“Viatique”, 45 poezi të Ali
Podrimjes shkojnë në Francë

“Viatique”, 45 poezi të Ali<br />Podrimjes shkojnë në Francë
Poezia e Ali Podrimës ka ardhur në gjuhën frënge e titulluar “Viatique”, shqip “Me jetue”. Alexandre Zotos, përkthyesi i poezive të Ali Podrimes në gjuhën frënge, ka treguar pse e ka emëruar përmbledhjen sipas një poezie, që ka të njëjtin titull.

“Shpesh në tekstet e Aliut shihet rrugëtimi i njeriut. “Viatique” përdoret për të shkuar në bregun tjetër, ashtu siç është thënë në njërën nga poezitë e Aliut, dhe i përgjigjet poezisë së tij, kalimi prej një pike në tjetrën, për të shkuar përpara”, është shprehur Zotos.

Ai ka treguar se libri ka vulën e Ali Podrimes, siç thotë ai sa ka qenë ai gjallë. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ‘60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e poetit të madh shqiptar Ali Podrimja.

Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, e cila titullohet “Lum Lumi”. Vargjet e dhjetëra poezive të shkruara nga dora e Podrimës, që karakterizohen nga thjeshtësia, rima e padukshme dhe simbolet e papritura, janë të përkthyera tashmë në gjuhën franceze në një libër me mbi njëqind faqe. Sali Bashota, profesor në Universitetin e Prishtinës ka deklaruar se “Ali Podrimja është poet që e ka krijuar teorinë e krijimit dhe shkrimit të tij”. Vepra e përkthyer në frëngjisht e përbërë nga poezitë më të bukura të shkruara nga Podrimja është promovuar të martën pasdite në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë në kuadër të edicionit të 12-të të Javës së Bibliotekës së Kosovës.

Pati shumë pjesëmarrës për t’i dëgjuar disa vargje të Ali Podrimjes, i cili para dy vitesh vdiq në rrethana ende të panjohura kur ishte në një festival poezie në Francë. Me lot në sy e ka nisur fjalimin e tij profesori francez, Alexandre Zotos, teksa kujtonte takimin e parë me poetin e poezisë mahnitëse “Unë biri yt Kosovë”. “Unë kam një lutje për ju, lexoni dhe rilexoni sa më shpesh që mundeni poezitë e Ali Podrimjes që është përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare, poeti me emër edhe në shkallë ndërkombëtare”, tha francezi Zotos, pasi mblodhi veten nga emocionet për poetin e njohur shqiptar. 

Ai tha se një revistë franceze do të ketë një numër special për poezinë e Ali Podrimjes. Philippe Biget, botuesi i antologjisë “Viatique”, ka thënë se poezia “Molla e nënës sime” i ka pëlqyer shumë dhe ndaj ka studiuar veprën e poetit. 

Shkrimi u publikua sot (17.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan