Ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka reaguar pas vrasjes së mbrëmjes së sotme në Fier, duke e cilësuar nivelin e kriminalitetit në vend të patolerueshwm. Topalli numëron 23 viktima në 8 ditë nga aksidentet dhe ekzekutimet me armë.
 
Sipas saj, kjo situatë ka ardhur si rrjedhojë e lidhjeve të strukturave të policisë me krimin e organizuar. “Në 8 ditët e para të vitit që sapo nisëm ka 23 të vrarë e të plagosur nga armët apo aksidentet! Ky është një bilanc tragjik! Situata e pasigurisë për jetën është e patolerueshme. Qytetarët kanë humbur besimin tek shteti. E megjithatë problemi nuk janë deklaratat të mbushura me rrena të qeverisë së vrazhdë dhe të dehur.
 
Problemi më i frikshëm është bashkëpunimi i krimit me struktura të caktuara brenda policisë dhe deri në majë të pushtetit! Këto janë të rrezikshëm! Kjo është e rrezikshme për vendin! Ky është pushteti më i kalbur nga korrupsioni në 25 vite! Dhe kjo kalbësirë duhet përmbysur për të shpëtuar vendin!”, thuhet në reagimin e Topallit.
 
Sipas saj, shteti është në dorë të një çete cubash, ndërsa e cilëson prej të daluri mendsh, deklaratën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, sipas të cilit, në Shqipëri niveli i vrasjeve është më i ulëti në 25 vite. “Fataliteti i këtij vendi është se pushteti është vetë antishteti. Sepse pushteti është në dorë të një çete cubash të ngjitur pas parasë dhe krimit dhe që pas çdo vrasje të tipit mafioz dalin për të deklaruar, si të dalur mendsh, se në këtë kohë numri i vrasjeve është më i ulëti në 25 vite”, thekson më tej, ish numri dy i PD, Jozefina Topalli. 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)