TIRANE- “Dhuro Jetë, Shpresë, Buzëqeshje”. Kjo është motoja mbi të cilën edhe këtë vit, “Tirana Bank” organizoi ditën e dhurimit vullnetar të gjakut nga punonjësit e saj. Ky është i gjashti vit radhazi që kjo bankë e nivelit të dytë organizon këtë aktivitet human, në bashkëpunim me “Kryqin e Kuq Shqiptar”. Edhe këtë vit kësaj nisme i janë bashkuar një numër i madh punonjësish të bankës në Tiranë por dhe në rrethe, shoqëruar nga familjarë të tyre, dhe klientë e bashkëpunëtorë të saj. Kjo ka bërë që në 6 vitet e fundit, “Tirana Bank” të renditet në statistikat e “Kryqit të Kuq Shqiptar” si institucioni me numrin e të lartë të dhuruesve vullnetarë të gjakut. Nëpërmjet kësaj nisme ata synojnë të tregojnë mbështetjen e vazhdueshme në mbështetje të nevojave emergjente të shoqërisë shqiptare, e kryesisht për fëmijët e prekur nga sëmundje si Talasemia apo Leucemia.
 
“Kjo është një nga ato ditë kur ndjehem veçanërisht krenar që jam pjesë e “Tirana Bank” dhe vazhdoj traditën e dhurimit vullnetar të gjakut, që është pjesë e përgjegjësisë tonë sociale. Qëllimi ynë është i dyanshëm, të dhurojmë sasi gjaku të konsiderueshme për nevojat në Shqipëri dhe të ndërgjegjësojmë shoqërinë për dhurimin e gjakut dhe rëndësinë e këtij akti fisnik, duke i ftuar të bëhen pjesë e kësaj nisme. Unë personalisht dhurova për herë të parë gjak në jetën time në Shqipëri, kur isha mes të 40-ave. Dhe sot e pyes veten pse aq vonë. Por në fund, ju lutem thojini të gjithëve se nuk është kurrë vonë të dhurosh, ndaj ju ftojmë ta bëni sa më parë”, u shpreh Savvas Thalassinos, Drejtori i Përgjithshëm i “Tirana Bank”.
 
Në dhjetor të vitit 2012, “Tirana Bank” është nderuar edhe me Certifikatën e Mirënjohjes nga “Partners Albania”, me motivacionin e dhurimit vullnetar të gjakut nga punonjësit e saj në mbështetjen e vazhdueshme të Bankës së Gjakut dhe Qendrës së Transfuzionit të Gjakut në Shqipëri.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)