazine", në brendinë e të cilave flenin shumë shkrime të hershme për shqipërinë që nga 1912-ta, 18-ta, 31-shi,e në vijim. Shumë prej tyre ishin të panjohura për mua, e jo më ti kisha në dorë, origjinale.

E gjithë kjo, qe falë bujarisë së mikut tim nga Hasi, fotografit profesionist Azem Koleci, i cili i shkëputi nga bibloteka e tij në Irlandë dhe i solli në Tiranë këtë verë. Azemi, krahas aktivitetit në diasporën shqiptare është autor i disa ekspozitave, vlen të përmendet ekspozita që çeli në nëntor të 2012-tës në Cork të Irlandës, me fondet e veta, për nder të 100 vjetorit të Pavaresisë së Shqipërisë.

Revista "The National Geographic Magazine" ka botuar shumë reportazhe mbi Shqipërinë, shkrime që hidhnin dritë tek lexuesi amerikan e perëndimor, mbi jeten dhe historinë e panjohur shqiptare. Për nga rëndësia e tematikës që trajton, kohës së shkrimit dhe ilustrimet e rralla që na vijnë, dua të ndaj me lexuesit e Rilindasit së pari, shkrimin me titull: “The Albanians”, botuar në nëntor të 1912-tës, me autor shkrimtarit dhe biografin e njohur Theron J. Damon.

Megjithse botimi i shkrimit daton fiks me kohën e mëvetësimit të shqipërisë, në nëntor të 1912-tës, nga situata social politike që përshkruan artikullshkruesi, ilustrimet, të dhënat historike që jep, etj., kuptojmë se ka qënë në Shqipëri shumë kohë më parë, kohë e cila përkon me kryengritjen e mbishkodrës, në prag të pavarësisë. Pothuajse të gjitha fotot që ai ka botuar në ilustrim të shkrimit janë nga ky rajon.

“As rrahjet me thupra, as arma, as topi, as mërgimi, as burgimi, as edhe vetë vdekja, nuk i tund nga vendi”.
Kështu e fillon shkrimin e tij “The Albanians” Theron J. Damon, fjali të cilat i vë në gojën e një shqiptari të ri në moshë, por që siç sqaron ai, një pjesë të arsimimit e kishte bërë në Shtetet e  Bashkuara. Duket se me këtë hyrje, që në nisje, autori kërkon të njohë lexuesit perëndimorë me patundshmërinë e Kombit Shqiptar, në rrugëtimin për liri dhe pavarësi.

Damonit i bën përshtypje ky djalë i ri idealist që është rikthyer në Shqipëri, për fat të keq nuk na bën të njohur emrin e tij, por veçse të dhëna për të: “Ai është rikthyer tani në vendin e tij, ku po punon me zell të madh për popullin e tij. Është një prej të paktëve njerëz të arsimuar në Shqipëri, por synon që brezi i ardhshëm të mos i numërojë me gishta burrat dhe gratë e arsimuara të Shqipërisë”- shton ai. 

Nga biseda me të, është impresionuese fjala e djaloshit të zgjuar, i cili i shprehet Demonit se shqiptarët kanë një etje të madhe për arsimim në gjuhen amtare, e se fuqia e shqiptarëve do vijë vetën nëpërmjet arsimimit, fjalëve të cituara në hyrje ai ju kishte paraprirë me këto: “Për momentin, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, të gjithë klasat e njerëzve -muslimanë dhe të krishterë qofshin - kanë një dëshirë, pothuajse një pasion për arsimin kombëtar. Të gjithë ata e kuptojnë që, ashtu sikurse në të kaluarën shpata ishte simbol i fuqisë, sot arsimi është perëndesha e fuqisë, dhe ata do të arsimohen, pavarësisht persekutimit.”

Nga biseda me arsimtarin e ri, por dhe nga sa sheh nëpër terren autori mbushet me bindje se shqiptarët janë vetëdijësuar për nevojën që kanë për progres perëndimor, por pengesë për këtë përparim ai e sheh tek vendosmëria e turqëve të rijn, të cilët edhe nëpërmjet  Kushtetutës së Re Otomane kërkojnë që qytetërimi tek shqiptarët të kalojë nga sita Turke dhe feja Muhamedane…:“Shqiptarët janë vetëdijësuar për nevojën që kanë për qytetërimin dhe progresin perëndimor.

Por, që nga dita e parë e miratimit të Kushtetutës së re otomane, turqit e rinj ishin të vendosur që qytetërimi duhej të vinte tek shqiptarët, vetëm pasi të kishte kaluar në një sitë turke dhe muhamedane. Ky program nuk mund të pranohej nga shqiptarët, edhe sikur turqit e rinj të kishin qenë në gjendje ta vinin në zbatim.”

Më tej, gjatë gjithë përshkrimi të tij, ju referohet shqiptarëve natyrshem si europianë, për më tepër, ai njeh lexuesin e gjërë amerikan dhe perëndimor me tezën e autoktonisë së shqiptarëve në Ballkan, konfirmon gjithashtu dhe faktin e njohur, por që është kontestuar gjatë gjithë shek XX nga politika nacionaliste Greke, të përkatësisë së etnisë shqiptare të Marko Boçarit, dhe rolin e Arvanitëve në pavarësimin e Greqisë: “Shqiptari është europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë.

Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzien me fqinjët e tyre jugorë, grekët, dhe ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë. Bashkatdhetarët e Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2 milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.”

Ai kujton se përpara pushtimin Osman, shqiptarët ishin ne kontakt me qytetërimin perendimor, nëpërmjet marrëdhënieve ekonomike, sociale e kulturore me supërmacinë e kohës, Venedikun. Pas rënies së Shkodrës, dhe dëbimit të Venecianëve nga Osmanët ai sheh veçse rrënim dhe kthim mbrapa.

“Gjatë 125 viteve para zbulimit të Amerikës, republika krenare e Venecias kishte një supremaci dashamirëse mbi qytetet shqiptarë të bregdetit, dhe kështu që e vonoi me një shekull dominimin turk. Me rënien e Skutarit në Shqipëri dhe dëbimin e venecianëve nga turqit në vitin 1478, këta të fundit filluan sundimin e tyre: shekuj të tërë mashtrimi, bese të thyer dhe mizorie. Rezultati i sundimit turk mund të përmblidhet me zhytjen më thellë të shqiptarëve në varfëri, supersticion, dhe etje për gjak, për shkak të terrenit pjellor që garantonin historia malore dhe tiparet primitive.”

Personalitet i pathyeshëm
Si shumë të huaj që kanë vizituar shqipërinë, as Demonit nuk i shpëtojnë cilësitë piktoreske të shqiptarëve. Ai thekson se vetëdija kombëtare tek shqiptarët shquhet. Nga kontakti që ka me prijësit e liderët ai citon se liderët e kuptojnë se nuk janë racë orjentale, por perëndimore. Tiparet e tyre turko-muhamedane janë një lustër, do mjaftonte një brez me arsimin e duhur dhe shqiptarët do bënin kapërcimin e madh, dhe do zinin vendin e tyre mes racave të qytetëruara  të Ballkanit-shton ai.

“Sot, shqiptari është personaliteti më piktoresk në Europë. Megjithatë, po aq interesante sa tiparet e tij, është edhe e ardhmja e tij politike. Kohët e fundit është shfaqur vetëdija kombëtare shqiptare që refuzon të shtypet. Nën qeverisjen jonormale të turqve, racat e ndryshme të krishtera të Perandorisë, si armenët otomanë, bullgarët otomanë dhe grekët otomanë, kanë secila ekzistencën e tyre kombëtare, një shtet brenda shtetit, ndonëse gjithmonë të nënshtruar vullnetit të turqve. Shqiptarët, ndonëse në përgjithësi kanë zhvilluar një lloj besnikërie myslimane që u jep një pothuajse solidaritet me turqit, janë të vendosur që të kenë edhe ata një entitet kombëtar.

Ndonëse janë të mallkuar me prapambetjen që ka shoqëruar pak a shumë kudo besimin muhamedian, liderët e tyre e kuptojnë se nuk janë një racë orientale, por perëndimore. Se tiparet e tyre turko-muhamedianë janë një lustër, dhe se do të mjaftojë një brez me arsimin e duhur për të bërë kërcimin e madh përpara dhe për të zënë vendin e tyre mes racave të qytetëruara të gadishullit të Ballkanit.”
Shqiptari është individualist i madh, ndoshta prej kësaj cilësie ai nuk ka humbur indentitetin e tij, dhe nuk është shkrirë me popujt e tjerë që i kanë ardhur rrotull thekson Demon, po përsëri aty e shikon dhe anen negative.

Mosgatishmëria ose paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre, reflektoi tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor dhe grindje të përhershme mes fiseve, gjë qe sipas tij ka pamundësuar ngritjen e një fronti të bashkuar të shqiptarëve kundër armikut të përbashkët. Vetëm një hero i madh i bashkoi thotë ai, duke kujtuar Skendërbeun. Megjithse nuk harron t’u kujtojë botës se një nga njërzit më të shquar Italisë, Crispi, ka qënë me prejardhje shqiptare. Në fund, pas rënies së Skëndërbeut, pushtuesi i Kostandinopojës, Mehmeti, mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët. 

“Jo i papajtueshëm me nacionalizmin e ri shqiptar, madje mund të jetë arsyeja e tij, është fakti që shqiptari është një prej anëtarëve më individualistë të racës njerëzore. Po të mos kish qenë i tillë, ai do e kishte humbur shumë kohë më parë identitetin e tij, duke u shkrirë me popujt e ndryshëm që përgjatë kohërave u kanë ardhur rrotull maleve shqiptare. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshëm të romakëve, gotëve, serbëve dhe bullgarëve dhe 350 viteve dominim të Turqisë, shqiptari e ka ruajtur individualitetin e tij të pathyeshëm.”

“Crispi, burri i shtetit italian ka qenë me prejardhje shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kolonisë së madhe të shqiptarëve në Sicili dhe Italinë e jugut, paraardhësit e të cilit, afro njëqind mijë, emigruan kur Turqia pushtoi Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët e Italisë e ruajnë prejardhjen e tyre. Mosgatishmëria ose paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre reflektohet tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor shqiptar dhe grindjet e përhershme mes fiseve. Si rezultat, Shqipëria nuk ka mundur të paraqesë një front të bashkuar kundër një armiku të përbashkët.

Vetëm një hero i madh bashkues kombëtar ka dalë për shqiptarët – Skënderbeu. Ai vdiq në vitin 1467, pasi fitoi 21 beteja kundër turqve. Vdekja e tij e la Shqipërinë pa udhëheqës, dhe shqiptarët trima që nuk njihnin besnikëri apo ligj tjetër përtej atij të familjes dhe klanit, ranë në sundimin e Mehmetit II, pushtues i Kostandinopojës. Mehmeti mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët. As edhe sulltanët e mëvonshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë këtë dëshirë të madhe.

Më e mira që mund të bënin ishte t’i bënin për vete, dhe deri në ditën e fundit të tiranisë së Abdyl Hamitit, shqiptarët trajtoheshin si popull i veçantë. Hamiti ua bleu besnikërinë duke mos u vënë taksa, duke frenuar rekrutimin ushtarak dhe duke përzgjedhur më të mirët e këtyre malësorëve të ashpër si truprojat e tij personale.”
foto shqiptaret
foto shqiptaret

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës