“Vajzat e Mjegullës” të Namik
Dokles “kthehen” në atdhe

“Vajzat e Mjegullës” të Namik<br />Dokles “kthehen” në atdhe
Pas rrugëtimit në odat letrarë të Ballkanit, “Vajzat e Mjegullës” me autor Namik Doklen janë kthyer në atdhe. Instituti i Librit dhe i Promocionit, në bashkëpunim me Botimet Toena, promovuan dje romanin e shkrimtarit dhe deputetit në mjediset universitare të kryeqytetit, me pjesëmarrje të studentëve, pedagogëve e miqve të librit.

Akademiku Prof. Dr. Anastas Angjeli shprehu konsideratat e veta pozitive si për Doklen dhe kontributin e tij në të gjitha fushat ku është investuar në karrierën e tij të gjatë - gazetari, politikë, letërsi - ashtu edhe për vlerat që mbart romani "Vajzat e mjegullës". 

Në vazhdim fjalën e morën botuesja, Irena Toçi, që solli në vëmendjen e të pranishmëve të gjitha takimet që i ishin rezervuar shkrimtarit Namik Dokle dhe romanit të tij në Shqipëri: Panairi i Librit 2015, Qendra Kulturore Kukës, Biblioteka e Beratit, Biblioteka e Elbasanit; në Libraria e Çarshisë në Shkup të Maqedonisë si dhe në Sarajevë, ku libri është përkthyer e botuar në gjuhën boshnjake dhe është promovuar gjithashtu. 

Për romanin janë shprehur në media të ndryshme të Shqipërisë dhe Bosnjës, shkrimtarë të njohur si Zija Çela, Anrila Spahija; kritikë letrarë si Agim Baçi; personalitete të botës akademike shqiptare si prof. Sadik Idrizi, dr. Adijata Ibrishimoviç-Shabiç, akademik Tvrtko Kulenoviç etj.

Një analizë e përimët për vlerat estetiko-letrare të këtij romani, u bë nga doktori i shkencave politike e sociale Edon Qesari, i cili në dallim nga shumë shkrimtarë e kritikë që janë shprehur rreth këtij libri, vuri në dukje edhe vlerat që sjell ky tekst në këndvështrimin antropologjik, si dhe në atë të krijimit të një tabloje të Ballkanit në miniaturë, të vendosur në një zonë kufitare e bilingue siç është Gora. 

Fjalën e mori edhe deputeti Fatmir Toçi, i cili veç vlerësimit të veprës së Dokles, rrëfeu për të pranishmit të gjithë atmosferën e krijuar në Sarajevë, gjatë promovimit të romanit "Vajzat e mjegullës" në gjuhën boshnjake. 

Shkrimtari Namik Dokle, në fjalën e tij në përmbyllje të takimit, shprehu kënaqësinë për pritjen e ngrohtë dhe për gjithë vlerësimet e shprehura nga parafolësit.

Vajzat e mjegullës është romani i një dashurie të madhe, ku vërshojnë ndjesitë e dashurive ekzistenciale: dashurisë për jetën, për vendlindjen, për njerëzit, për gjuhën, për zakonet identifikuese, për mitet dhe legjendat ende të gjalla; është një roman i dashurisë për të bukurën në një realitet herë-herë të shëmtuar; i dashurisë për vajzat, lulet dhe këngët e tyre, si edhe i paqtimit me fatin, duke e jetuar atë në çdo frymëmarrje.

Përmes një stili gjuhësor krejt të veçantë dhe të ngjyrosur edhe me elemente të një kulture deri diku jo krejt të njohur, Namik Dokle paraqet situata dhe vende që nxisin thellë përfytyrimin e lexuesit dhe çdo përshkrim fjalësor mbërrin të kthehet në pikturë reale e plot ngjyra. 

Formulimet origjinale, humori fjalësor, ironia, si veçori gjuhësore, mbushin shpesh kontrastin mes ankthit të pasigurisë dhe forcës shpirtërore identifikuese.

Besnikëria ndaj gjuhës së gjallë të personazheve reale bëhet shpesh edhe forma e vetme e kundërshtisë së hapur ndaj zhargonit të pabesë të diktaturës. Goranët dhe Gora, përmes këtij rrëfimi grishës nga faqja e parë deri tek e fundit, vijnë te lexuesi përmes një simboli të fortë, që prek në mënyrë sa poetike, aq edhe tragjike sferën e vetëdijes mbi misterin dhe atë çka përcillet si e njohur e pakundërshtueshme. 

Po “vajzat e mjegullës”? A janë edhe ato krijesa të misterit? Ah, jo! Ato i shquajmë qartë tek lodrojnë si mjegull e bardhë nëpër faqet e këtij romani që s’duhet humbur...

 Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Velipoja plazhi më i populluar në vend! Java e parë e gushtit shënon fluksin më të lartë të sezonit

Velipoja plazhi më i populluar në vend! Java e parë e gushtit shënon fluksin më të lartë të sezonit